Ndërlidhjet

Çka do të ndodhë me pagesat për kujdestari?


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Shërbyesit shëndetësorë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës kanë reaguar disa herë kundër vendimit që parasheh pagesa më të vogla për kujdestaritë. Këtë urdhëresë e kishte lëshuar ushtruesi i detyrës së drejtorit të QKU-së, muaj më parë në bazë të së cilës pagesa e kujdestarive të bëhet në përputhje me Ligjin e punës. Sipas zyrtarëve institucionalë, me nënshkrimin e kontratës sektoriale midis Ministrisë së Shëndetësisë dhe Federatave të Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës (FSSHK), që rregullon marrëdhëniet midis punëdhënësve dhe punëmarrësve në sektorin e shëndetësisë, çështja e pagesës së kujdestarive do të rregullohet.


Pagesat e mjekëve kujdestarë për muajin mars dhe prill kanë rënë nga 17 euro në 11, ndërsa infermierët kanë marrë vetëm 4 euro dhe jo 11, siç ishte deri më tash.

Zyrtarë në Ministrinë e Shëndetësisë patën deklaruar se janë duke punuar në një udhëzim administrativ që do të shkojë në favor të stafit shëndetësor, në mënyrë që ky i fundit të mos dëmtohet në pagë.

Ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, tashmë ka marrë vendim për të nënshkruar kontratën sektoriale midis institucionit që ai udhëheq dhe Federatës së Shëndetësisë, në mënyrë që punëtorët shëndetësorë të mos dëmtohen financiarisht.

Ferid Agani

“Ju e keni parë se muajt e fundit ka pasur paqartësi në këtë aspekt, Ligji i punës ka rregulluar orarin e punës njëlloj për të gjithë punëtorët dhe s’ka pasur mundësi t’i adresojë specifikat e punës në shëndetësi dhe ka pasur oscilime të shumta në pagesat e punëtorëve shëndetësorë që kanë qenë me vite të tëra të një niveli”.

“Këtë do ta rregullojmë me një dimension të veçantë, të kontratës dhe konkretisht një infermiere në QKUK do të paguhet për ndërrimin gjatë natës 12-13 euro, kurse një mjek specialist në QKUK rreth 35 euro kujdestari për punën gjatë 24 orëve”, bën të ditur Agani.

Në anën tjetër, Blerim Syla, kryetar i Sindikatës së Shëndetësisë thotë për Radion Evropa e Lirë se me nënshkrimin e kësaj kontrate ndërmjet këtyre dy institucioneve, do të rregullohet mirëqenia dhe të drejtat e punëtorëve.

“Është një akt nënligjor i Ligjit të punës që e rregullon sektorin e shëndetësisë në mënyrë të veçantë dhe me këtë rregullohet edhe mirëqenia dhe të drejtat e punëtorëve nga punëmarrësi dhe punëdhënësi që do të shihet në ditët në vijim. Ndërkaq, është rregulluar çështja e kujdestarive që ka qenë problematike këto ditë”, thotë Syla.


Ndërkaq, ministri Agani thotë se kjo kontratë kolektive paraqet një lëvizje të suksesshme dhe një parakusht për reforma të suksesshme në shëndetësi që kanë për qëllim shërbime më kualitative për qytetarët e vendit.

“Besoj që po e kuptoni strategjinë e veprimit tim politik dhe është e qartë se proceset e reformave që i kemi para janë të thella dhe kërkojnë angazhim e mbështetje të madhe, si në nivelin politik, ashtu edhe në mesin e punonjësve shëndetësorë dhe kërkohet mirëkuptim edhe nga punonjësit shëndetësorë për këtë proces. Kjo kontratë kolektive në këtë aspekt paraqet një lëvizje të suksesshme dhe një parakusht për reforma të suksesshme në shëndetësi, që kanë vetëm një qëllim - shërbime sa më kualitative për qytetarët e vendit”, thekson Agani.

Ndërkaq, kujdestaritë e muajve paraprak, për të cilat punëtorët shëndetësorë nuk janë paguar, Syla shpjegon se do t’u kompensohen në muajt në vijim.
Dy muaj punëtorët nuk i kanë marrë të hollat, por ato do t’u kompensohen.


“Dy muaj punëtorët nuk i kanë marrë të hollat, por ato do t’u kompensohen. Kontrata kolektive që ne tashmë e kemi nënshkruar, mendoj se është alfa dhe omega, e po ashtu edhe një kanun për një sektor të veçantë, e posaçërisht për shëndetësinë që ka shumë nevojë”, shpjegon Syla.

Ligji për shëndetësi i obligon punonjësit shëndetësorë që të ofrojnë shërbime 24 orë, nëpërmjet punës së organizuar në ndërrime, në shërbimet e emergjencës dhe rregullimin e çështjeve të tjera që dalin nga obligimi i Ligjit të punës.
XS
SM
MD
LG