Ndërlidhjet

Komuniteti rom, ai ashkali dhe egjiptian në Kosovë kanë kultura të pasura materiale dhe shpirtërore, por duhen krijuar mundësitë që të shpërfaqen ato, thonë vetë përfaqësuesit e tyre.

Për të nxjerrë në pah disa nga segmentet e pasurisë kulturore të këtyre komuniteteve, dy ditë më parë, në Prishtinë është hapur Festivali i kulturës rome, ashkalinje dhe egjiptiane.

Ky festival, i cli është projekt i mbështetur nga Komisioni Evropian, po realizohet nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur. Përfaqësuesja e këtij fondacioni, Mimoza Gavrani, thotë se festivali ka për qëllim promovimin e kulturës së romëve, ashkalinjve dhe egjiptianëve para komuniteteve të tjera në Kosovë.

“Ky organizim i këtij festivali ka për qëllim ofrimin e mundësisë për komunitetet tjera që t’i njohin këto komunitete më mirë, përmes ekspozitës së fotografive, veshjeve në muzeun etnologjik, eksponateve të ndryshme që janë ekspozuar, përmes shfaqjeve teatrale, përmes koncerteve që do të jenë në vazhdimësi, përmes filmave dokumentarë, si dhe përmes një elementi shumë të rëndësishëm, që është debati, e i cili ka për temë integrimin e këtyre komuniteteve përmes kulturës dhe mediave”, sqaron Gavrani.


Sa ka hapësirë për kulturën rome?

Përfaqësuesit romë nga fusha e kulturës dhe artit kanë vështrime të ndryshme lidhur me atë se sa ka hapësirë për promovimin e vlerave të kulturës së tyre.

Kujtim Paçaku, shkrimtar rom nga Prizreni, thotë se nuk janë krijuar raste të mjaftueshme.

“Ne kemi këngëtarë superiorë, kemi shkrimtarë, kemi poezi shumë të mira. E kemi dramën shumë të mirë dhe aktorët, të cilët si amatorë, performojnë në skenë pothuajse si gjysmë-profesionistë. Në shpirtin e romit ka art. Por, romëve u është dhënë pak rasti. Neve nuk na mjafton vetëm një ‘qyqek valle’ të luhet dhe të kthehemi në shtëpi. Jo. Ne kemi ende për t’iu treguar komuniteteve të tjera”, thotë Paçaku.

Por Bajram Kinolli, këngëtar rom nga Gjakova, thotë se hapësira për promovimin e vlerave kulturore të komuniteteve, ekziston, mirëpo, sipas tij, vetë komunitetet duhet të angazhohen më shumë.

“Nuk janë të vetëdijesuara komunitetet se sa ka hapësirë që mund ta shfrytëzojnë. Faktikisht, ka shumë hapësirë, por, prapëseprapë, kemi mungesë të edukimit të njerëzve, kemi mungesë të socializmit të njerëzve përmes kulturave të tyre. Kemi mungesë të nxjerrjes së ndonjë artisti të ri. E, faktikisht, Kosova si shtet i pavarur ka edhe gjëra të tjera që i ka për prioritet, e jo vetëm romët, ashkalinjtë dhe egjiptianët”, thotë Kinolli për Radion Evropa e Lirë.

Sipas tij, nuk mund të thuhet se komunitetet në fjalë janë margjinalizuar apo harruar nga shoqëria kosovare.

“Nuk jemi të harruar. Nganjëherë, më tepër ne e kemi harruar veten. Kur ke vende për të bërë evenimente kulturore, ti duhesh ta gjesh veten. Po nuk e gjete veten, askush nuk vjen të të kap për krahu dhe të të thotë ‘eja bëje këtë’. Atëherë, do të dilje fals. Më shumë ia lë fajin komunitetit tonë, sepse nëse ti beson në vete se mund të bësh diçka, atëherë duhesh ta bësh”, shprehet Kinolli.

Në anën tjetër, shkrimtari Paçaku thotë se e vlerëson festivalin e organizuar në Prishtinë për kulturën e tri komuniteteve, por, sipas tij, kjo nuk është e mjaftueshme.

Kultura rome nuk duhet treguar vetëm atyre në Prishtinë. Ne romët kërkojmë dhe do të kërkojmë që të bëhet një festival ndërkombëtar këtu në Prishtinë. T’i shohim kulturat e romëve nga Shkupi, Serbia, Mali i zi dhe Kroacia. Romët vijnë nga India dhe ata në supet e tyre bartin një kulturë shumë të lashtë”, thekson Paçaku.

Festivali i kulturës rome, ashkalinje dhe egjiptiane do të zgjasë deri më 29 maj. Projekti i Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur përfshin organizimin e këtij festivali edhe vitin e ardhshëm.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG