Ndërlidhjet

Jahjaga në darkë me Obamën

  • RFE /RL

Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga dhe ai amerikan Barak Obama

Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga dhe ai amerikan Barak Obama

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, së bashku me liderë të vendeve të Evropës Qendrore, ka marrë pjesë në një darkë që është udhëhequr nga presidenti amerikan, Barak Obama, si pjesë e Samitit të Varshavës.

Fjalimin e saj gjatë kësaj darke, Jahjaga, e ka nisur me një historik të shkurtër që nga shpërbërja e Jugosllavisë, e deri te pavarësimi i Kosovës. Jahjaga ka folur për njohjet e pavarësisë së Kosovës dhe rolin e rëndësishëm në veçanti të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Dëshiroj këtu të them se vendet që ende nuk e kanë njohur Kosovën, duhet ta bëjnë këtë, sepse kjo do të ishte në harmoni me vullnetin e shprehur lirshëm të të gjithë qytetarëve të vendit tim dhe do t’i shërbente stabilitetit të rajonit. Vendi im gjeografikisht gjendet në rrugët dhe korridoret më të rëndësishme nga lindja në perëndim”, ka thënë Jahjaga.

Presidentja e Kosovës në fund të pjesës së parë ka thënë se “e ardhmja e Kosovës dhe e gjithë rajonit të Ballkanit është anëtarësimi në Bashkimin Evropian dhe kjo nuk ka alternativë”.

Më pas, Atifete Jahjaga, mund të thuhet se është bërë e para udhëheqëse e lartë e Kosovës që ka shprehur mendimin e saj rreth të ashtuquajtures “pranvera arabe”, që deri më tash në disa vende të Lindjes së Mesme ka hequr nga pushteti disa diktatorë.

Presidentja e Kosovës, duke kujtuar se mbi nëntëdhjetë përqind e popullatës së Kosovës është myslimane me shekuj të tërë, ka thënë se përvojat e popullit kosovar mund të shërbejnë që rruga drejt një jete më të mirë për popujt e Lindjes së Mesme të jetë më e lehtë.

Ndonëse fillimisht ka sqaruar se islami në Kosovë nuk është i imponuar pasi sipas saj, kjo fe në vendin tonë është “raporti i individit me Zotin, dhe jo i individit me shtetin”, presidentja Jahjaga ka thënë se Kosova i përket civilizimit evropian.

Duket se për të dëshmuar edhe më shumë këtë, presidentja e parë femër e Kosovës ka thënë se ajo e ka “mbështetjen nga i gjithë spektri politik dhe nga të gjithë qytetarët, pa marrë parasysh përkatësinë kombëtare, fetare, racore a dallime të tjera.

Presidentja Atifete Jahjaga ka shtuar se, vendet demokratike duhet ndihmuar lëvizjet e tilla popullore pasi gjithmonë ekziston rreziku, siç ka ndodhur me Iranin, të sjellin në pushtet teokratët.

“Ne, bota demokratike, asnjëherë nuk duhet t'i mbyllim sytë ndaj injorancës, ndaj shtypjes, ndaj mohimit të të drejtave dhe lirive të njeriut në pjesën tjetër të botës. Solidariteti dhe detyra për të ndihmuar janë obligim yni, sepse Zoti të gjithëve na krijoi të barabartë dhe sipas shëmbëlltyrës së vet”, ka përfunduar fjalimin e saj presidentja e Kosovës, gjatë darkës që së bashku me liderët pjesëmarrës në Samitin e Varshavës, ka pasur me presidentin e SHBA-ve, Barak Obama.(a.h.)

Trego komentet

XS
SM
MD
LG