Ndërlidhjet

Jankullovska: Opozita zgjodhi rrugën e shantazhit


Gordana Jankulovska

Gordana Jankulovska

Kundërshtarët tanë politikë, kanë zgjedhur rrugë tjetër, atë të shantazheve, por qytetarët mendoj se janë mjaft të ndërgjegjshëm, të cilët, siç e kam thënë edhe më parë, nuk duhet të nënçmohen, pasi mandati apo forca që fitojnë politikanët, vjen nga qytetarët, tha për Radion Evropa e Lirë Gordana Jankullovska, ministre e Punëve të Brendshme e Maqedonisë dhe anëtare e Komitetit Ekzekutiv të VMRO-DPMNE-së.



RADIO EVROPA E LIRË
Si i komentoni shqetësimet në rritje lidhur me tensionet dhe incidentet gjatë kësaj fushate parazgjedhore që po zhvillohet në Maqedoni?

GORDANA JANKULLOVSKA
Fillimisht, më duhet të them se zgjedhjet do të kalojnë në atmosferë të qetë, fer dhe demokratike. Ne, jemi të vetëdijshëm se që ditën e shpalljes së zgjedhjeve, por edhe para saj, në opinion në vazhdimësi u përhapën spekulime apo kalkulime të caktuara se gjoja do të ndodhin skenarë të ngjashëm me ata në Tunizi apo Egjipt.

Spekulime të tilla më së shumti dëgjojmë nga opozita, megjithatë si ministre e Punëve të Brendshme, duke e ditur se çfarë kemi bërë deri më tani dhe cilat janë planet tona për periudhën që vjen, dëshiroj t’i siguroj qytetarët se do të kenë mundësinë që vullnetin e tyre në zgjedhje ta shprehin në atmosferë të qetë dhe demokratike, dhe se nuk duhet të provokohen nga spekulimet e tilla që kanë për qëllim futjen e frikës.

RADIO EVROPA E LIRË
Po, si i komentoi atëherë vlerësimet e raportit të fundit të OSBE-së se në fushatën e deritashme janë regjistruar tensione të mëdha ndërmjet dy partive më të mëdha, VMRO-DPMNE dhe LSDM?

GORDANA JANKULLOVSKA
Unë nuk do të doja të komentoja një raport, i cili nuk është përfundimtar, pasi ai do të publikohet në përfundim të zgjedhjeve. Megjithatë, është e natyrshme që të ketë frymë garuese gjatë fushatës. Ne gjatë fushatës japim llogari për atë që është bërë, por prezantojmë edhe atë që kemi në plan të bëjnë gjatë katër vjetëve të ardhshëm. Ne ofrojmë 1200 projekte, që duhet të realizohen në afate të caktuara.

Kundërshtarët tanë politikë, kanë zgjedhur rrugën tjetër, ata kanë zgjedhur rrugën e shantazheve, të etiketimeve, fyerjeve, spekulimeve, por qytetarët mendoj se janë mjaft të ndërgjegjshëm, të cilët, siç e kam thënë edhe më parë, nuk duhet të nënçmohen, pasi mandati apo forca që fitojnë politikanët, vjen nga qytetarët.

RADIO EVROPA E LIRË
Kohëve të fundit janë publikuar afera për presione ndaj punonjësve të administratës që të votojnë VMRO-DPMNE-në. A do të sanksionohen njerëzit që i frikësojnë punonjësit shtetërorë?

GORDANA JANKULLOVSKA
Ne jemi dëshmitarë se një nga partnerët e koalicionit të LSDM-së, Televizioni A1, doli me disa lista fiktive, megjithatë si përfaqësuese e një institucioni serioz, si ministre e Punëve të Brendshme, them se deri më sot askush nuk ka denoncuar raste të presioneve të tilla, përveç rastit me nënkryetarin e LSDM-së, Zoran Zaev, i cili, nga çdo anëtar i partisë së tij ka kërkuar që të sigurojë nga 10 vota.

Në kontest të këtij manipulimi me punonjësit e administratës, nuk ekziston asnjë konfirmim apo çfarëdo qoftë dëshmie që do të vërtetonte diçka të tillë.

RADIO EVROPA E LIRË
Si e shihni zgjidhjen e kontestit rreth emrit? Pas VMRO-DPMNE-së, tani edhe LSDM-ja thotë se për këtë problem shumëvjeçar fjalën përfundimtare duhet ta thotë populli në referendum.

GORDANA JANKULLOVSKA
Qëndrimi ynë për këtë çështje është i pandryshueshëm. Që nga momenti kur kërkuam besimin e popullatës në vitin 2006, e deri më sot, ne mbesim në qëndrimin se për çështjet thelbësore, pra, për ato që kanë të bëjnë me identitetin, është më se e domosdoshme që të deklarohen qytetarët në referendum. Këtë qëndrim ne e kishim edhe në vitin 2006, edhe më vonë në fushatat tjera zgjedhore.

Ndërsa, sa i përket LSDM-së, më të vërtetë nuk e di, ata ndryshuan diametralisht qëndrimin, por është mirë që pranuan idenë e mirë dhe nuk është hera e parë që pranojnë ide që janë të VMRO-DPMNE-së, e të cilat i paraqesin si të tyre.

RADIO EVROPA E LIRË
Konkretisht, a do të ishte për ju e pranueshme një zgjidhje me prapashtesë gjeografike?

GORDANA JANKULLOVSKA
Për ne do të ishte e pranueshme ajo zgjidhje që do të arrihej në kuadër të procesit në Kombet e Bashkuara. Zgjidhja që do të arrihet nga të dyja palët, duhet të paraqitet edhe në referendum.

Unë nuk marr pjesë në këtë proces, pasi jam ministre e Brendshme, andaj nuk dëshiroj as të komentoj, e as të spekuloj, pasi bëhet fjalë për një çështje jashtëzakonisht të rëndësishme që ka të bëjë me identitetin nacional, prandaj them se duhet të përmbahemi nga komentet e ndryshme, por ne, si parti, qëndrojmë pas asaj që kemi thënë në të gjitha proceset zgjedhore, përfshirë edhe të tashmin.

RADIO EVROPA E LIRË
Si e vlerësoni bashkëpunimin e deritashëm në Qeveri me partinë shqiptare, BDI? A do ta vazhdoni koalicionin edhe pas 5 qershorit, nëse i fitoni zgjedhjet?

GORDANA JANKULLOVSKA
Me Bashkimin Demokratik për Integrim kishim raporte dhe bashkëpunim korrekt në Qeveri, arritëm që të realizojmë një pjesë të madhe të programit qeveritar. Tani, gjatë fushatës së zgjedhjeve jemi të përqendruar në fitoren që do të pasojë më 5 qershor dhe varësisht nga rezultati i zgjedhjeve, do të zhvillohen edhe bisedimet për formimin e qeverisë së re.

RADIO EVROPA E LIRË
Kohëve të fundit anëtarët e Qeverisë në largim marrin pjesë në vendosjen e gurthemeleve apo përurimin e objekteve të ndryshme. Si e arsyetoni faktin që si ministre e Brendshme, merrni pjesë në përurimin e fushave sportive?

GORDANA JANKULLOVSKA
Puna e ministrit është që të jetë aty ku janë qytetarët. Ministri duhet të kujdeset për qytetarin e vet. Unë, gjatë këtyre katër vjetëve e gjysmë vazhdimisht kam qenë në mesin e qytetarëve si në Kumanovë, Ohër, Strumicë dhe Tetovë. Prania e ministrave në aktivitete të këtilla ndoshta është e pakuptimtë për politikanët e tjerë si Cërvenkovski dhe Shekerinska, të cilët janë mësuar që politikën ta bëjnë nga kabinetet e tyre.

RADIO EVROPA E LIRË
Zonja Jankullovska, në çka e mbështesni optimizmin se do të fitoni në këto zgjedhje parlamentare?

GORDANA JANKULLOVSKA
Fillimisht, e mbështes në reagimet e qytetarëve, me të cilët përballem thuajse çdo ditë. Kur shihni fytyrat e gëzuara të bujqve që kanë marrë subvencionet, kur shihni fytyra të qeshura të të moshuarve që tani marrin pensione më të larta, kur shihni përmirësime në shëndetësi dhe sfera tjera, atëherë mund të konstatoni se Maqedonia po ecën në drejtimin e duhur pavarësisht kritikave dhe obstruksioneve të opozitës gjatë katër vjetëve të fundit.
XS
SM
MD
LG