Ndërlidhjet

Dy partitë më të mëdha maqedonase, VMRO DPMNE dhe Lidhja Social-Demokrate, kanë ashpërsuar fjalorin kundrejt njëra-tjetrës, duke hedhur akuza të ndërsjella për komplot ndaj procesit zgjedhor. Partitë politike shqiptare kanë qëndrime pro dhe kundër Marrëveshjes së Ohrit.


VMRO DPMNE vlerëson se mandatimi i Radmilla Shekerinskës për drejtuese të Qeverisë, nëse opozita i fiton zgjedhjet, e me këtë tërheqja e Branko Cërvenkoskit edhe nga lista zgjedhore për deputet, është një sinjal shumë i fuqishëm se opozita e ka të qartë dështimin, porse krijon tendenca për të justifikuar dështimin në zgjedhje.

“Nervozizmi i oponentëve tanë është më se evident. Të gjitha përllogaritjet dëshmojnë qartë se ata përgatisin skenar, për të mos njohur rezultatin e zgjedhjeve, për të kamufluar dështimin”, thotë kryetari i VMRO DPMNE-së, Nikolla Gruevski, njëherësh kryeministër i Maqedonisë.

Por, LSDM thotë se populli nuk frikësohet nga kërcënimet e pushtetit. Mandatarja për Qeverinë, Radmilla Shekerinska, deklarimet e VMRO DPMNE-së i quan qesharake.

LSDM nuk është parti, e cila siguron vota përmes dhunës, nuk ka qenë pjesë e këtij realiteti dhe as që do të jetë. Andaj, besoj se këtë do ta dëshmojë dhe rezultati i 5 qershorit, sepse qytetarët janë të lodhur nga ky kolaps ekonomik, nga tensionimi i raporteve në shoqëri, çfarë, që një kohë të gjatë, shoqërohet me bllokimin e procesit integrues”, thekson Shekerinska.

Mes partive politike shqiptare, kritikat zhvillohen në drejtim të asaj se është ose jo Marrëveshja e Ohrit në funksion të realizimit të kërkesave të shqiptarëve.

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, thekson se dokumenti kornizë i Ohrit, shqiptarëve u ka siguruar pozitë më dinjitoze në kuadër të sistemit shoqëror në Maqedoni. Ahmeti, pikërisht për këtë, insiston në jetësimin e plotë të Marrëveshjes.

“Me Marrëveshjen e Ohrit sigurohet dinjitet për të gjithë shqiptarët kudo që janë ata”, shprehet Ahmeti.

Por, kësaj i kundërpërgjigjet kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi, duke theksuar se Marrëveshja e Ohrit, si pasojë e keqqeverisjes së BDI-së, imponon marrëveshje të re politike, ku shqiptarët, siç thotë ai, do të participonin edhe në vendimmarrje gjatë shpërndarjes së buxhetit.

Presidenti i Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, u ka bërë thirrje partive politike, pjesëmarrëse në zgjedhjet parlamentare, të përmbahen nga retorika e papërshtatshme për një vend demokratik, që synon integrimin në BE.
XS
SM
MD
LG