Ndërlidhjet

logo-print

Beograd: Pritet vazhdimi i dëgjimit të Ratko Mlladiqit


Dëgjimi i të akuzuarit nga Tribunali i Hagës, Ratko Mlladiq, duhet të vazhdoj sot para gjyqtarit hetues të degës për krime të luftës së Gjykatës së Lartë në Beograd.

Ratko Mlladiq, që dje u arrestua nga autoritetet e Serbisë, mbrëmë ishte dërguar para gjyqtarit hetues, por dëgjimi ishte ndërprerë për shkak të, siç tha avokati i të akuzuarit, Millosh Shaliq, gjendjes së rëndë psikofizike të ish komandantit ushtarak të serbëve të Bosnjës.

Zëvendës prokurori i Serbisë për krime të luftës, Bruno Vekariq, i cili ishte i pranishëm në dëgjim, u tha gazetarëve se te gjyqtari hetues është vërtetuar identiteti i Ratko Mlladiqit dhe se ai është nën mbikëqyrje të vazhdueshme mjekësore.

Nga Tribunali i Hagës, Ratko Mlladiq, akuzohet për gjenocid dhe krime të luftës në Bosnjë Hercegovinë.

Ai u arrestua dje në mëngjes në fshatin Llazarevo afër Zrenjaninit.

Procedura e dërgimit të Mlladiqit në Hagë mund të zgjasë deri në shtatë ditë.
XS
SM
MD
LG