Ndërlidhjet

logo-print

Gabimet lehtësojnë ndryshimet


Nga zgjedhjet e dhjetorit të kaluar...

Nga zgjedhjet e dhjetorit të kaluar...

Zgjedhjet e fundit, por edhe ato paraprake në Kosovë kanë marrë kritika të mëdha, si nga subjektet politike, ashtu edhe nga vëzhguesit vendorë e ndërkombëtarë.

Javën e kaluar, rrjeti i vëzhguesve ndërkombëtarë, ENEMO, ka publikuar raportin final, në të cilin ka vlerësuar se numri i madh i parregullsive e ka dëmtuar rëndë besimin në proceset demokratike në Kosovë.

Marrë parasysh parregullsitë, që kanë çuar edhe në përsëritjen e disahershme të votimeve në qendra të caktuara votimi, tashmë është ngritur një komision parlamentar për ndryshimin e Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme.

Në një debat të organizuar nga Institutit Nacional Demokratik (NDI), është përmendur puna e këtij komisioni, ndërsa drejtori i bordit të NDI-së, Hauard Din, tha se është e rëndësishme që gabimet që vërehen, të përmirësohen sa më parë.

“Nuk është e vështirë të bëhen ndryshime, kur vërehet se diku ka pasur gabime. Këto ndryshime është më mirë të bëhen në fillim, sesa më vonë”.

“Ky (komisioni) është një proces shumë i mirë dhe është një proces shumë i rëndësishëm. Jam shumë i kënaqur që këtu kam gjetur gatishmërinë e të gjitha partive politike, të cilat edhe pse kundërshtojnë njëra-tjetrën, janë të gatshme të bashkëpunojnë në çështjet, të cilat janë aq të rëndësishme për shtetin dhe kërkojnë një bashkëpunim të tillë”,
deklaroi Din.

Ai tha se problemi i zgjedhjeve nuk qëndron vetëm te sistemi zgjedhor, kur u pyet nëse do të ishte votimi elektronik mënyra më e mirë për të shmangur keqpërdorimin e votës në Kosovë.

“Ka sisteme të mira edhe këtu, por është me rëndësi që numërimi të bëhet në mënyrë të sinqertë. Se çfarë sistemi do të përdorni ju, do të vendosni vetë, por varet prej ndershmërisë së njerëzve”, tha Din.

Jakup Krasniqi
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, u shpreh optimist për rezultatin që do të dalë nga të dy komisionet e formuara - ai për reformën në Kushtetutë dhe në Ligjin për zgjedhje.

“Në kemi gatishmërinë për të bërë amendamentimet e nevojshme në Kushtetutë, për të bërë ndryshime në Ligjin zgjedhor, në mënyrë që ta kemi një reformë zgjedhore që është sa më efikase, sa më transparente dhe sa më e thjeshtë. Kjo, në mënyrë që dobësitë që i kemi pasur në zgjedhjet e kaluara, të mos përsëriten në të ardhmen”.

“Ky është vullneti politik edhe i Kuvendit, por besoj edhe i të gjitha partive politike që do të marrin pjesë në zgjedhjet e ardhshme
”, tha Krasniqi.

Në raportin e ENEMO-s është vlerësuar se shkelja e privatësisë së votës nga familja dhe votimi në grup, në shumë vende kanë qenë si formë ligji dhe jo rast i veçantë.

Përpos kësaj, në raport është thënë se rastet e presionit dhe frikësimit të vëzhguesve janë ndër parregullsitë që janë vërejtur në proces.

Ndër rekomandimet e një raporti vlerësues, të përgatitur nga Shërbimi për Hulumtime Parlamentare i NDI-së, në radhë të parë është përmendur përgjegjësia dhe ndëshkimi për shkelësit e Ligjit zgjedhor.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG