Ndërlidhjet

ENEMO publikon raportin final të zgjedhjeve të Kosovës


Një numër i parregullsive gjatë zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës e kanë dëmtuar rëndë besimin në proceset demokratike në Kosovë, është një nga vlerësimet që i ka bërë Rrjeti i Vëzhguesve Ndërkombëtar, ENEMO, i cili me ftesën e U.D. të Presidentit të Kosovës, Jakup Krasniqi, i ka vëzhguar zgjedhjet e vitit 2010.

Ky raport më tej, vlerëson se shkelja e privatësisë së votës nga familja dhe votimi në grup, në shumë vende ka qenë si formë ligji dhe jo rast i veçant.

Këto shkelje serioze të procedurave thjesht janë pranuar, ndërsa stafi nëpër qendrat e votimit nuk ka bërë përpjekje që t’i ndalojë këto parregullsi gjatë votimit thuhet në vlerësimin që iu dërguar mediave sot, gati gjashtë muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve.

Incidente të njejta dhe dyshimet për mashtrime, vazhdon më tej raporti, japin një pasqyrë të zymtë të procesit të zgjedhjeve në Kosovë.

Përpos kësaj, vazhdon më tej raporti vlerësues, rastet e presionit dhe frikësimit në vëzhguesit vendorë janë raportuar te ENEMO, duke u shtuar kështu dobësitë e procesit.

ENEMO jep një pasqyrë të gjatë të procesit, më shumë duke bërë përshkrimin e situatës, përfshirë këtu edhe fushatën parazgjedhore, që e vlerëson kryesisht të qetë, me gjithë pjesëmarrjen e fëmijëve nëpër takime elektorale.

Ndërkaq, disa prej rekomandimeve që ENEMO bënë për procesin zgjedhor të Kosovës është hetimi në mënyrë të pavarur të të gjitha shkeljeve zgjedhore, të ndjeken me kohë dhe ata që kanë bërë shkelje të mbahen përgjegjës për zgjedhjet parlamentare të vitit 2011, ndërsa e njëjta të aplikohet edhe për shkelësit e zgjedhjeve të vitit 2009 dhe 2007.

ENEMO i rekomandon KQZ-së, vazhdimin e profesionalizimit të administratës zgjedhore. Sipas ENEMO-s, duhet të vihet theksi në edukim dhe profesionalizëm. Komisionerët e votimit duhet të merren në punë në bazë të profesionalizmit. Përbërja e KQZ-së mund të përfitojë nga përfshirja e disa gjykatësve si anëtarë të KQZ-së.

ENEMO rekomandon që të punohet më shumë me personelin e qendrave të votimit për të siguruar se po zbatohen masat kundër manipulimeve zgjedhore si dhe shkeljes së proceduarve si votimi në grup, falsifikimit të nënshkrimeve në listat e votuesve etj.

Qendra e Numërimit dhe e rezultateve rekomandohet që të rrisë transparencën e veprimeve të saj duke publikuar të gjithë raportet e saj në faqen e internetit të KQZ-së dhe duke ofruar informacione në kohë për të gjitha palët dhe vëzhguesit e akredituar thuhet ndër të tjera në raportin final të rrjetit të vëzhguesve ndërkombëtar për zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2010.
XS
SM
MD
LG