Ndërlidhjet

Prishtina kërkon koordinatat për integrim


Kryeministri Hashim Thaçi
Kryeministri Hashim Thaçi
Kosova ka nevojë për koordinata të sakta të integrimit të saj në Bashkimin Evropian, deklaroi kryeministri Hashim Thaçi gjatë takimit të Këshillit ndërministror për integrime evropiane. Ai tha se konfirmimi i perspektivës evropiane nuk është i mjaftueshëm dhe kërkoi nga Brukseli që t’ia njohë Kosovës të drejtën e nënshkrimit të marrëdhënieve kontraktuale me BE-në.


Konfirmimi i perspektivës evropiane nga ana e Brukselit nuk i mjafton Kosovës në rrugën e saj drejt integrimit në Bashkimit Evropian, deklaroi kryeministri Hashim Thaçi.

Ai rikonfirmoi edhe një herë se e ardhmja e Kosovës është integrimi i saj në BE, por nga Brukseli kërkoi që, përveç konfirmimit të shprehur rreth perspektivës evropiane, Kosovës t’i jepen koordinatat e këtij integrimi.

Këto komente, Thaçi i bëri gjatë takimit të gjashtë të Këshillit ndërministror për integrime evropiane. Ai tha se Kosova mbetet ende vendi i vetëm pa marrëdhënie kontraktuale me Bashkimin Evropian.
Përkundër partneritetit dhe marrëdhënieve të ngushta me BE-në, Kosova mbetet i vetmi vend pa marrëdhënie kontraktuale me BE-në.

“Perspektiva evropiane e Kosovës për anëtarësim në BE është konfirmuar në vazhdimësi në të gjitha nivelet. Sidoqoftë, konfirmimi ende nuk është i mjaftueshëm. Kosova ka nevojë për koordinata të sakta të këtij qëllimi. Përkundër partneritetit dhe marrëdhënieve të ngushta me BE-në, Kosova mbetet i vetmi vend pa marrëdhënie kontraktuale me BE-në”, deklaroi Thaçi.

Kryeministri paralajmëroi departamentet dhe organet tjera përgjegjëse në procesin e përmbushjes së kritereve evropiane, të parapara edhe në Raportin e Progresit, se mospuna eventuale e tyre nuk do të tolerohet.

Kosova nuk mund të mbetet jashtë procesit integrues për shkak të ndonjë individi apo departamenti, u shpreh Thaçi.

”Në asnjë mënyrë nuk do të lejojmë që agjenda evropiane e Kosovës të pësojë për shkak të mospunës së ndonjë individi, departamenti apo institucioni. Gjatë muajve të mbetur, Ministria e Integrimit Evropian do të ketë mandat e përkrahje të plotë në monitorimin dhe raportimin e zbatimit të obligimeve të secilit institucion”, tha Thaçi.

Pas takimit të Këshillit ndërministror, ministrja e Integrimeve Evropiane, Vlora Çitaku, tha se Kosova do të jetë në gjendje që deri në shtator, kur Komisioni Evropian do të njoftohet me të arriturat në zbatimin e Raportit të Progresit, të përmbyllë me sukses përmbushjen e shumë sfidave.

Ajo u shpreh optimiste se Kosova do të jetë gati edhe për marrëveshje kontraktuale me BE-në.

Vlora Çitaku
“Ne besojmë fuqishëm se do të arrijmë t’i plotësojmë kriteret për fillimin e dialogut dhe avancimin e dialogut tregtar; pastaj, të arrijmë të hyjmë në marrëdhënie kontraktuale me Bashkimin Evropian përmes fitimit të mundësisë për t’u përfshirë në programet e komunitetit, si dhe në marrjen e udhërrëfyesit të shumëpërfolur për liberalizimin e vizave”, theksoi Çitaku.

Duke pasur parasysh se integrimi në BE mbetet një proces shumë më i gjatë, ajo çfarë kosovarët aktualisht presin, është përfshirja në liberalizimin e vizave.

Ministrja Çitaku tha se Kosova ka shënuar përparime të dukshme në plotësimin e kritereve teknike. Por, ajo rikujtoi se pa udhërrëfyesin, të cilin Kosova po e pret nga Brukseli, vendi nuk mund të përfshihet në këtë proces.

Marrja e udhërrëfyesit nuk është në dorën tonë. Komisioni Evropian, përkatësisht Këshilli i Ministrave, është ai që merr vendimin për hapjen e dialogut. Pra, ne po e bëjmë njëanshëm punën tonë”.

“Unë ju siguroj se pas marrjes së udhërrëfyesit, i cili është vendim i Komisionit Evropian, jo për 15 muaj, por për një afat edhe më të shkurtër do t’i përmbushim kriteret, në mënyrë që qytetarët tanë të lëvizin lirshëm”,
tha Çitaku.

Në aspektin e përgjithshëm, sfida kryesore e Kosovës në proceset integruese mbetet mosnjohja e saj nga pesë vende anëtare të BE-së. Ndërkaq, në aspektet e brendshme, raportet e progresit të Komisionit Evropian tregojnë se Kosova duhet të shënojë përparime në legjislacion, në fushën e sundimit të ligjit, në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, në ngritjen e një sistemi gjyqësor të pandikuar nga politika, në mosndërhyrje në punën dhe lirinë e mediave, si dhe në fushën e prokurimit publik.

Andaj, vetëm rrumbullakimi i njohjeve nga të gjitha vendet e BE-së dhe përmbushja e kritereve të brendshme do t’i siguronin Kosovës një perspektivë të qartë evropiane.
XS
SM
MD
LG