Ndërlidhjet


Në një kohë kur Tirana nuk ka ende një kryetar që do të drejtojë bashkinë për katër vjetët e ardhshëm, rreth 20 ditë nga zhvillimi i zgjedhjeve lokale, analisti Lutfi Dervishi thotë se pavarësisht verdiktit të Kolegjit Zgjedhor, nuk do të ketë një fitues të qartë. Ai e lidh këtë me rezultatin e ngushtë të dy kandidatëve rivalë, Basha e Rama.

“Tashmë ne nuk kemi një fitues të qartë të zgjedhjeve lidhur në kuptimin e numrave. Çfarëdo lloj vendimi që të japë Kolegji Zgjedhor, elektorati i Tiranës është ndarë në 50 për qind me 50 për qind. Dhjetë vota plus, 80 apo 100 nuk ndajnë dot një fitore të qartë”, thotë Dervishi.

Mungesa e rezultatit, edhe për shkak të diferencës së ngushtë të rivalëve, prodhoi tension që ende nuk është shuar. Për analistin Aleksandër Çipa, Tirana dhe Shqipëria e 2011-s, nuk e meritonin këtë kthim pas, siç edhe e cilëson.

“Shqipëria nuk e meritonte një tranzicioni të tejzgjatur kohor, një ripërsëritje të një kapitulli elektoral apo politik si ky që po ndodh në Tiranë, për mandatin e ri të kryebashkiakut. Kjo është një nga kampionet më negative të zgjedhjeve që ka realizuar klasa politike shqiptare në dhjetëvjetëshin e fundit”, vlerëson Çipa.

Tashmë sytë janë kthyer te Kolegji Zgjedhor. Forcat politike, sipas Dervishit, kanë shansin të tregojnë besim tek ai, pavarësisht vendimit.

Kolegji do të vendosë të rrëzojë ose jo vendimmarrjen e KQZ-së për numërimin e fletëve të hedhura në kutinë e gabuar, të destinuara për kryetar bashkie.

Normalisht, është një Gjykatë që duhet të vendosë nëse është vepruar mirë që janë numëruar këto fletë, apo nuk është vepruar mirë. Por, thelbi i konfliktit mbetet në mënyrën se si ne protestojmë, apo se si ne i pranojmë vendimet e institucioneve edhe kur ato janë të gabuara. Do të ishte fatkeqësi në qoftë se nuk do të kishim protestë, por mënyra, vendi, koha e të protestuarit dhe njerëzit që protestojnë, këta janë problematikë. Deputetët e një force politike nuk janë grup i gatshëm për të shuar apo ndezur zjarrin në momentin që kërkohet. Dhe, ne e pamë gjatë fushatës zgjedhore që deputetët kanë prirje që të sillen si sherifë”, thekson Dervishi.

Ndërkaq, analisti Çipa analizon dy rastet që lidhen me vendimmarrjen e Kolegjit Zgjedhor, që mund të prodhojnë prej palëve mosnjohje të vendimit.

“Mosnjohja që mund të ofrojë mazhoranca është më pak problematike se mosnjohja që ofron opozita, sepse dimensioni politik i mosnjohjes së opozitës është më i madh për shkak të kapitullit të mëparshëm bojkotues dhe bllokues, të formësuar në të ashtuquajturin ngërç politik që përcolli Shqipërinë nga viti 2009 deri më 2011”, konsideron Çipa.

Ai e sheh me sy kritik këtë qëndrim të opozitës, të paradeklaruar se njeh vetëm një rezultat - atë që shpall Edi Ramën fitues. Sipas Çipës, vendi kërkon heqje dorë nga qëndrime të tipit revolucionar dhe njohje të institucioneve.

“Prirem të kritikoj opozitën për një lloj deklamativizmi paraprak që ka pasur dhe duke e përdorur një ton kërcënues dhe kondicionues për zhvillimet politike në vend, pavarësisht nga rezultati i një bashkie kryesore, siç është ajo e Tiranës”, shprehet Çipa.

Në një linjë, edhe analisti Dervishi thotë se një vendimmarrje në favor të Lulzim Bashës do të tensiononte situatën në vend. Ai u referohet deklaratave të liderit të opozitës që pranojnë, siç thotë, vetëm një lloj drejtësie.

“I gjithë debati do të jetë që një vendim i këtillë do të jetë i vështirë për t’u kapërdirë. Por, mënyra se si do të reagohet ndaj këtij vendimi, do të përcaktojë shumë se si do të jetë jeta politike në Shqipëri të paktën në dy vitet e ardhshme”, përfundon Dervishi.
XS
SM
MD
LG