Ndërlidhjet

Aleanca SHBA-Britani, e domosdoshme

  • RFE /RL

Fjalimi i presidentit amerikan, në Parlamentin britanik, më 25 maj 2011.

Fjalimi i presidentit amerikan, në Parlamentin britanik, më 25 maj 2011.

Presidenti amerikan, Barak Obama, i tha Parlamentit britanik se aleanca ndërmjet SHBA-së dhe Mbretërisë së Bashkuar është e “domosdoshme” për botën, ndërsa globi përballet me “sfida të thella” në vitet e ardhshme. Më herët Obama u takua me kryeministrin David Kameron për të diskutuar detajet në lidhje me këto sfida.


Presidenti amerikan riafirmoi rëndësinë e bashkëpunimit të Uashingtonit me Mbretërinë e Bashkuar dhe me Evropën, duke u thënë të dy dhomave të Parlamentit britanik se partneriteti trans-atlantik mbetet gurthemeli i angazhimit amerikan në botë, edhe pse Uashingtoni po shikon t’i forcojë lidhjet me fuqitë në rritje si Kina e India.

Në një fjalim mbi politikën e jashtme, i cili është llogaritur nga Shtëpia e Bardhë si pjesa kryesore e vizitës së tij gjashtëditore në katër shtete evropiane, Obama tha se SHBA-ja dhe aleatët e saj kanë arritur në “një moment të rëndësishëm të historisë”, për shkak të “ndryshimeve të shpejta” dhe “sfidave” që po ndodhin në botë, duke filluar nga kriza ekonomike, terrorizmi, ndryshimet klimatike, e deri te kryengritjet arabe në Afrikën Veriore dhe në Lindjen e Mesme.

“Këto sfida vijnë në kohën kur rendi ndërkombëtar tashmë është riformatuar për një shekull të ri. Shtetet si Kina, India dhe Brazili po rriten me hapa të mëdhenj. Ne duhet ta mirëpresim këtë zhvillim, pasi që ka nxjerrë qindra miliona nga varfëria në tërë globin dhe ka krijuar tregje të reja dhe mundësi për shtetet tona. Dhe, ndërsa këto ndryshime të shpejta po ndodhin, në disa kënde është bërë modë të pyetet nëse rritja e këtyre shteteve nënkupton rënien e ndikimit amerikan dhe evropian në botë. Mbase, thotë më tutje argumenti, këto shtete përfaqësojnë të ardhmen, ndërsa koha e udhëheqësisë sonë ka kaluar. Ky argument është i gabuar”,
tha Obama.

Komentet e Obamës shënojnë herën e parë kur një president amerikan mban fjalim para dy Dhomave të Parlamentit britanik- një adresim ky, që siç tha ai, manifeston vlerat dhe traditat e përbashkëta të SHBA-së dhe Mbretërisë së Bashkuar.

“Shembulli i kombeve tona tregon se është e mundur që njerëzit të bashkohen në idealet e tyre, në vend se të ndahen për shkak të dallimeve të tyre; është e mundur që zemrat të ndryshojnë dhe urrejtja e së kaluarës të lihet anash; është e mundur që bijtë dhe bijat e ish-kolonive të ulen këtu si anëtarë të këtij parlamenti të madh dhe që nipi i një keniani që shërbeu si kuzhinier i armatës britanike, të qëndrojë para jush si president i SHBA-së”, tha Obama.

Më herët, Obama u takua me kryeministrin britanik Dejvid Kamerun ku të dy liderët riafirmuan bashkëpunimin e tyre në çështjet kryesore ndërkombëtare, si: lufta në Afganistan, operacionet e NATO-s kundër regjimit të diktatorit të Libisë Muamer Gadafit dhe mbështetja për demonstruesit pro-demokracisë në vendet e kryengritjes arabe.

Obama u zotua të rrisë presionin ndaj regjimit të diktatorit të Libisë - duke parashikuar suksesin për sulmet e NATO-s dhe duke kërkuar nga Gadafi që të japë dorëheqje.

Obama dhe Kameruni thanë se janë pajtuar në politikat në lidhje me raportet me Afganistanin dhe shtetet e kryengritjes arabe.

“Pra, presidenti dhe unë u pajtuam që do t’u qëndrojmë afër atyre që punojnë për lirinë. Ky është mesazhi që do ta përçojmë në takimin e G8-s, ku do të shtyjmë përpara një program të madh ekonomik dhe mbështetje politike për ato shtete që po i kërkojnë reformat. Për këtë arsye po mobilizojmë komunitetin ndërkombëtar që t’i mbrojë njerëzit e Libisë nga regjimi i kolonel Gadafit; përse po vazhdojmë t’i zbatojmë rezolutat e OKB-së së bashku me aleatët tanë dhe pse po e përsërisim sërish qëndrimin tonë: Është e pamundur të imagjinohet e ardhmja për Libinë me Gadafin në pushtet. Ai duhet të shkojë”, tha Kamerun.

Obama tha se edhe SHBA-ja, edhe Britania janë të përkushtuara të bëjnë gjithçka është e mundur “për t’i mbështetur ata njerëz që e duan demokracinë dhe ata liderë që zbatojnë reformat demokratike”.

“Ne do të vazhdojmë që t’i kundërshtojmë fuqishëm ata që përdorin dhunën kundër protestuesve dhe kundër çdo përpjekjeje për heshtur ata që janë të etur për lirinë, dinjitetin dhe të drejtat themelore të njeriut. Kjo është arsyeja pse po punojmë së bashku në Libi krahas partnerëve tanë të NATO-s për të mbrojtur popullin e Libisë dhe do të vazhdojmë këto operacione derisa të pushojnë sulmet e Gadafit ndaj civilëve. Koha po punon kundër Gadafit dhe ai duhet të japë dorëheqje dhe t’ia lë Libinë popullit libian”, theksoi Obama.

Ai tha se që të dy janë të përkushtuar për kalimin e përgjegjësive të sigurisë te qeveria afgane ka fundi i vitit 2014.

Gjatë diskutimeve tona ne rishikuam përparimin në Afganistan, ku ushtarakët tanë trima kanë luftuar për të mundur talibanët dhe tash po përgatitemi që të kthejmë faqen. Ne riafirmuam rëndësinë e fillimit të tranzicionit këtë vit dhe të përfundimit të tij më 2014. Ne diskutuam mundësinë që ekziston për ripajtim dhe për zgjidhje politike, që do të ishte një proces i udhëhequr nga afganët”, u shpreh Obama.

Ekziston një interesim i madh në Britani mbi planet amerikane që t’i tërheqë forcat nga Afganistani. Obama pritet që të shpallë fazën e parë të tërheqjes brenda javëve, ndërsa zyrtarët ushtarakë britanikë thanë se do t’i mbështesin vendimet e Obamës.

Britania ka rreth 10 mijë trupa në Afganistan dhe është forca e dytë atje pas SHBA-së që i ka 100 mijë trupa.

Obama tha se ai dhe Kameruni kanë folur edhe për shqetësimet mbi aksionet brutale të qeverisë kundër protestuesve pro demokracisë në Siri dhe në Jemen.

Ai përsëriti thirrjen e tij drejtuar presidentit të Jemenit Ali Abdullah Saleh që të lërë pushtetin.

Ne diskutuam edhe situatën në Siri, ku populli sirian ka treguar kurajë të madhe në kërkesat e tyre për tranzicionin demokratik. SHBA mirëpret vendimin e BE-së që të vendosë sanksione ndaj presidentit Asad dhe ne po rrisim presionin ndaj tij dhe regjimit të tij me qëllim që t’i japim fund politikës së represionit dhe të fillojmë ndryshimet, të cilat po i kërkon populli”, tha Obama.

Në Moskë, Kremlini ka lëshuar një deklaratë duke tërhequr vërejtjen se samiti i kësaj jave i G8 në Paris nuk duhet të shfrytëzohet si platformë për të rritur presionin dhe sanksionet kundër regjimeve arabe që janë partnere të Moskës.

Deklarata sinjalizoi se Rusia do të jetë zëri i vrazhdë në samitin e Parisit. Moska vazhdon të kundërshtojë sanksionet dhe përdorimin e forcës kundër aleatit të saj të kohës sovjetike, Sirisë, dhe partnerëve tjerë bilateralë.(a.i.)
XS
SM
MD
LG