Ndërlidhjet

SHBA-Britani: Marrëdhënie thelbësore


Presidenti Barak Obama dhe kryeministri Dejvid Kameron. Uashington, 2010.
Presidenti Barak Obama dhe kryeministri Dejvid Kameron. Uashington, 2010.
"Times"

Shkruajnë: presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama, dhe kryeministri britanik, Dejvid Kameron.


Nuk është vetëm historia ajo që na lidh. Qoftë në luftëra, qoftë në rindërtim të ekonomisë, nevojat dhe besimet tona janë të njëjta.

Ne të dy jemi rritur gjatë viteve 1980. Si shumë të tjerë, ne kujtojmë një dekadë të trazuar - që filloi me konfrontimet ushtarake në Evropën e ndarë dhe përfundoi me rënien e Murit të Berlinit, me miliona të liruar nga prangat e komunizmit dhe me dinjitet njerëzor në gjithë kontinentin.

Lufta e Ftohtë arriti në këtë përfundim, për shkak të veprimeve të njerëzve të guximshëm dhe kombeve të forta. Por, ne pamë se si lidhja midis dy vendeve tona – dhe dy liderëve njëkohësisht – provoi të jetë një katalizator i rëndësishëm për ndryshime. Kjo na kujton se, kur Shtetet e Bashkuara dhe Britania qëndrojnë së bashku, njerëzit tanë dhe njerëzit në mbarë botën mund të bëhen më të sigurt dhe më të begattë.

Ky është çelësi i marrëdhënieve tona. Ai është krijuar mbi një lidhje të thellë emocionale, nga ndjenjat dhe lidhjet e popujve dhe kulturës. Por, arsyeja përse lulëzon, arsyeja përse ky është një partneritet i natyrshëm, është fakti që ai avancon interesat dhe vlerat tona të përbashkëta. Partneriteti ynë nuk është vetëm një marrëdhënie e veçantë – është një marrëdhënie thelbësore për ne dhe për botën.

Andaj, derisa takohemi sot, duke u përballur me sfida të mëdha ekonomike, sociale dhe strategjike, është e natyrshme që vendet tona, edhe një herë, të bashkohen në një kauzë të përbashkët.

Ushtarakët tanë shërbejnë përkrah njëri-tjetrit në luftimet në Helmand, në mbrojtjen e njerëzve të pafajshëm në Libi apo në luftimin e piratërisë në Afrikë. Çdo ditë, diplomatët tanë të sigurisë dhe të inteligjencës punojnë së bashku. Ne jemi duke punuar urgjentisht për të ulur tensionet dhe për të parandaluar kthimin në luftë të rajonit të kontestuar sudanez – Abej.

Ne po ashtu jemi të bashkuar në mbështetjen tonë për paqe të qëndrueshme ndërmjet një Izraeli të sigurt dhe një Palestine sovrane.

Ne mund të themi sinqerisht se, pavarësisht faktit se jemi dy liderë të traditave të ndryshme politike, shohim sy më sy. Ne shikojmë botën në mënyrë të ngjashme, shprehim shqetësime të njëjta dhe shohim mundësi të njëjta strategjike. Ne do të punojmë në marrëdhëniet midis Britanisë dhe Shteteve të Bashkuara, për t’i bërë akoma më të forta.

Një fushë, ku ne duhet të bashkëpunojmë, është rindërtimi i ekonomive tona. Në vitet e kaluara, ekonomia globale ka kaluar nëpër një lëkundje të thellë. Ne jemi dy shtete të ndryshme, por destinacioni ynë duhet të jetë i njëjtë: rritje e fuqishme dhe e qëndrueshme, deficit i reduktuar dhe reforma të sistemeve tona financiare.

Qeveritë nuk krijojnë vende pune - njerëzit e guximshëm dhe bizneset e reja po. Sot, Shtetet e Bashkuara mbeten investitori më i madh në Britani, dhe Britania investitori më i madh në SHBA. Ne duam të inkurajojmë më shumë nga shkëmbimi i mallrave, kapitalit dhe ideve. Këtë javë, ne do të riafirmojmë angazhimin për bashkëpunim më të fortë në mes të universiteteve tona dhe qendrave të hulumtimit.


Vrasja e bin Ladenit nuk është fund i terrorit

Ne gjithashtu duhet të bashkëpunojmë për sigurinë tonë të përbashkët. Vrasja e Osama bin Ladenit shënon goditjen më të rëndësishme kundër Al Kaidës që nga fillimi i saj, por ajo nuk përbën fundin e terrorit.

Al Kaida dhe bashkëpunëtorët e saj do të vazhdojnë me sulme kundër vendeve tona. Kështu që, ne duhet të punojmë së bashku për të mbrojtur njerëzit tanë nga ideologjia e tyre helmuese. Kjo do të thotë të ndahen informacionet dhe të sillen para drejtësisë ata që planifikojnë sulme.

Nuk mund të ketë mosndëshkim dhe strehim për ata që duan të na bëjnë dëm. Dhe po – kjo po ashtu do të thotë të vazhdojmë misionin tonë në Afganistan, duke stërvitur ushtarët dhe policët afganë, në mënyrë që ata të ofrojnë siguri për vendin e tyre dhe trupat tona të kthehen në shtëpi.

Përparimi në rajon do të jetë jo i barabartë dhe nuk është vendi ynë ai që dikton ritmin dhe qëllimin e ndryshimeve. Ne do të qëndrojmë me ata që duan të sjellin dritë në errësirë, do t’i mbështesim ata që kërkojnë liri në vendet e shtypura dhe do të ndihmojmë ata që ndërtojnë institucione demokratike.

Ne do ta bëjmë këtë sepse demokracia dhe respektimi i të drejtave universale janë një gjë e mirë për njerëzit e rajonit.

Kjo është arsyeja përse kemi mobilizuar komunitetin ndërkombëtar për të mbrojtur popullin libian nga regjimi i kolonel Gadafit. Ne kemi dëmtuar makinën e tij të luftës dhe kemi parandaluar katastrofën humanitare.

Veprimet tona në Libi nuk janë dhe kurrë nuk do të jenë një barrë që do ta bartin vetëm vendet tona. Ne do të punojmë me aleatët, për të ndarë ngarkesat dhe shpenzimet. Së bashku, t’i tregojmë botës së parimet e drejtësisë dhe të lirisë do të përkrahen nga të gjithë.

Përpjekjet tona kundër Al Kaidës dhe misioni ynë në Libi janë kyçe për llojin e botës qe ne duam të ndërtojmë. Ideologjia e Bin Ladenit ka dështuar të marrë hov. Mbretërimi i Gadafit paraqet të kaluarën e rajonit.

Ne po shohim përparimin e demokracisë dhe të të drejtave universale në botën arabe. Një gjë e tillë na mbush me besim, por jemi të vetëdijshëm edhe për rreziqet e pasigurinë. Megjithatë, ne qëndrojmë së bashku, optimistë dhe të bindur se vendet tona mund të arrijnë paqen, prosperitetin dhe sigurinë në vitet në vijim. (v.t.)
XS
SM
MD
LG