Ndërlidhjet

Abdixhiku: Qeveria nuk po e lufton korrupsionin


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Niveli i lartë i korrupsionit në institucionet publike po pengon ardhjen e investitorëve të huaj në Kosovë, thonë njohës të rrethanave ekonomike. Sipas tyre, ekzekutivi i vendit, këtij fenomeni duhet t’i shpallë luftë në praktikë, e jo me reagime retorike.


Prania e lartë e korrupsionit në institucionet kosovare po i frikëson investitorët e huaj që kapitalin e tyre të shfrytëzojnë në Kosovë, thonë njohës çështjeve ekonomike.

Lumir Abdixhiku, drejtor ekzekutiv në Institutin “Riinvest”, thotë se ekzistenca e kësaj dukurie, ka bërë që viteve të fundit të ketë rënie të investimeve të jashtme në Kosovë. Ai thekson se pa investime ndërkombëtare, nuk do të ketë zhvillim të përgjithshëm ekonomik të vendit.
Lumir Abdixhiku

“Mos të harrojmë se Kosova është e ranguar në top 10-shin e fundit sa i përket mbrojtjes së investitorëve. Dhe, mbrojtja e investitorëve lidhet drejtpërdrejt me praninë e madhe të korrupsionit dhe paaftësinë e vendit për ta atakuar këtë fenomen negativ. Kështu, nuk besoj se ka një ide dhe konkluzion tjetër, se çdo fenomen korruptiv, jo vetëm që i largon investitorët, por i tmerron ata nga ky vend”, thotë Abdixhiku.

Shqetësime për ekzistimin e një shkalle të lartë të korrupsionit në Kosovë kanë paraqitur një varg organizatash ndërkombëtare. Sipas Abdixhikut, këto raporte rrisin pasigurinë e investitorëve potencialë.

“Një investitori i huaj, kur e sheh një raport të tillë dhe një rangim të tillë për Kosovën, nuk ka asnjë arsye të vetme që të vijë në Kosovë, sidomos kur të gjitha vendet e rajonit janë shumë më përpara se sa Kosova”.

“Unë besoj se çdo investitor do të preferonte më shumë Maqedoninë, Shqipërinë, Malin e Zi , madje edhe Serbinë para Kosovës, për shkak të nivelit të korrupsionit dhe fenomeneve tjera të një ambienti të rënduar biznesor
”, shprehet Abdixhiku.

Në anën tjetër, Mustafa Hasani, kryeshef në Agjencinë për Promovimin e Investimeve në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, thotë se gjatë takimeve të drejtpërdrejta, investitorët potencialë nuk e kanë përmendur korrupsionin si problem kryesor. Por, Hasani nuk e mohon faktin se kjo dukuri është pengesë për investitorët ndërkombëtarë.
Por, momenti kur ata investitorë e kanë vizituar Kosovën, ka qenë befasi e madhe se shumica prej tyre e kanë ndryshuar konceptin, gati në nivelin më të lartë pozitiv për Kosovën.

“Nga përvoja ime për vitin e kaluar, kam parë se shumë investitorë të huaj, që nuk kanë qenë asnjëherë në Kosovë, dhe ata, të njëjtit, kanë shfrytëzuar mediat elektronike, apo ndoshta kanë hapur ueb-faqe duke kërkuar informacione për Kosovën, nuk kanë pasur perceptim pozitiv për vendin. Por, momenti kur ata investitorë e kanë vizituar Kosovën, ka qenë befasi e madhe se shumica prej tyre e kanë ndryshuar konceptin, gati në nivelin më të lartë pozitiv për Kosovën”, thekson Hasani.

Sidoqoftë, për të krijuar një ambient të sigurt për investitorët e huaj, Lumir Abdixhiku thotë se duhet të ekzistojë vullneti i ekzekutivit, që korrupsionit t’i shpallet luftë në praktikë, e jo me reagime retorike.

“Me të vërtetë e kuptojmë se lufta kundër korrupsionit është vetëm me fjalë dhe dukemi shumë mirë në deklaratat tona kur themi se kemi zero tolerancë ndaj korrupsionit. Ndërkaq, e vërteta është se korrupsion ka në çdo segment të institucioneve publike. Do të thotë nuk shoh se Qeveria ka vullnet ta luftojë korrupsion më tutje, sesa përtej deklarimeve, ose pse nuk ka kapacitete, ose pse një pjesë e madhe e institucioneve publike është vetë gjenerator i korrupsionit”, vlerëson Abdixhiku.

Ndryshe, vitin e kaluar ka pasur rritje të investimeve ndërkombëtare, krahasuar me vitet e kaluara. Sipas Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, investimet e jashtme gjatë 2010-s kanë qenë 314 milionë euro, krahasuar me vitin 2009, kur investimet ishin 291 milionë euro.
XS
SM
MD
LG