Ndërlidhjet

logo-print

Basha e cilëson fitore, Rama grabitje


Lulzim Basha & Edi Rama

Lulzim Basha & Edi Rama

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, njëkohësisht kandidati i opozitës për Bashkinë e Tiranës, e cilësoi antikushtetuese vendimmarrjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Ai mbajti një fjalim të ashpër përpara mediave, duke cilësuar gjithçka grabitje dhe deformim të hapur të vullnetit të zgjedhësve.

“Si forca fitimtare e këtyre zgjedhjeve, Partia Socialiste është akoma më e energjizuar, akoma më e vetëdijshme, akoma më e angazhuar që ta çojë përpara betejën e vet me këtë regjim horrllëku, që kërkon t’u imponojë shqiptarëve një model që ne e refuzojmë dhe të cilin do ta shkatërrojmë me fuqinë e rezistencës sonë në të gjitha rrugët demokratike”, tha Rama.

Deklarata e tij vjen një ditë pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shpalli tabelën e rezultateve përfundimtare në Tiranë, e cila nxjerr fitues me 81 vota më shumë kandidatin e mazhorancës, Lulzim Basha. Kjo, pasi KQZ-ja numëroi dhe publikoi në tabelën e rezultateve edhe të paktën 250 vota të kontestuara, të cilat ishin hedhur në kuti të gabuara, ndonëse ishin adresuar për kryetarin e bashkisë.

Kandidati i mazhorancës për Bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha, tha se i gjithë procesi ishte transparent e ligjor.

“Tani, çdo votë është numëruar dhe zëri i çdo qytetari ka pasur shansin të dëgjohet. Kjo është një fitore e vërtetë, një fitore e demokracisë. Kjo ishte një garë e ngushtë, por, sidoqoftë, këto janë zgjedhje, me të cilat Tirana mund të ndihet vërtet krenare. I gjithë procesi i votimit dhe numërimit në këto zgjedhje ishte i drejtë, transparent dhe i saktë”, tha Basha.

Megjithatë, ai tha se do të festojë fitoren vetëm pas certifikimit përfundimtar të rezultatit të ngushtë për kryeqytetin.

“Unë do të pres deri në përfundimin e procesit. Procesi duhet të vazhdojë në përputhje me ligjin dhe me besim të plotë tek institucionet dhe shteti ligjor”, u shpreh Basha.

Çështja tashmë i ka kaluar për shqyrtim Kolegjit Zgjedhor, pas ankimimit të Partisë Socialiste. Do të jetë ky organ i gjyqësorit që do të vendosë të rrëzojë ose të mbajë rezultatin që nxjerr fitues Lulzim Bashën në garën për Tiranën.

Njoftimi zyrtar i Kolegjit Zgjedhor thotë se me datën 27 maj, ai do të shprehet me vendimin përfundimtar lidhur me këtë çështje.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG