Ndërlidhjet

Rruga e gjatë drejt integrimit


Prizren, 27 maj 2011.
Prizren, 27 maj 2011.
“Rrugëtimi për në Bashkimin Evropian kërkon një varg çështjesh nga çdokush; kërkon shumë punë në çështjet teknike që duhet të përmbushen, e gjithashtu kërkon që ne të lëvizim përpara, me një orientim të përbashkët politik me tërë Bashkimin Evropian”, tha gjatë qëndrimit të saj në Kosovë shefja e diplomacisë evropiane, Kethrin Eshton. Në agjendën e takimeve të saj në vend ishin ai me kryeministrin Hashim Thaçi, me ministrin e Jashtëm Enver Hoxhaj, me shefen e ekipit kosovar në bisedimet me Beogradin, Edita Tahiri, dhe me kreun e EULEX-it, Ksavier de Marnak.


Në vizitën e saj të dytë në Kosovë, përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Kethrin Eshton, shfaqi shpresën që brenda BE-së të gjenden mënyra, të cilat do t’i mundësonin Kosovës dhe Serbisë të zhvillojnë marrëdhënie mes vete, me qëllim të integrimit në BE.

Edhe pse theksoi se do të varet nga Prishtina e Beogradit që, në kuadër të dialogut, të gjejnë marrëveshje për çështjet praktike, Eshton tha se Bashkimi Evropian do ta ketë pjesën më të rëndësishme kur bëhet fjalë për jetësimin e perspektivës evropiane për të dyja palët.

“Mendoj se duhet të kemi një perspektivë paraprake për Kosovën dhe një në të cilën do ta shohim Bashkimin Evropian të luajë pjesën më të rëndësishme”, tha Eshton pas takimit që zhvilloi në Prizren me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi.

Ky i fundit tha se gjetja e zgjidhjeve ndërmjet palës kosovare e asaj serbe duhet të bëhet sipas një modeli evropian, ndërsa u zotua për përgjegjshmërinë e palës kosovare.

“Ne do të vazhdojmë të jemi shumë të përgjegjshëm dhe kreativë, në mënyrë që çështjet që janë ende për t’u zgjidhur, të zgjidhen sa më shpejt”, u shpreh Thaçi.

Takimi me kreun e ekzekutivit kosovar u zhvillua një ditë pas vizitës në Serbi të shefes së diplomacisë evropiane, që përkoi me arrestimin e ish-gjeneralit serb gjatë luftës në Bosnjë, Ratko Mlladiq.

Ndonëse, ditë më parë, e cilësoi si ripërtëritje të energjisë së Serbisë në rrugën drejt BE-së, Eshton tha se integrimi në këtë mekanizëm do të varet nga më shumë çështje.

Arrestimi i djeshëm i zotit Mlladiq është një moment i rëndësishëm për Serbinë dhe, siç e dini, e urova presidentin Tadiq për këtë kur isha atje. Mirëpo, rrugëtimi për në Bashkimin Evropian kërkon një varg çështjesh nga çdokush; kërkon shumë punë në çështjet teknike që duhet të përmbushen, e gjithashtu kërkon që ne të lëvizim përpara me një orientim të përbashkët politik me tërë Bashkimin Evropian”.

“Mendoj se kjo është kuptuar në Serbi dhe është kuptuar edhe këtu. Ajo që dua të bëj, është të punoj për të siguruar se do të gjejmë një mënyrë për të mirëpritur, në mënyrën më të mirë të mundshme, Kosovën dhe Serbinë në Bashkimin Evropian”,
theksoi Eshton.

Kryeministri Thaçi shprehu bindjen se e ardhmja e Serbisë do të varet nga sjellja e saj karshi Kosovës.

“E ardhmja evropiane e Serbisë nuk varet dhe nuk lidhet me emrin e Ratko Mlladiqit, por me sjelljen evropiane të Serbisë në raport me Kosovën”, tha Thaçi, duke ritheksuar përkushtimin e institucioneve kosovare në drejtim të përmbushjes së kritereve për integrim në BE.

Megjithatë, Thaçi vlerësoi se Kosovës, si vendi i fundit që ka dalë nga ish-Jugosllavia, do t’i duhet kohë për të përmbushur kriteret, të cilat i kanë përmbushur tashmë vendet e tjera në rajon.

Pjesë e kushteve për integrim në BE është sundimi i ligjit, rëndësinë për të cilin e theksoi Eshton pas takimit me kreun e misionit evropian për sundimin e ligjit në Kosovë, Ksavier de Marnak.

“Është jashtëzakonisht e rëndësishme që të gjithë ne ta mbështesim misionin, siç bëjmë ne në Bashkimin Evropian, dhe të njohim rëndësinë e punës që është duke u bërë”, u shpreh Eshton.

EULEX-i pritet të ndihmojë autoritetet kosovare në jetësimin e zgjidhjeve që do të gjenden brenda dialogut Prishtinë-Beograd. Ky proces, i cili nisi në muajin mars me ndërmjetësimin e evropianit Robert Kuper, ende nuk ka prodhuar ndonjë marrëveshje konkrete - marrëveshje këto, të cilat, sipas paralajmërimeve të shefes së delegacionit kosovar, Edita Tahiri, do të bëhen në pako.
XS
SM
MD
LG