Ndërlidhjet

logo-print

“Po qe se bashkësia ndërkombëtare pranon çfarëdolloj ndarjeje të Kosovës, do të hapej Kutia e Pandorës, do të kishte ndikim të menjëhershëm mbi Bosnjën dhe do të hidhej një hap drejt më shumë telasheve në Ballkan - e ndoshta edhe drejt luftës”, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë ligjëruesi në Universitetin Yale, Ivo Banac. Sipas tij, me çështjet e pazgjidhura në Ballkan nuk duhet të merret vetëm diplomacia evropiane, meqë ajo, shton Banac, ka dëshmuar se po e përdor politikën e zbutjes së faktorëve që kanë krijuar “situatën kaotike në Ballkan”.



RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Banac, çështja e ndarjes së veriut, këto ditë, po bëhet sërish një temë diskutimi në skenën politike të Prishtinës dhe atë të Beogradit. Zyrtarët serbë thonë se kjo ide nuk duhet të përjashtohet nga dialogu në mes të Kosovës e Serbisë. Cila është pikëpamja juaj për këtë çështje?

IVO BANAC

Mendoj se duhet të përjashtohet dhe mendoj se është një shenjë për përmasat e mosdorëzimit të autoriteteve serbe, lidhur me një varg skenarësh që janë të dëmshëm, jo vetëm për të ardhmen e Kosovës, por për tërë rajonin e Ballkanit.

Po qe se bashkësia ndërkombëtare pranon çfarëdolloj ndarjeje të Kosovës - gjë që nuk besoj se është mundësi serioze - do të hapej Kutia e Pandorës, do të kishte ndikim të menjëhershëm mbi Bosnjën dhe do të hidhej një hap drejt më shumë telasheve në Ballkan - e ndoshta edhe drejt luftës.

Për këtë arsye, ky opsion, i cili fatkeqësisht vjen nga anëtarë të kabinetit qeveritar serb, duhet të largohet shumë shpejt nga tryeza e ideve. Mendoj se udhëheqësit serbë duhet të paralajmërohen nga bashkësia ndërkombëtare se kjo gjë, thjesht, nuk është diçka produktive, me të cilën ia vlen të vazhdohet.

RADIO EVROPA E LIRË
A mendoni se ky dialog është tërësisht teknik, duke pasur parasysh insistimin e Serbisë për të biseduar për veriun, e po ashtu edhe për statusin e Kosovës?

IVO BANAC

Mendoj se ka shumë këndvështrime për këtë tregim. Serbia vazhdimisht po e vë në pikëpyetje çështjen e Kosovës, ndonëse besoj se te pjesa më e madhe e popullit serb ka depërtuar realiteti në masë të konsiderueshme. E, ai nënkupton se Kosova është një shtet i pavarur dhe se Serbia nuk mund të ndryshojë shumë në atë.

Mirëpo, pikërisht për faktin se shihet si një humbje e madhe në Beograd, ka tendenca për ta kompensuar atë që konsiderohet të jetë humbje e territorit, në fusha të tjera. Për këtë arsye, çështja e Kosovës po mbahet në ‘bojler’- thjesht, si një pikë presioni, me të cilën mund të nxirren lëshime në fusha të tjera, e në radhët e këtyre lëshimeve ndoshta edhe një pozitë e avancuar në rrugën e integrimit evropian.

Andaj, ka shumë arsye, për të cilat po ngrihet kjo çështje. Ajo që është jashtëzakonisht e rëndësishme për Kosovën - veçanërisht për Qeverinë e Kosovës - është të mos futet në këtë.

Ka një tendencë të rrezikshme për të imagjinuar se Kosova do të ishte më e sigurt nëse nuk do ta kishte problemin me veriun. Pra, mendohet që ajo pjesë të shkëmbehet ndoshta me disa zona të Serbisë, e ndoshta me ndonjë marrëveshje më të qëndrueshme me Serbinë.

Mendoj se kjo nuk duhet të bëhet, sepse, pos tjerash, do të mund ta delegjitimonte deri në një masë pozitën e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

RADIO EVROPA E LIRË
Përmendët integrimin në Bashkimin Evropian. Ka zëra që thonë se vetëm Beogradi është përfitues i dialogut në rrugën e tij drejt integrimit në BE. Çfarë në fakt merr Kosova nga ky proces? Dhe, a mund të përjashtohet një përfundim i llojit “fituesi merr të gjitha” nga ky dialog, kur bëhet fjalë për integrimin në BE?

IVO BANAC

Mendoj se këto bisedime janë jashtëzakonisht të paqarta. Për momentin, përfituesi kryesor është Serbia, meqë Beogradi po i dëshmon suksesshëm bashkësisë ndërkombëtare, duke thënë: ‘Shikoni, ne i kemi ulur tensionet dhe po përpiqemi t’i zbërthejmë çështjet e pazgjidhura’.

Sa i përket Kosovës, i vetmi përfitim i pritshëm mund të jetë shuarja e strukturave paralele, të cilat ekzistojnë posaçërisht në veriun e Kosovës - të zaptuar nga serbët.

Parimisht, është një sjellje e padrejtë, e cila dëshmon se në çfarë mase është Kosova pjesë e lojës së bashkësisë ndërkombëtare në Ballkan. Është jashtëzakonisht e rëndësishme të përmendet se, deri më tani, çështja e Kosovës nuk është zgjidhur si pjesë e një diplomacie integruese evropiane. Kjo po ashtu na mëson diçka më shumë për Bashkimin Evropian.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju përmendët bashkësinë ndërkombëtare... A mendoni se, duke i pasur parasysh të gjitha këto çështje, Kosova ende varet nga bashkësia ndërkombëtare, edhe pse është shtet i pavarur tashmë?

IVO BANAC

Kur themi bashkësia ndërkombëtare, themi shumë dhe shumë pak në të njëjtën kohë. Duhet të jemi specifikë. Kosova e ka mbështetjen e Shteteve të Bashkuara - gjë që është përparësia e saj kryesore, përderisa SHBA është duke udhëhequr në politikat për Ballkanin.

Ka një tendencë, të cilën fatkeqësisht po e vazhdon sekretarja Klinton, për t’ua dhënë evropianëve primatin, kur bëhet fjalë për politikën ndërkombëtare për Ballkanin.

Nuk jam shumë i lumtur me këtë, sepse evropianët në përgjithësi synojnë të ndjekin rrugën e zbutjes - atë të zbutjes së forcave që kanë krijuar gjendjen kaotike në Ballkan, gjatë disa dekadave të fundit.

Shembulli i fundit i kësaj është vizita e zonjës Eshton në Banja Llukë, pasi që Uashingtoni e Brukseli kishin vendosur që ajo të mos shkonte atje. Për më keq, kjo ishte praktikisht një njohje indirekte e statusit të pavarur të Millorad Dodikut.

Ky ka qenë një gabim i madh dhe dëshmon se diplomacia evropiane nuk duhet të futet në çështje të tilla, jashtëzakonisht të ndjeshme, si Bosnja e Kosova.

RADIO EVROPA E LIRË
Por, në anën tjetër, zyrtarë të lartë të BE-së theksuan rëndësinë që Prishtina të punojë më tepër në reforma, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe në kritere të tjera evropiane që duhen zbatuar drejt integrimit në BE. Çfarë mendoni se është bërë deri më tani në këtë drejtim?

IVO BANAC

Mendoj se ky është një sugjerim i mirë dhe mendoj se autoritetet kosovare duhet të punojnë në të. Por, statusi i Kosovës apo, thënë më saktë, tërësia territoriale e Kosovës, nuk duhet të varen nga ky aspekt i veçantë.

Mendoj se kjo është një politikë më afatgjate, e cila është e rëndësishme për Kosovën, po aq sa është për Italinë e Berluskonit. Por, nuk mund të flasim për tërësinë territoriale të Kosovës dhe pavarësinë e Kosovës nëse bazohemi në këtë çështje të veçantë.

Po qe se Qeveria e Kosovës do të kërkonte mendimin tim për këtë, do t’i thosha: ‘Bëjeni këtë sepse, pos tjerash, kjo do të jetë në interesin tuaj, por mos prisni që çdo kërkesë e Bashkimit Evropian që shkon në drejtim të plotësimit të interesave serbe, duhet të pranohet. Duhet të merren parasysh interesat primare të Kosovës'.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG