Ndërlidhjet

Gjykata vendos pro ekstradimit të Mlladiqit


Gjykata në Beograd ka vendosur që Ratko Mlladiq të transferohet në Tribunalin e Hagës që të përballet me akuzën për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Avokati mbrojtës i Mlladiqit, Millosh Shaljiq, duke i informuar gazetarët me vendimin, ka thënë se mbrojtja do ta apelojë vendimin të hënën.

“Gjykatësi i ka informuar palët, prokurorinë, të paditurinë, mua, se mjekët kanë arritur në përfundim se ai është në gjëndje që të përballet me procesin. Unë, personalisht, mendoj se ai nuk është në gjendje dhe se gjatë gjithë seancës dëgjimore, ai ka treguar shenja tërësisht të kundërta me ato që kanë thënë mjekët”, tha Shaljiq.

Mlladiqi u arrestua të enjten në një fshat në veri të Beogradit, pas 15 vitesh në arrati.

Seanca e parë dëgjimore është suspenduar të enjten pasi avokati i tij ka thënë se Mlladiq nuk është në gjendje të komunikojë për shkak “të gjendjes së tij të rëndë fizike”.

Akuza kundër Mlladiqit përfshinë akuzën për gjenocid në masakrën 8 mijë burrave dhe djemëve të rinj boshnjak në Srebrenicë, në vitin 1995. Ky krim ishte konsideruar më i rëndi në Evropë që prej përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.

Djali i Ratko Mlladiqit ka thënë se i ati ka pasur dy sulme në zemër derisa ka qenë në arrati, dora e djathtë e tij është pjesërisht e paralizuar dhe mezi flet.
XS
SM
MD
LG