Ndërlidhjet

logo-print

Ekspertë për çështje ekonomike shprehin shqetësimet se, vitin e ardhshëm, Kosova mund të futet në krizë buxhetore. Ky kolaps, sipas tyre, do të arrijë pas vendimit të qeverisë për rritje të pagave dhe rritjes së numrit të të punësuarve në administratën publike.



Ekziston rreziku që vitin e ardhshëm, Kosova të futet në kolaps buxhetor, deri në atë masë sa qeveria të mos jetë në gjendje t’i paguajë as pagat e punëtorëve në administratën publike.

Kështu paralajmërojnë njohës të çështjeve ekonomike, sipas të cilëve, premtimet dhe vendimet e pamatura të kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë fushatës parazgjedhore, do të sjellin pasoja vitin e ardhshëm.

Haki Shatri, ish-ministër i Ekonomisë dhe Financave, thotë se edhe vonesa e miratimit të buxhetit do të shkaktojë implikime. Buxheti i Kosovës është miratuar tre muaj me vonesë për shkak të zgjedhjeve parlamentare. Të hyrat buxhetore për këtë vit kapin shifrën 1 miliard e 264 milionë euro, ndërsa 1 miliard e 434 milionë euro janë shpenzime.

Shatri konsideron se shpenzimet buxhetore, të cilat tejkalojnë nivelin e buxhetit, janë potencial i rrezikshëm për një deficit të thellë buxhetor. Obligim tjetër buxhetor, sipas tij, paraqet edhe realizimi i disa projekteve kapitale, siç është autostrada “Ibrahim Rugova”.

“Këto e sjellin vendin në një situatë tepër delikate. Ka rrezik që deri në fund
Ka rrezik që deri në fund të vitit, vendi të shkojë afër dështimit financiar.

të vitit, vendi të shkojë afër dështimit financiar. Këtë vit ndoshta mund ta përballojmë, sepse kemi trashëguar disa rezerva të parasë së gatshme nga vitet paraprake, por në vitin tjetër, sipas të gjitha analizave dhe vlerësimeve të ekspertëve të pavarur, ka rrezik të ballafaqohemi me një krizë të theksuar buxhetore”, thotë Shatri për Radion Evropa e Lirë.

Sipas tij, pavarësisht gjendjes së rëndë buxhetore, ekzekutivi i vendit ka rritur pagat prej 30 deri në 50 për qind në disa kategori, që paguhen nga buxheti i Kosovës.

Një vendim i tillë ka rënë në kundërshtim me marrëveshjen e Fondit Monetar Ndërkombëtar, e cila nuk lejon rritje pagash mbi 8 për qind.

Gjatë javës së kaluar, qeveria ka formuar një ministri të re, ndërsa ka emëruar një numër të madh të zëvendësministrave - vendime këto që, sipas Shatrit, buxhetit do t’i kushtojnë shumë shtrenjtë.

Ai tërheq vërejtjen se nëse vazhdohet me rritje të numrit të të punësuarave në administratën publike, ekzekutivi i vendit, vitin e ardhshëm, nuk do të ketë mjete materiale për t’i paguar pagat.

“Rreziku është shumë, shumë evident, sepse mundësia për të vazhduar me këtë dinamikë të pagesave, është e pamundur, kur e dimë edhe trendin e të hyrave buxhetore. Kjo ngarkesë është bërë për qëllime të realizimit të politikave të vendit”, thotë Shatri.

Shqetësim për shpërthimin e kolapsit buxhetor shpreh edhe Berim Ramosaj, profesor në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Prishtinës.

Ai thotë se në periudhën afatshkurtër, qeveria e vendit po mundohet ta kursejë buxhetin me anulimin e disa projekteve kapitale, porse në periudhën afatgjate, sipas tij, problemet buxhetore janë evidente.

“Nëse shikojmë në një periudhë më të gjatë sesa gjashtë muaj, unë llogaris se do të kemi një deficit në raportin mes të hyrave dhe shpenzimeve potenciale. Në qoftë se nuk planifikohet që vërtet të gjenden burime të qëndrueshme dhe të formalizuara, në kuptimin e rritjes së të hyrave, do të ketë edhe kriza, por jo të nivelit të Greqisë, Irlandës apo shteteve të tjera”, thotë Ramosaj.

Edhe institucionet financiare ndërkombëtare u kanë tërhequr vërejtjen institucioneve vendore rreth rritjes së shpenzimeve për paga, si dhe rritjes së numrit të të punësuarve.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG