Ndërlidhjet

Eshton dhe Fyle të shqetësuar nga vendimi i KQZ-së

  • RFE /RL

Foto nga arkivi

Foto nga arkivi

Përfaqësuesja e lartë e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Kethrin Eshton, dhe komisionari evropian për zgjerim, Shtefan Fyle, kanë shprehur shqetësimin e tyre për numërimin e votave të Tiranës nga zgjedhjet lokale të 8 majit.

Përmes një deklarate të përbashkët, të dy zyrtarët e lartë evropianë kanë thënë se “çështja e logjikës ligjore të vendimeve të KQZ-së, për të numëruar të ashtuquajturat vota ‘të hedhura gabimisht’, është një çështje që përbën shqetësim”.

Eshton dhe Fyle, në deklaratën e përbashkët që u është dërguar mediave, përpos që kanë kërkuar dialog të menjëhershëm politik për votat “e hedhura gabimisht”, kanë sugjeruar se “një mundësi që mund të merret në konsideratë, është që të kërkohet këshillim i pavarur nga jashtë, për vendimet e debatuara të KQZ-së”.

Reagimi i zyrtarëve të lartë të BE-së bëhet pasi KQZ-ja shpalli fitues kandidatin demokrat për kryetar të Tiranës, Lulzim Basha, me 81 vota diferencë nga kandidati socialist, Edi Rama.

Partia Socialiste, e cila pretendon fitoren në kryeqytetin shqiptar, e ka dërguar çështjen në Kolegjin Zgjedhor, i cili pritet të konfirmojë vendimin e KQZ-së ose ta hedhë poshtë atë.

Situata pas-zgjedhore në Tiranë ka qenë edhe temë e takimit të presidentit të Shqipërisë, Bamir Topi, me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara, Aleksandër Arvizu, kreun e delegacionit të Bashkimit Evropian, Etore Sekui, si dhe me kreun e prezencës së OSBE-së, Eugen Volfart.

Diplomatët thanë se procesi zgjedhor nuk ka përfunduar ende dhe se respektimi i kornizës ligjore është domosdoshmëri, në kushtet e ankesës ndaj rezultatit nga opozita në Kolegjin Zgjedhor.

Presidenti Topi bëri thirrje për vetëpërmbatje nga shpallja e parakohshme e rezultatit mbi procesin zgjedhor, i cili, siç tha ai, nuk ka mbaruar ende.

Në cilësinë edhe të Kryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Topi tha se Kolegji Zgjedhor gëzon mbështetjen e plotë institucionale për një proces të pavarur, transparent dhe të lirë nga ndërhyrjet politike.

Lexoni edhe këtë:
Basha e cilëson fitore, Rama grabitje

Trego komentet

XS
SM
MD
LG