Ndërlidhjet

Eshton dhe Fyle të shqetësuar nga vendimi i KQZ-së


Përfaqësuesja e Lartë e Politikës së Jashtme të BE-së, Kethrin Eshton, dhe Komisioneri evropian për Zgjerim, Shtefan Fyle, kanë shprehur shqetësimin e tyre për numërimin e votave të Tiranës nga zgjedhjet lokale të 8 majit.

Përmes një deklarate të përbashkët, të dy zyrtarët e lartë evropianë kanë thënë se “çështja e logjikës ligjore të vendimeve të KQZ-së, për të numëruar të ashtuquajturat vota ‘të hedhura gabimisht’, është një çështje që përbën shqetësim”.

Eshton dhe Fyle, në deklaratën e përbashkët që iu është dërguar mediave, përpos që kanë kërkuar dialog të menjëhershëm politik për votat “e hedhura gabimisht”, kanë sugjeruar se “një mundësi që mund të merret në konsideratë është që të kërkohet këshillim i pavarur nga jashtë, për vendimet e debatuara të KQZ-së”.

Reagimi i zyrtarëve të lartë të BE-së bëhet pasi KQZ shpalli fitues kandidatin demokrat për kryetar të Tiranës, Lulzim Basha, me 81 vota diferencë nga kandidati socialist, Edi Rama.

Partia Socialiste, e cila pretendon fitoren në kryeqytetin shqiptar, e ka dërguar çështjen në Kolegjin Zgjedhor, i cili pritet të konfirmojë vendimin e KQZ-së ose ta hedhë poshtë atë.
XS
SM
MD
LG