Ndërlidhjet

logo-print
Deputetë kosovarë, të cilët trajtojnë aspekte të sigurisë, besojnë se suksesi i vendosjes së një gjendje normale në veri të Kosovës varet nga bashkëpunimi i KFOR-it me Policinë e Kosovës dhe atë të EULEX-it. Vetëm një koordinim ndërmjet këtyre komponentëve do të siguronte një rend kushtetues ligjor në veri, thonë ata.


Shtrirja e pushtetit të plotë nga ana e autoriteteve të Kosovës në veri do të ishte e suksesshme nëse do të kishte një koordinim ndërmjet Policisë së Kosovës, asaj të EULEX-it dhe forcës së KFOR-it, vlerësojnë deputetë kosovar.

Ndonëse deputetë të opozitës dhe ata nga partia më e madhe në pushtet ndajnë mendime të ndryshme në lidhje me veprimet e Qeverisë së Kosovës në veri, si konstatim i përbashkët është se në këtë pjesë ka mungesë të sundimit të rendit kushtetues, për shkak të pranisë së strukturave të pushtetit paralel të Serbisë.

Anëtari i Komisionit për Siguri të Brendshme në Parlamentin e Kosovës, Fatmir Xhelili, deputet i PDK-së, thotë për Radion Evropa e Lirë se problemet në veri zgjidhen përmes një koordinimi ndërmjet vendorëve e ndërkombëtarëve, dhe jo përmes forcës.

“Në mënyrë policore nuk zgjidhen problemet në atë pjesë. Faktikisht, zbatimi i ligjit dhe veprimet politike janë më domethënëse dhe ato besoj se do të ketë kapacitet që të zgjidhen. Qeveria e jonë asnjëherë nuk e ka pasur synim që me metoda policore dhe represive ta zgjidhë situatën në pjesën veriore, por besoj që zbatimi i ligjit dhe arrestimi i atyre që zhvillojnë aktivitet joligjor, të mos them edhe krim të organizuar, do të jetë një lehtësim i madh për organet e rendit dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme”, thotë Xhelili.

Mitrovicë

Në anën tjetër, deputeti opozitar nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Burim Ramadani, thotë se stacionet policore në veri funksionojnë jashtë zinxhirit komandues të Policisë së Kosovës.

Për një gjendje të tillë, Ramadani fajëson Qeverinë dhe Ministrinë e Brendshme. Ai e sheh Qeverinë e Kosovës të pavendosur që ta zbatojë ligjin në veri.

Si shembull të kësaj pavendosmërie ai përmend rastin e fundit të paralajmërimit për kthimin në punë të komandantëve policorë të stacioneve në veri, të cilët qenë suspenduar për shkak të mosrespektimit të zinxhirit komandues.

“Policia e Kosovës ka një zinxhir komandues dhe nuk guxon assesi të ketë hapësira për zinxhirë tjerë komandues. Kjo garniturë udhëheqëse e policisë dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme nuk ka vendosmëri, nuk ka guxim dhe nuk ka kurajë që të veprojë sipas detyrave që i ka”, thekson Ramadani për Radion Evropa e Lirë.

Një rol të theksuar në veri ka sidomos prania ndërkombëtare. Rifunksionalizimi i plotë i policisë, pastaj gjykatave dhe doganave në veri, viteve të fundit është kryesisht në duart e misionit evropian - EULEX.

Deputeti i PDK-së, Fatmir Xhelili, thotë se megjithatë, EULEX-i dhe Policia e Kosovës duhet të bazohen edhe në KFOR-in, në mënyrë që të ketë sukses në vendosjen e ligjshmërisë në veri.
EULEX-i dhe komponenti i policisë sonë duhet të bazohen edhe në KFOR-in.


“EULEX-i dhe komponenti i policisë sonë duhet të bazohen edhe në KFOR-in. KFOR-i, edhe pse ka përgjegjësi vetëm për sigurinë territoriale të Kosovës, në qoftë se drejtpërdrejt i mbështetë EULEX-in dhe Policinë e Kosovës, do të jenë tre komponentë të suksesshëm që do të punonin për mirëqenien e qytetarëve të Kosovës”, shprehet Xhelili.

Për vendosjen e rendit kushtetues në veri, roli i KFOR-it, krahas policisë vendase dhe asaj ndërkombëtare, shihet si vendimtar edhe nga deputeti i AAK-së, Burim Ramadani. Ndonëse KFOR-i tashmë është duke u ristrukturuar dhe ka ndryshuar rolin që e kishte pas luftës, kosovarët me dëshirë do t’ia ngarkonin rolin kryesor në normalizimin e veriut kësaj force paqeruajtëse.
KFOR-i mbetet dhe duhet të vazhdojë të ketë rolin kryesor të sigurisë në Kosovë...


“KFOR-i mbetet dhe duhet të vazhdojë të ketë rolin kryesor të sigurisë në Kosovë dhe ne kemi parë që komandanti Byhler tashmë ka treguar edhe publikisht mbështetjen e tij për Policinë e Kosovës. KFOR-i është ushtri e Kosovës dhe KFOR-i, si i tillë, duhet të vazhdojë të jetë i koordinuar me Policinë e Kosovës”, nënvizon Ramadani.

Ndryshe, veriu i Kosovës, vazhdon me vjet të jetë një territor ku autoritetet kosovare kanë fare pak qasje, për shkak të funksionimit të strukturave të pushtetit paralel të Serbisë atje, që mbështeten nga serbët lokal. Së fundit, doli që edhe drejtuesit e stacioneve policore të Kosovës në këtë pjesë të jenë në shërbime të dyfishta.

Kurse, përpjekjet e Qeverisë së Kosovës për largimin e tyre u pasuan me protesta e bllokada rrugësh nga ana e banorëve serbë të atjeshëm të mbështetur nga strukturat politike në veri, të cilat nuk njohin shtetin dhe organet shtetërore të Kosovës.

Lexoni edhe këto:
Tensione në veri
Pezullohen komandantët e policisë në veri
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG