Ndërlidhjet

Pavarësisht përpjekjeve ose jo të Qeverisë së Kosovës për të integruar pjesën veriore të vendit, kjo ende nuk ka ndodhur, thonë liderët serbë të veriut dhe analistët e çështjeve politike.

Marko Jakshiq thotë se në veriun e Kosovës, aktualisht nuk ka askush sovranitet të plotë. Sipas tij, kontrolli mbi këtë anë është i ndarë në mes të Prishtinës, Beogradit, misionit EULEX dhe KFOR-it.

“Për momentin, askush nuk ka sovranitet të plotë në veri. Këtë nuk e ka as Prishtina, as Beogradi dhe më duket se nuk e ka as EULEX-i në masë të madhe. Nëse do ta ndanim në përqindje, unë do të thosha se Beogradi ndoshta kontrollon rreth 40 për qind të pushtetit, Prishtina rreth 20 për qind, ndërsa rreth 40 për qind mendoj se i kontrollon KFOR-i e para së gjithash EULEX-i”, thotë Jakshiq për Radion Evropa e Lirë.

Agron Bajrami, analist i çështjeve politike dhe publicist, vlerëson se Prishtina nuk ka arritur ta shtrijë aspak pushtetin në veri. Sipas tij, në këtë pjesë të vendit, çdo pore të jetës e kontrollojnë strukturat paralele.

“Asnjë segment të jetës përtej lumit Ibër nuk e kontrollon shteti i Kosovës.
Asnjë segment të jetës përtej lumit Ibër nuk e kontrollon shteti i Kosovës.

Këtë rezultat e kemi parë më së miri të shfaqur në një raport, të cilin e ka përpiluar Zyra e Koordinatorit të Qeverisë për Veriun. Në 70 faqe, identifikohet se strukturat paralele e kontrollojnë plotësisht veriun dhe jo vetëm në aspektin e sigurisë, të gjyqësisë apo doganave, por edhe në aspektin e krimit të organizuar, në aspektin e arsimit e shëndetësisë”.

“Madje, edhe trafiku urban dhe të gjitha segmentet e jetës atje kontrollohen nga strukturat paralele apo edhe strukturat e sponsorizuara nga Serbia”,
thekson Bajrami.

Marko Jakshiq
Por, Jakshiq thotë se policinë dhe gjykatat në veri të Kosovës, në masën më të madhe, i kontrollon misioni evropian EULEX, duke diktuar rregullat e punës së këtyre institucioneve. Sipas tij, Beogradi kontrollon sektorët, nga të cilët varet mbijetesa e serbëve.

“Beogradi kontrollon arsimin, sferën sociale, pensionet, ndërkaq në fushën e së drejtës, kontrollon të ashtuquajturën të drejtë qytetare dhe familjare. Të drejtën penale e kontrollon në masë të madhe EULEX-i, ndërsa Prishtina e kontrollon mënyrën e punës së Policisë së Kosovës”, thotë Jakshiq.

Analisti Bajrami nuk beson se kontrolli i pushtetit në veri të Kosovës është sipas përqindjeve që i përmend Jakshiq.

“Se kush e kontrollon veriun është më pak e rëndësishme. Më e rëndësishme është se nuk e kontrollon ai që duhet ta kontrollojë, ai që e ka sovranitetin edhe legalisht pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare”.

“Ajo pjesë duhet të jetë pjesë e territorit të Kosovës dhe të funksionojë si e tillë. Në këtë moment, ajo nuk funksionon si pjesë e territorit të Kosovës dhe ky është realiteti i hidhur”,
thotë Bajrami.

Raporti i sivjetmë i Grupit Ndërkombëtar të Krizave për Kosovën ka potencuar se Serbia pjesërisht e kontrollon veriun e Kosovës. Sipas këtij raporti, Serbia investon rreth 200 milionë euro në veri të Kosovës, për të financuar arsimin, shëndetësinë dhe të ashtuquajturat administrata komunale, të cilat nga Prishtina zyrtare njihen si struktura paralele.

Lexoni edhe këtë:
Veriu ka nevojë për KFOR-in
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG