Ndërlidhjet

Kënaqësi e zymtë

  • RFE /RL

E përditshmja beogradase "Politika" ka bërë publike fotografinë e Mlladiqit më 26 maj, 2011.

E përditshmja beogradase "Politika" ka bërë publike fotografinë e Mlladiqit më 26 maj, 2011.

Gjykata në Beograd ka vendosur që Ratko Mlladiq të transferohet në Tribunalin e Hagës, për t'u përballur me akuzat për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Avokati mbrojtës i Mlladiqit, Millosh Shaliq, duke i informuar gazetarët me vendimin, tha se mbrojtja do ta apelojë vendimin të hënën.

Ministri i Brendshëm serb, Ivica Daçiq, hodhi poshtë informacionet që flasin për identitet të rrejshëm të Mlladiqit.

“Nuk është e vërtetë që Ratko Mlladiq ka përdorur emër të rremë. Në momentin e arrestimit, tek ai është gjetur karta e identitetit me afat të skaduar dhe po ashtu një kartë ushtarake në emrin e tij”, bëri të ditur Daçiq për mediat serbe.

Të njëjtat burime më herët kanë raportuar se Mlladiq është fshehur nën emrin Millorad Komadiq.

Arrestimi i të kërkuarit për krime kundër njerëzimit në Bosnjë është cilësuar si hap i rëndësishëm për familjet e viktimave të Mlladiqit dhe drejtësinë ndërkombëtare.

Ndonëse ky lajm ka nxitur reagime në mbarë botën, ndikimin më të madh e ka pasur në dy qytetet e prekura nga veprimet e tij – Sarajevë dhe Beograd.

Vetë presidenti serb, Boris Tadiq, tha se Serbia tashmë ka hequr “njollën nga emri i saj”. Si hap të rëndësishëm për të ardhmen e rajonit e vlerësoi edhe anëtari mysliman i presidencës trepalëshe të Bosnjës, Bakir Izetbegoviq.

Një përzierje e kënaqësisë së zymtë dhe skepticizmit vihet re në mesin e qytetarëve të Sarajevës.

Qendra memoriale Potoçari pranë Srebrenicës. Korrik, 2010.
“Do të duhej të ndodhte shumë më herët. Unë e di se Serbia ka dhënë shuma të mëdha parash për ta ndihmuar atë të fshihet”, thotë Rasema Graca.

Mirsad Efendiq, një burrë boshnjak rreth të 50-tave, thotë se arrestimi i Mlladiqit pas 15 vjetësh nuk ka ndodhur për shkak të mizorisë që ka bërë, por nga shqetësimet politike në Beograd.

“Ai u dorëzua për ata... në mënyrë që Serbia të mund t’i bashkohet sa më shpejt Unionit Evropian. Fakti se njerëzit janë vrarë, nuk shqetëson dikë”, shprehet ai.

Në Beograd pranojnë se kapja e Mlladiqit paraqet një hap të rëndësishëm në rrugën e Serbisë drejt integrimeve evropiane. BE-ja ka kërkuar në mënyrë të vazhdueshme dorëzimin e tij, si kusht për hyrjen e Serbisë në bllok.

Por, kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, Sonja Biserko, thotë se arrestimi i Mlladiqit është një pikë e rëndësishme, që shteti serb të pranojë rolin e tij në krimet e luftës.

“Ky është fundi i një pjese shumë të dhimbshme të historisë së Serbisë në 20 vjetët e fundit. Ajo çfarë është e rëndësishme për mua në këtë moment, është se ky veprim nuk është parë si diçka që është bërë vetëm me qëllim të marrjes së statusit të kandidatit për Bashkimin Evropian”.

“Unë dua ta shoh këtë si një moment të vërtetë të përballjes me të kaluarën tonë. Kjo është shumë e rëndësishme, veçanërisht për hir të të rinjve tanë, të cilët duhet të dinë se çfarë ka ndodhur në të kaluarën dhe pse ka ndodhur”,
thotë Biserko.

Mirëpo, jo të gjithë janë të kënaqur nga lajmi për arrestimin e Mlladiqit. Shumë njerëz në Serbi vazhdojnë ta shohin si një hero kombëtar.

Radovan Mihajlloviq dhe Sasha Jeftiq, banorë të kryeqytetit serb, shprehin zemërim dhe keqardhje për kapjen e tij.

“Më vjen shumë keq për komandantin tim të kohës së luftës. Ai nuk e meritoi këtë. Sipas mendimit tim, ata nuk do të duhej ta bënin këtë. Kjo është turpshme dhe patetike. Është tradhti”, thotë Mihajlloviq.

“Nuk mund të besoj, nuk di çfarë të them. Ai është njeriu ynë në fund të fundit, pavarësisht nga ajo se çfarë ka bërë”, thekson Jeftiq.

Deklaratat e tilla lënë të dyshojnë se Tadiq mund të përballet me një reagim të ashpër politik brenda vetë Serbisë.

Mlladiq, pos tjerash, akuzohet për mizorinë më të madhe të luftërave të Ballkanit në vitet '90 - Masakrën në Srebrencië - e cila ishte vrasja më masive në Evropë prej Holokaustit Nazist në Luftën e Dytë Botërore. Ai është arrestuar në fshatin Llazarevë, afër Zrenjaninit. (v.t.)

Reagimet e qytetarëve:

Trego komentet

XS
SM
MD
LG