Ndërlidhjet

NYT: Arrestimi i Mlladiqit - shkëputje nga e kaluara


Ratko Mlladiq në vitin 1993...

Ratko Mlladiq në vitin 1993...


"New York Times"

Një ndërtesë e gjatë, që shërbente si seli e partisë politike të të ndjerit Sllobodan Millosheviq, e bombarduar nga raketat amerikane në luftën e Kosovës, në vitin 1999, tash e mbuluar me qelq të kaltër dhe të gjelbër, është privatizuar dhe rindërtuar.

Para vitit 1990, në këtë ndërtesë ishte i vendosur Komiteti Qendror i Partisë Komuniste, ndërsa tash në të ndodhen zyre, përfshirë Bankën Perëndimore dhe një qendër tregtare moderne.

Kjo ndërtesë është një lloj metafore për lëvizjen e fuqishme të Serbisë kah riintegrimi në Evropë dhe në Perëndim, e, po ashtu, për tranzicionin e dhembshëm dhe jokomplet të saj. Shitja e ndërtesës ishte konsideruar nga shumë se ishte korruptuese - dhuratë politike për një mik të ish-kryeministrit, Zoran Gjingjiq.

Ekstradimi i pashmangshëm i zotit Mlladiq për t’u ballafaquar me akuzat për gjenocid, për Serbinë paraqet fillim kërcyes të kërkesës për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian.

Kjo mund t’i shpaguhet politikisht zotit Tadiq, i cili e riorganizoi inteligjencën dhe e vuri policinë në gjueti në gjithë vendin për Ratko Mlladiqin, në përpjekje të largimit të barrierës për anëtarësim.

Por, për shumë serbë që kanë probleme me ekonomi shumë të dobët dhe me shkallë të lartë të papunësisë, që është afër 20 për qind, arrestimi i Ratko Mlladiqit është një moment i përzier, madje edhe i parëndësishëm për të ardhmen e tyre të afërt.

Aleksandar Mitiq nga Qendra për Alternativa Strategjike në Beograd, thotë se zoti Tadiq do të ketë shtytje nga arrestimi i Mlladiqit dhe hapa pasues nga Bashkimi Evropian, por ndoshta ato nuk do të bëjnë diferencë të madhe zgjedhore, pasi serbët janë të goditur fuqishëm nga kriza ekonomike dhe nuk janë të kënaqur për shkak të koncesioneve të mëtejshme ndaj Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian.

Prandaj, derisa Serbia ka lëvizur më afër Perëndimit, duke i përmbushur kërkesat për ndëshkim për krimet në luftërat ballkanike, mbetet e ndarë në çështjet madhore për Evropën: Bosnja dhe Kosova, që kishte nxitur bombardimin e Serbisë nga NATO-ja.

Për Kosovën, Serbia e kundërshton fuqishëm pavarësinë e shtetit, për të cilin juridikisht konsideron se është provincë e Serbisë.

Ndërsa, në Bosnjë, Serbia e mbështet Republikën Serbe, entitetin serb brenda Bosnjës, për ta ruajtur autonominë e fuqishme.

Këto tensione nacionaliste i kanë bërë disa ekspertë perëndimorë, për të paraqitur shqetësime se po shkatërrohet Marrëveshja e Dejtonit, e cila e mbylli luftën në Bosnjë, ku zoti Mlladiq, ishte komandant serb i Bosnjës.

Zoti Tadiq ka bërë disa përparime simbolike, veçanërisht në Kosovë. Ai i ka filluar bisedimet me Qeverinë e Kosovës, në muajin shkurt, të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.

Përderisa bisedimet po i mbulojnë çështjet teknike të supozuara, siç është për shembull ajo nëse Beogradi do t’i njohë pullat postare të Kosovës, auto-targat dhe dokumentet tatimore, për shumë në opozitën e zëshme të Serbisë, kjo është rrëshqitje e heshtur kah njohja e pavarësisë së Kosovës.

Sa i përket arrestimit të Ratko Mlladiqit, i cili ishte mbajtur fshehtë në një shtëpi të një kushëriri të tij, serbët janë disi ambivalentë.

Për disa, arrestimi është triumf i pastër. Sonja Licht, aktiviste e mirënjohur për demokraci dhe kryetare e Këshillit të Punëve të Jashtme në Ministrinë e Jashtme, thotë se “beson se është demonstruar vullneti politik për t’u liruar nga e kaluara, për ta mbyllur atë kaptinë, për ata që jo vetëm dëshirojnë të ballafaqohen me të kaluarën, por dëshirojnë që Serbia të jetë vend modern e demokratik evropian”.

Sipas saj, “me Mlladiqin e lirë, ne nuk mund ta bëjmë këtë”.

Por, të tjerët e shohin një situatë të përzier.

“Për shumë njerëz, Mlladiqi ishte simbol, pothuajse mit, i konsideruar si hero, e po ashtu edhe kriminel”, thotë hulumtuesi i opinionit, Sërgjan Bogosavleviq.

Ai thekson se për serbët “Gjykata në Hagë është ekstremisht jo e popullarizuar dhe perceptohet si joefikase dhe si institucion politik kundër serbëve”.

Sipas tij, “ajo që është e rëndësishme për njerëzit është se si të mbijetojnë prej muajit në muaj”.

Sipas hulumtimeve të opinionit, Ratko Mlladiq nuk është në krye të shqetësimeve të njerëzve në Serbi, ndërsa statusi i Kosovës shpeshherë është. (f. b.)
XS
SM
MD
LG