Ndërlidhjet

logo-print

Partitë në Maqedoni: Pa marrëveshje, s’hyjmë në qeveri


Qeveria e Maqedonisë

Qeveria e Maqedonisë

Partitë shqiptare në Maqedoni thonë se përfshirjen e tyre në qeverinë e re do ta kushtëzojnë me marrëveshje paraprake me partinë maqedonase, që edhe premtimet e tyre të dhëna para elektoratit të jenë pjesë e programit të punës së qeverisë së re.


Partitë politike shqiptare, pa përjashtim, thonë se në qeverinë e re që do të dalë nga zgjedhjet e 5 qershorit, nuk do të përfshihen pa një marrëveshje paraprake me partinë maqedonase që do të marrë mandatin për formimin e qeverisë re.

Partitë opozitare theksojnë se një gjë e tillë imponohet nga fakti se partia që aktualisht është në pushtet, Bashkimi Demokratik për Integrim, ka dëmtuar pozicionin e shqiptarëve në Maqedoni, edhe ashtu jo të mirë, duke u bërë pjesë e Qeverisë së deritashme pa program dhe platformë të qartë politike.

Nga Partia Demokratike Shqiptare bëjnë të ditur se do të refuzojnë pjesëmarrjen në qeveri, nëse pala maqedonase nuk pranon shtyllat kryesore të platformës së saj politike dhe ekonomike.

“Platforma e PDSH-së parasheh themelimin e Parlamentit dydhomësh ose Senatit, ku do të do të vendosej me konsensus të plotë. Pra, kjo është çështja kryesore, për të cilën PDSH-ja do të insistojë pas marrjes së legjitimitetit. Shtylla e dytë ka të bëjë me ndarjen proporcionale të buxhetit. Statistikat flasin se shqiptarët në këtë buxhet kontribuojnë me 35 për qind, ndërsa iu kthehet vetëm 2 për qind. Kjo flet për eksploatimin e plotë të një populli”, thotë Agon Ferati, zëdhënës i PDSH-së.

Edhe nga partia tjetër opozitare, Demokracia e Re, pohojnë se nuk do t’i përsërisin gabimet e deritashme kur në qeveri partitë shqiptare u përfshinë vetëm për të realizuar ambiciet personale, por jo edhe realizimin e programeve të premtuara para elektoratit.

“Nuk do të pranojmë aspak që të jemi në qeveri, thjesht vetëm sa për të marrë pozicione të ministrave apo të zëvendësministrave, por kërkojmë që qeveria e ardhshme në aspektin cilësor të pranojë programet politike, të cilat ne ua ofrojmë shqiptarëve”, pohon zëdhënësi i Demokracisë së Re, Arjanit Hoxha.

Por, Abylaqim Ademi, sekretar i përgjithshëm i BDI-së, thotë se partia që ai përfaqëson, asnjëherë nuk ka hyrë në qeveri pa synime të përcaktuara qartë, që, sipas tij, kanë qenë pjesë e programit qeveritar.

Sipas Ademit, përjashtim nuk do të bëhet as pas këtij procesi zgjedhor, nëse BDI-ja ftohet të marrë pjesë në qeveri si parti fituese te shqiptarët.

“Pra, në çfarëdo lloj kombinimi që ne do të jemi në qeveri, ne do të hyjmë me marrëveshje paraprakisht të definuar, sepse ne gjithmonë kemi hyrë me marrëveshje. Pra, edhe kësaj radhe do të hyjmë dhe do të insistojmë që të kemi marrëveshje të definuar dhe në atë program qeveritar qartë të shihen edhe projektet e Bashkimit Demokratik për Integrim”, deklaron Abdylaqim Ademi.

Debatet rreth formës së përfshirjes së partive shqiptare në ekzekutiv filluan që nga viti 2006 kur në qeverinë e atëhershme u përfshi PDSH-ja, e cila nuk kishte marrë besimin e elektoratit shqiptar. BDI-ja, e cila mbeti në opozitë, akuzoi PDSH-së për uljen e peshës së votës shqiptare, pasi, sipas saj, mënyra e përfaqësimit ishte nënçmuese.

Përveç marrëveshjeve me partitë maqedonase, partitë shqiptare në disa raste kanë kërkuar votimin e qeverisë edhe me Parimin e Badinterit, apo me votim të dyfishtë, por kërkesat e këtilla janë kundërshtuar nga pala maqedonase duke e cilësuar si antikushtetuese.
XS
SM
MD
LG