Ndërlidhjet

Shqipëri: Akuza të ndërsjella PD – PS


Lulzim Basha dhe Edi Rama

Lulzim Basha dhe Edi Rama

Debati për Bashkinë e Tiranës po vazhdon. Kryetari i Grupit kuvendor, socialist Gramoz Ruçi, ka ofruar fakte që, sipas tij, dëshmojnë manipulim të shifrave nëpërmjet hedhjes së votave në kuti.

Kjo, sipas Ruçit, ka ndodhur në fund të procesit zgjedhor, duke sjellë për pasojë që në disa qendra numri i votave të jetë më i madh sesa numri i votuesve në atë qendër.

Ruçi ka thënë se bëhet fjalë për të paktën 357 vota më shumë sesa që ka zgjedhës në Tiranë.

“Komenti ynë për rezultatin e KQZ-së, me një vështrim empirik dhe me pak sekonda kuptohet lehtë se të legjitimosh vendimin e marrë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të thotë të shtosh në numrin e votave për kryetar bashkie të Tiranës plot 357 vota më tepër sesa votues. Që në këtë moment kuptohet se rezultati është i manipuluar nga KQZ-ja pa asnjë lloj justifikimi”, ka thënë Ruçi.

Lidhur me këtë çështje, ka reaguar Partia Demokratike nëpërmjet zëdhënëses Albana Mustafaraj:

“Ftoj qytetarët shqiptarë t’i shtrojnë vetëm një pyetje zotit Rama. Pse ju nuk i ngritët këto probleme në afatin kohor të ankimeve në KZAZ apo në KQZ, prej 144 orësh, apo pritët që këto ankesa t’i bëjë Partia Demokratike?! Nga data 8 maj e deri më sot nuk ka shqipëruar qoftë edhe për një herë të vetme fjalën rinumërim votash, ndonëse nuk ka asnjë vendim gjykate për zgjedhjet vendore të vitit 2011, ai nuk guxon dot ta thotë këtë fjalë, sepse e di që çdo proces vetëm thellon humbjen e tij”.

Kështu, përplasjes PS-PD për numërimin e votave të hedhura në kutinë e gabuar i është shtuar një pretendim i ri i socialistëve për vota të falsifikuara që ka rritur artificialisht, sipas saj, numrin e zgjedhësve.

Ndërkohë, përfaqësues të PD-së kanë kërkuar nga KQZ-ja numërimin edhe të votave të kontestuara, veç atyre që ishin hedhur në kutinë e gabuar.

Këto vota Partia Demokratike kërkon t’i reflektojë në rezultatin përfundimtar të Tiranës.

Rreth rezultatit të Tiranës në KQZ është ankuar edhe Partia Socialiste çështje këto që pritet të shqyrtohen në mbledhjen e ditës së hënë.
XS
SM
MD
LG