Ndërlidhjet

FT: Kthimi i një faqeje në Ballkan


Gorazhde, prill 1994.

Gorazhde, prill 1994.

"Financial Times"

Janë vetëm tre vjet para 100-vjetorit të vrasjes në Sarajevë, që shkaktoi luftën e parë botërore. Dhe tani, kur Qeveria e Serbisë ka arrestuar të akuzuarin për krime lufte, gjeneralin Ratko Mlladiq, vetëm paramendoni se çfarë mund të bëjë Bashkimi Evropian nga kjo.

Liderët e BE-së dhe të Ballkanit mund të mblidhen pikërisht në vendin, nga ku Gavrillo Principi shkarkoi dy të shtëna që vranë austriakun Franc Ferdinand dhe gruan e tij, Sofia.

Dhe, në këtë moment, ata mund të shpallin përfshirjen e Ballkanit perëndimor në BE dhe të tregojnë se si ky projekt i madh evropian ka shpërblyer “fuqinë e barutit të Evropës” – siç njihej Ballkani në fillim të shekullit 20.

Në vend se të shikohet si një grumbull burokratësh gri, të përkulur ndaj vullnetit të udhëheqësve politikë të shteteve anëtare, BE-ja do të duket si një institucion vizionar, ku paqja dhe bashkëpunimi ekonomik do të triumfojnë mbi tensionet etnike dhe moszhvillimin.

Por, në botën reale, çështjet ballkanike nuk janë me shumë ngjyra. Një vend i ndritshëm është Kroacia, e cila mund të presë një ftesë për t’iu bashkuar bllokut evropian së shpejti. Për Serbinë dhe pjesën tjetër të Ballkanit perëndimor, perspektiva e anëtarësimit mbetet e largët.

Tri probleme të mëdha kushtetuese që dolën nga shpërbërja e Jugosllavisë, vazhdojnë të ndjekin rajonin: Kosova, Bosnja dhe Maqedonia. Dy pasoja të krizës globale financiare e bëjnë zgjidhjen e këtyre problemeve edhe më të vështirë - së pari, kundërshtimet në rritje të vendeve anëtare të BE-së për zgjerimin e vazhdueshëm të Unionit dhe, së dyti, Ballkani i goditur nga kriza – ku investimet e huaja kanë rënë, ndërsa papunësia ka shënuar nivele të reja.

Megjithatë, pavarësisht problemeve politike dhe pamjes së zymtë ekonomike, të gjitha vendet e Ballkanit perëndimor kanë kontribuar në rilindjen e bashkëpunimit rajonal. BE-ja nuk i ka detyruar ato në një gjë të tillë. Rajoni po mëson se nganjëherë mund të arrijë më shumë duke punuar së bashku, sesa nën drejtimin e BE-së apo të Shteteve të Bashkuara.

Çdokush po pret të shohë nëse Bashkimi Evropian do ta shpërblejë Beogradin për arrestimin e gjeneralit Mlladiq. Presidenti serb, Boris Tadiq, është duke shpresuar se Brukseli do të reduktojë presionin mbi qeverinë e tij, për të bërë lëshime ndaj Kosovës. Ai është i gatshëm të paraqitet tepër bujar në bisedimet midis Beogradit dhe Prishtinës.

Ndërkohë, Qeveria në Prishtinë ka pak motiv për të arritur ndonjë marrëveshje, në kohën kur sapo ka nisur rrugën për anëtarësim në BE. Në vend të kësaj, ajo beson në mbështetjen e Shteteve të Bashkuara, ndërsa Uashingtoni e ka inkurajuar të nxjerrë koncesione maksimale nga Serbia – me çfarë kupton njohjen e plotë.

Në vitet e fundit, problemet e Bosnjës janë thelluar. Marrëveshja e Dejtonit, e cila i dha fund luftës, nuk funksionon më. Politikani më i rëndësishëm në vend mbetet një i huaj, i cili vazhdon të vendosë fatin e Bosnjës me urdhëresa.

Megjithatë, frika që ka shprehur përfaqësuesi i lartë, Pedi Eshaduan, se Bosnja mund të rrëshqasë përsëri në dhunë, është e gabuar. Kjo mund të ndodhë vetëm nëse Zagrebi dhe Beogradi duan të angazhohen në luftë. Por, ata janë shumë të zënë duke i teeguar BE-së se sa të përgjegjshëm janë dhe nuk do t’i shpenzojnë kapitalet politike për një luftë të kotë në Bosnjë.

Durim, këshillon Karl Bild, ministër i Jashtëm i Suedisë dhe ish-përfaqësues i lartë në Bosnjë. “Me Kroacinë dhe Serbinë drejt BE-së, në mënyrë të pashmangshme edhe Bosnja do të lëvizë në drejtim të njëjtë”, thotë ai.

Ironikisht, Maqedonia mund të tregohet më e avancuar ndaj këtyre problemeve. E izoluar me vite falë politikanëve të korruptuar, ndarjes së madhe etnike dhe kontestit rreth emrit me Greqinë, Qeveria në Shkup ka folur në heshtje dhe intensivisht me Athinën për të thyer bllokimin – pa ndërmjetësim të BE-së apo SHBA-së.

Mikro-menaxhimi, qoftë nga ana e SHBA-së në Kosovë apo e BE-së në Bosnjë, është kundër-produktiv. Në vend të kësaj, nxitjet reale për qeverisje më të mirë do ta shtynin rajonin drejt reformave të realizueshme kushtetuese.

Britanisë dhe Irlandës u janë dashur 30 vjet për të arritur marrëveshjen mbi problemet, në të cilat kanë vdekur 3 mijë njerëz. Duke pasur parasysh konfliktet e shumta dhe numrin shumë më të madh të viktimave, arrestimi i gjeneralit Mlladiq do të duhej të ishte momenti për të njohur progresin e rajonit, që ka bërë me dëshirën për t’u bërë pjesë e Evropës. (v.t.)
XS
SM
MD
LG