Ndërlidhjet

Varfëria shënon rënie


Pamje në Prishtinë
Pamje në Prishtinë
Varfëria në Kosovë ka shënuar rënie për 11 për qind në vitin 2009, krahasuar me të dhënat e vitit 2007, thuhet në raportin e fundit të Bankës Botërore dhe të Entit të Statistikave të Kosovës. Sipas këtyre të dhënave, aktualisht 34 për qind e popullsisë konsiderohen të jenë të varfër, ndërsa në vitin 2007 kjo shifër ishte 45 për qind.


Banka Botërore, në raportin e fundit të titulluar “Varfëria në konsum në Republikën e Kosovës, në vitin 2009”, tregon se gjatë 2009-ës, rreth 34 për qind e popullsisë në Kosovë ka jetuar në varfëri absolute, me 1.5 euro në ditë, kurse 12 për qind në varfëri të skajshme me vetëm 1 euro në ditë.

Përfaqësues të mekanizmave ndërkombëtarë thonë se Kosova mbetet ende vendi më i varfër në Evropën Juglindore. Ata kërkojnë nga institucionet kosovare që të krijojnë mekanizma adekuatë për zbutjen e shkallës së varfërisë.

Menaxheri i Bankës Botërore në Kosovë, Ranxhit Najak, thotë se pjesë e rëndësishme në luftimin e varfërisë është krijimi i legjislacionit. Najak thotë se një nga mënyrat për të llogaritur varfërinë është konsumi. Ai thekson po ashtu rëndësinë e posedimit të statistikave të sakta.

“Kjo duhet të analizohet në kontekstin më të gjerë, pra me krijimin e kapaciteteve për të pasur të dhëna të sakta dhe të besueshme, të cilat mund të përdoren për të bërë vlerësime për varfërinë dhe çështje të tjera”, thotë Najak.

Në raportin e Bankës Botërore dhe të Entit të Statistikave thuhet se shkalla shumë e lartë e papunësisë në Kosovë është një ndikues i rëndësishëm në nivelet e larta të varfërisë. Arsimimi theksohet të jetë një prej rrugëve më të besueshme për të dalë nga varfëria.

Përfaqësuesi i Entit të Statistikës, Bashkim Bellaqa, thotë se të dhënat e raportit janë bazuar në anketën e buxhetit të konsumit të ekonomive familjare. Sipas tij, ka përmirësim të trendëve të varfërisë.
Në periudhën 2005 – 2006 kemi pasur varfërinë e përgjithshme 45.4 për qind, ndërsa tani e kemi 34.5 apo me 11 për qind rënie.

“Kemi përmirësim të trendëve të varfërisë. Në periudhën 2005 – 2006 kemi pasur varfërinë e përgjithshme 45.4 për qind, ndërsa tani e kemi 34.5 apo me 11 për qind rënie. Varfëria ekstreme ka rreth 4 për qind rënie, nga 16 në 12 për qind”, shpjegon Bellaqa.

Përfaqësuesi i Fondit Monetar Ndërkombëtar në Kosovë, Hose Suleman, thotë se duhet punuar në zbutjen e nivelit të varfërisë.

“Jam i shqetësuar për politikat. Nëse tani kemi 34 për qind varfri, atëherë duhet të funksionojnë politikat për ta ulur këtë shifër herën tjetër. Lidhur me ketë duhet të zgjidhet edhe problemi i papunësisë”, thekson ai.

Në raportin “Varfëria në konsum në Republikën e Kosovës, në vitin 2009”, thuhet se Kosova ka një popullatë të re, ndërsa rinia është e varfër. Grupmosha prej 16 deri në 24 vjeç prin me rreth 70 për qind të shkallës së papunësisë, krahasuar me grupmoshat tjera.
XS
SM
MD
LG