Ndërlidhjet

Netanjahu s’lejon kthimin në kufijtë e 1967-ës

  • RFE /RL

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu, gjatë fjalimit në Kongresin amerikan. Uashington, 24 maj 2011.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu, gjatë fjalimit në Kongresin amerikan. Uashington, 24 maj 2011.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu, tha se Izraeli është i gatshëm të bëjë “kompromise të dhimbshme” për të arritur paqen me palestinezët, porse nuk do të pranojë lëvizje në atë që e sheh si kriter kyç për arritjen e një zgjidhjeje, e cila mundëson krijimin e dy shteteve. Lideri izraelit iu drejtua një sesioni të përbashkët të Kongresit amerikan, ku ai u prit me duartrokitje të përzemërta, vetëm pak ditë pas një takimi të tensionuar me presidentin amerikan, Barak Obama.


Atmosfera mikpritëse në Kongresin amerikan për kryeministrin e Izraelit është një kontrast i madh me tensionet që e përbënin takimin e Benjamin Netanjahut me presidentin amerikan, Barak Obama, më 20 maj.

Ky takim ishte mbajtur vetëm një ditë pasi Obama foli në mënyrë publike për një plan paqësor, që mbështetej kryesisht në rikthimin e Izraelit në kufijtë e vitit 1967.

I ftuar nga ligjvënësit republikanë në Kongres - një privilegj i rrallë për liderët që e vizitojnë Amerikën - Netanjahu tha se ai është i gatshëm të bëjë lëshime të vështira, që të zgjidhë konfliktin në mes të Izraelit dhe palestinezëve, i cili zgjat me dekada.

“Jam i gatshëm të bëj kompromise të dhimbshme për të arritur paqen historike. Si lider i Izraelit, është përgjegjësia ime që të udhëheq popullin tim drejt paqes. Kjo nuk është e lehtë për mua. Nuk është e lehtë sepse unë e di që për paqe të sinqertë, ne duhet të japim pjesë të atdheut të stërgjyshërve çifutë”, tha Netanjahu në Kongresin amerikan.

Sipas tij, palestinezët nuk duhet të jenë “as subjektet e Izraelit e as qytetarët e tij”, por duhet të “shijojnë një jetë të dinjitetshme si popull i lirë dhe i pavarur”.

Duke folur për kushtet që ky vizion i tij të bëhet realitet, kryeministri Netanjahu përsëriti mesazhin e njëjtë që i ka dhënë edhe presidentit Obama: “Kufijtë do të jenë ndryshe prej atyre që kanë ekzistuar deri më 4 qershor, 1967”.

“Nëse Izraeli do të largohej nga këto territore, një sasi e madhe e armatimit do të hynte në shtetin e ardhshëm palestinez të pakontrolluar, ndërsa raketat e nisura nga atje, do të arrinin çdo shtëpi në Izrael, në më pak se një minutë”.

“Unë dua që ju të mendoni për këtë. Imagjinoni nëse aktivizohet një sirenë në këtë moment, ndërsa ne do të kishim vetëm 60 sekonda për të gjetur strehim nga një raketë që po sulmon. A mendoni se dikush mund të jetojë në atë mënyrë? Epo, ne nuk do të jetojmë në atë mënyrë”,
deklaroi Netanjahu.

Kryeministri izraelit tha se ai i ka bërë thirrje presidentit palestinez, Mahmud Abas, që të heqë dorë nga një marrëveshje me grupin militant të Hamasit.

Derisa Fatahu ka mbështetur negociatat për paqe me Izraelin, Hamasi ka bërë thirrje për shkatërrimin e Izraelit. Hamasi konsiderohet organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian.

Gjatë këtij viti, ministri i Jashtëm palestinez, Riad al Maliki, ka njoftuar se ai do të kërkojë njohjen e shtetit palestinez në territoret e okupuara nga Izraeli në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, në shtator. Kjo lëvizje kundërshtohet nga Izraeli dhe SHBA-ja.

Disa analistë besojnë se Obama po i bën presion Izraelit që të pajtohet për një plan, i cili mbështetet në kufijtë e vitit 1967, që të eliminojë një votim të mundshëm në OKB.

Gjatë fjalimit në Kongres...
Derisa fjalët e Netanjahut janë pritur përzemërsisht nga ligjvënësit amerikanë, ai është ndërprerë përkohësisht nga një ndërhyrëse në audiencë. Më pas, ajo u identifikua të jetë aktiviste e grupit kundër luftës, CODEPINK, më saktë një 28-vjeçare çifute e Amerikës.

Në përgjigje të kësaj ndërhyrjeje, Netanjahu tha:

“Ju nuk mund t’i keni këto protesta në parlamentet qesharake në Teheran apo në Tripoli, ndërsa kjo që ndodhi është një demokraci e vërtetë”.

Liderët palestinezë e kanë hedhur poshtë fjalimin e kryeministri izraelit. Pas këtij adresimi, zëdhënësi i Abasit i ka thënë agjencisë së lajmeve AFP, se Netanjahu ka shtuar edhe “më shumë pengesa në rrugën drejt një paqeje afatgjate, të sinqertë dhe gjithëpërfshirëse”.

Një zyrtar palestinez në Bregun Perëndimor, fjalimin e Netanjahut e ka vlerësuar “deklarim të luftës kundër palestinezëve”. (a.h.)
XS
SM
MD
LG