Ndërlidhjet

Koordinatorja e Kosovës në bisedimet me Serbinë, Edita Tahiri, paralajmëroi se Prishtina dhe Beogradi do të nënshkruajnë shumë shpejt një pako marrëveshjesh në fushat që përfshijnë çështjet e lëvizjes së lirë, tregtisë së lirë dhe energjisë. Tahiri u shpreh optimiste se do të arrihen marrëveshje edhe për telekomunikacionin, regjistrat civilë e kadastralë, si dhe diplomat shkollore e universitare. Edhe pala serbe u shpreh optimiste se marrëveshjet e para do të arrihen nga mesi i qershorit.


Dialogu Prishtinë - Beograd, sipas palëve në bisedime, mund të prodhojë një pako marrëveshjesh diku nga mesi i muajit qershor.

Ndonëse dallimet politike mes të dyja vendeve mbeten shumë evidente, synimet janë që të gjendet mesi i artë, në mënyrë që asnjëra palë të mos e gjejë veten politikisht humbëse në këtë dialog.

Koordinatorja e Kosovës në këto bisedime, zëvendëskryeministrja Edita Tahiri, tha për Radion Evropa e Lirë se ka një përparim të dukshëm në dialogun e filluar, duke përmendur më pas edhe një varg çështjesh për të cilat pritet të arrihen marrëveshje.
Do të ketë marrëveshje edhe për çështjet e energjisë, telekomunikacionit, regjistrat civilë, kadastralë...

Pritet që para pushimeve verore të kemi një pako marrëveshjesh, që përfshijnë çështjet e lëvizjes së lirë, tregtisë së lirë, përkatësisht njohjen e vulave të Doganave të Kosovës nga Serbia. Pastaj, do të ketë marrëveshje për çështjet e energjisë, e besoj edhe për ato të telekomunikacionit, si dhe për çështjet e regjistrave civilë, kadastralë dhe për njohjen e diplomave shkollore dhe universitare”, tha Tahiri.

Edhe pala serbe pret që marrëveshjet e para eventuale Prishtinë - Beograd të arrihen gjatë muajit qershor.

Sekretari në Ministrinë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Oliver Ivanoviq, i tha Radios Evropa e Lirë se nëse nuk ka një marrëveshje gjatë qershorit, atëherë teknikisht është e pamundur të ketë një marrëveshje gjatë verës, për shkak të pushimeve verore.

Oliver Ivanoviq
E kam paralajmëruar që është e mundshme (arritja e marrëveshjes), duke pasur parasysh që qershori është muaji i fundit i punës në pjesën e parë të vitit. Gjatë muajit të 7-të dhe të 8-të, askush nuk punon në administratën e Bashkimit Evropian. Do të thotë, para verës, para pushimeve, ne e kemi vetëm një mundësi për marrëveshje, gjatë takimit që do të mbahet nga mesi i qershorit”, tha Ivanoviq.

Ndonëse i paralajmërojnë marrëveshjet gjatë qershorit, të dyja palët insistojnë që përmes këtyre marrëveshjeve nuk do të shkelin kushtetutat e vendeve të tyre.

Koordinatorja Edita Tahiri tha se për palën kosovare, parimet e arritjes së marrëveshjeve me Beogradin mbeten të njëjtat, që nënkuptojnë se ato duhet të respektojnë rendin kushtetues-juridik të Republikës së Kosovës.

Garantues i marrëveshjeve do të jetë Bashkimi Evropian, që është edhe ndërmjetësues zyrtar i dialogut teknik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. BE-ja do të jetë edhe monitoruese e marrëveshjeve nga të dyja palët, pra nga Kosova dhe Serbia”.

“Marrëveshjet që do të pranohen nga ne, do të jenë në harmoni me Kushtetutën e Republikës së Kosovës si dhe në harmoni me parimet euro-atlantike”,
theksoi Tahiri.

Nga pozicioni i vet nuk ka lëvizur as pala nga Beogradi. Duke mos e njohur Kosovën, Qeveria e Serbisë, sipas Oliver Ivanoviqit, pret që me marrëveshjet eventuale të mos njihet në asnjë mënyrë subjektiviteti i shtetit të Kosovës.

Ka një parim që ne e përcjellim nga fillimi. Do të thotë, çdo marrëveshje duhet të jetë e pranueshme për të dyja palët. Ne nuk do ta pranojmë pavarësinë e Kosovës pa marrë parasysh çmimin. Domethënë, në asnjë mënyrë ne nuk e bëjmë atë. Kurse, zbatimin e bëjnë të dyja palët dhe Bashkimi Evropian”, u shpreh Ivanoviq.

Duke iu referuar këtyre bisedimeve, ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, tha se marrëveshjet mund të arrihen vetëm nëse ato janë të pranueshme për të dyja palët.

Bajram Rexhepi
Lansimi i ideve dhe opsioneve politike për ndarjen e Kosovës dhe rishikimin e kufijve në Ballkan nga ana e zyrtarëve në Beograd, sipas Bajram Rexhepit, mund ta dëmtojnë rëndë procesin e dialogut.

“Mendoj se këta që i ngrenë këto çështje - çfarë është edhe politikë zyrtare e Serbisë, sepse Ivica Daqiçi dhe presidenti Tadiq janë persona zyrtarë - i ngrenë më tepër për çështje të brendshme, sepse shumë shpejt do të shkojnë në zgjedhje të parakohshme, ndoshta edhe gjatë këtij viti”.

“Këto deklarata i bëjnë për kalkulime të veta, që edhe këto të jenë si një pjesë e bisedimeve. Por, është shumë e qartë edhe nga institucionet tona, por edhe nga ato ndërkombëtare, se as nuk mund të jenë pjesë e bisedimeve dhe as nuk do të jenë në tryezë. Ne nuk jemi të gatshëm për bisedime të tilla”,
theskoi Rexhepi.

Prishtina dhe Beogradi, deri më tani, kanë diskutuar çështjen e vulave të doganave, regjistrin civil dhe kadastrën, lëvizjen e njerëzve dhe mallrave, çështjen e diplomave shkollore e universitare, pastaj çështjen e energjisë dhe telekomit, si dhe temat e ndjeshme, si ajo e personave të pagjetur të luftës. Për asnjë nga këto çështje deri më tani nuk është arritur ndonjë marrëveshje konkrete.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG