Ndërlidhjet

Obama përfundon sot turin një javor në Evropë


Presidenti amerikan, Barak Obama, është takuar me Presidentin e Polonisë, në ditën e fundit të turneut evropian të tij.

Presidenti polak, Bronislav Komorovski, e ka përshëndetur Obamën në pallatin presidencial, në një ceremoni formale.

Të dy liderët janë takuar që të diskutojnë çështje që kanë të bëjnë me demokracinë dhe sigurinë. Përpos temave tjera që pritet të diskutohen gjatë vizitës së Obamës, është edhe marrëveshja për vendosjen e disa aeroplanëve amerikan, F-16, në bazën ajrore polake si dhe roli i Polonisë në mbrojtjen raketore polake.

Çështjet e energjisë gjithashtu janë në agjendë pasi një raport amerikan ka thënë se Polonia ka gaz të mjaftueshëm për nevojat e saj gjatë 300 viteve të ardhshme.

Mbrëmë vonë, Presidenti amerikan e ka udhëhequr një darkë pune me liderë të shteteve të Evropës Qëndrore, ku ndër të tjerë ka marrë pjesë edhe Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga.

Turneu gjashtë ditor i Obamës në Evropë përfshinte vizita edhe në Irlandë, Angli dhe Francë.

Kthimi i Presidentit Obama në Uashington pritet të bëhet të shtunën në mbrëmje.
XS
SM
MD
LG