Ndërlidhjet

Të mbrohen dëshmitarët për korrupsion


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Nuk mund të ketë sundim të ligjit, e as luftë kundër korrupsionit e krimit të organizuar, në qoftë se nuk parashihet që edhe kjo kategori të jetë e mbrojtur, vlerësuan përfaqësues të organizatave për mbrojtjen e të drejtave të njeriut në Kosovë. Komenti i tyre pason miratimin në parim të projektligjit për mbrojtjen e dëshmitarëve nga Kuvendi i Kosovës.


Përfaqësues të organizatave dhe institucioneve për mbrojtjen e të drejtave të njeriut i bënë thirrje Kuvendit të Kosovës që ta specifikojë projektligjin për mbrojtjen e dëshmitarëve.

Ata thanë se ligji në fjalë duhet t’i klasifikojë dëshmitarët në bazë të fushave, për të cilat ata dëshmojnë dhe të caktojë masat e nevojshme për mbrojtjen e tyre.

Drejtori ekzekutiv i Këshillit për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut, Behxhet Shala, theksoi rëndësinë që Ligji për mbrojtjen e dëshmitarëve, përveç mbrojtjes së dëshmitarëve për krime lufte, të përfshijë mbrojtjen edhe të atyre që dëshmojnë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Nuk mund të ketë luftë kundër korrupsionit e krimit të organizuar në qoftë se nuk parashihet që edhe kjo kategori të jetë e mbrojtur.


“Është dashur t’i jepet prioritet miratimit të Ligjit për mbrojtjen e dëshmitarëve dhe t’u jepet përparësi dëshmitarëve që janë për krime lufte e krime kundër njerëzimit. Nuk mund të ketë luftë kundër korrupsionit e krimit të organizuar në qoftë se nuk parashihet që edhe kjo kategori të jetë e mbrojtur”, tha Shala.

Sugjerimi i tij vjen një ditë pas miratimit në parim të projektligjit për mbrojtjen e dëshmitarëve nga Kuvendi i Kosovës. Ligji, i cili për herë të parë, u shqyrtua në legjislativin e vendit të premten, parashihet të hyjë në fuqi 1 vit pas miratimit.

Mirëpo, Shala tha se për zbatimin e tij në praktikë do të jetë e nevojshëm një plan i caktuar financiar.

Ligji ende nuk ka kosto financiare. Ata e kanë bërë një përllogaritje, sipas së cilës, për katër dëshmitarë të mbrojtur do të shpenzoheshin diku 112 mijë euro. Thjesht, duhet të bëhet një përllogaritje dhe duhet të merren parasysh përvojat e vendeve nga rajoni”, theksoi Shala.

Përveç përvojave të shteteve në rajon, do të jetë e nevojshme që ligji në fjalë të jetë në harmoni dhe me konventat dhe parimet ndërkombëtare për mbrojtjen e dëshmitarëve, vlerësoi Avokati i Popullit i Kosovës, Sami Kurteshi. Ai shfaqi shpresën që me zbatimin e këtij ligji të shënohet një hap përpara në mbrojtjen e të drejtave të njeriut në vend.
Fatkeqësisht, të drejtat e njeriut nuk janë kulturë e përhapur në Kosovë dhe nuk janë një fenomen që është i pranishëm edhe në shoqërinë në Kosovë.


“Fatkeqësisht, të drejtat e njeriut nuk janë kulturë e përhapur në Kosovë dhe nuk janë një fenomen që është i pranishëm edhe në shoqërinë në Kosovë. Prandaj, institucionet nuk bëjnë përjashtim, por një ligj i tillë sigurisht se e përmirëson”, tha Kurteshi.

Që nga paslufta, mbrojtja e dëshmitarëve në Kosovë është bërë nga një njësit i administratës së Kombeve të Bashkuara, ndërsa aktualisht dëshmitarët mbrohen nga misioni evropian për sundimin e ligjit.

Rëndësia për krijimin e një ligji, me të cilin do të përcaktohej mbrojtja e dëshmitarëve në Kosovë, thuhet se doli në pah sidomos pas raportit të fundit të përfaqësuesit të Këshillit të Evropës, Dik Marti.

Lexoni edhe këtë:
Hapat e parë në mbrojtjen e dëshmitarëve
XS
SM
MD
LG