Ndërlidhjet

Presidenti afrikano jugor viziton Tripolin


Presidenti i Afrikës së Jugut, Xhakob Zuma, pritet të shkojë për vizitë sot në Tripoli, kryeqytetin e Libisë, një përpjekje e re kjo për të arritur armëpushim në vendin e veriut të Afrikës.

Kjo është hera e dytë që Zuma, duke përfaqësuar shtetet e Unionit Afrikan, e viziton Libinë me qëllim që të ndërmjetësojë konfliktin.

Përpjekjet tjera për ndërmjetësime kanë dështuar që të rezultojnë me armëpushim, derisa lideri libian refuzon që të heqë dorë nga pushteti dhe rebelët në anën tjetër që luftojnë kundër regjimit të tij që prej shkurtit, refuzojnë negociatat deri sa Gadafi të jap dorëheqje.

NATO, pas miratimit të një rezolute nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së, kanë vendosur një zonë të ndal-fluturimit në Libi, që prej muajit mars, pasi forcat e Gadafit nisën fushatën kundër zonave që kontrollohen nga rebelët.

Konflikti tani ka mbetur në rrugë qorre, pasi rebelët e kontrollojnë vetëm pjesën lindore të Libisë.
XS
SM
MD
LG