Ndërlidhjet

Qytetarët e Maqedonisë edhe më tej do të mund të lëvizin në të gjitha vendet e zonës Shengen pa viza, tha të mërkurën zëvendëskryeministri i Maqedonisë për çështje të integrimeve, Vasko Naumovski.

Ai theksoi se Qeveria, me masat që po i ndërmerr dhe që do të vazhdojë t'i ndërmarrë, nuk do të lejojë të rrezikohet ky përfitim historik dhe për të gjithë ata, të cilët do të përpiqen ta keqpërdorin regjimin pa viza, siç tha Naumovski, do të pasojnë sanksionet.

"Qeveria i porositë të gjithë qytetarët e vet që në mënyrë të qetë ta planifikojnë pushimin e tyre vjetor për udhëtime pa viza dhe njëkohësisht duam t'i bindim ata, të cilët në mënyrë të pandërgjegjshme e shfrytëzojnë këtë regjim pa viza, të mos shpresojnë për azil”, tha Naumovski, duke shtuar se lëvizjen e lirë të qytetarëve të Maqedonisë e vë në rrezik një pjesë e vogël, e cila është e pandërgjegjshme me veprimet e saj egoiste.

”Dëshirojmë t'i qetësojmë qytetarët e ndërgjegjshëm dhe t'i shqetësojmë të pandërgjegjshmit. Dy milionë qytetarë nuk do të jenë viktima të disa individëve që dëshirojnë të përfitojnë, apo disa qindra qytetarëve me shpirt aventurist. Pra, ata jo vetëm që nuk do të fitojnë azil, por edhe nuk do të kalojnë pa u dënuar”, deklaroi Naumovski.

Duke e komentuar propozimin e së martës nga ana e KE-së për mekanizëm mbrojtës, Naumovski u shpreh se është e qartë se paralajmërimet për gjoja heqjen e regjimit për viza, janë vetëm pjesë e fushatës parazgjedhore.

Ndërkaq, eksperti për çështje ndërkombëtare, Nazmi Maliqi, vlerësoi se me sanksione dhe dënime të rënda nuk mund të sfidohet lëvizja e lirë, por me krijimin e mirëqenies ekonomike, me krijimin e kushteve minimale për jetesë, si dhe eliminimin e dallimeve sociale në vise të caktuara.

“Qeveria është fajtori kryesor, bashkë me strukturat e saj, sepse nuk ka mbajtur llogari për mirëqenien e atyre qytetarëve dhe që ky shtet të ketë njëherësh një zhvillim në të gjitha viset. Nuk pajtohem me atë se atyre u mungon kultura e respektimit të normave juridike dhe respektimit të regjimit të vizave, por thjesht është interesi familjar në mungesë të kushteve elementare. Varfëria ka ndikuar që ata të marrin rrugën për të kërkuar shpëtim nga skamja në shtetet e BE-së”, vlerësoi Maliqi.

Eksperti Maliqi nënvizon se masat shtesë për kontrollin, si dhe monitorimin, të theksuar nga Komisioni Evropian gjatë zbatimit të liberalizimit të vizave, janë një porosi e qartë për Qeverinë e Maqedonisë.

“Ky shtet përfundimisht duhet të heqë dorë nga politika populiste dhe të fokusohet më për së afërmi që të angazhohet për interesat e qytetarëve, si dhe të respektojë të paktën ato standarde mbi bazë të së cilave është fituar dhe e drejta e liberalizimit të vizave, pra krijimi i mirëqenies sociale”, nënvizoi Maliqi.
XS
SM
MD
LG