Ndërlidhjet

Beograd: Mlladiqi e vizitoi varrin e vajzës së tij


I dyshuari për krime të luftës, Ratko Mlladiq, ish komandant serb i Bosnjës, nën përcjelljen e policisë është dërguar sot për ta vizituar varrin e së bijës.

Zëvendës prokurori i Serbisë për krime të luftës, Bruno Vekariq, tha se më vonë Mlladiqi është kthyer në burg, ku ai po mbahet prej të enjtes, kur është arrestuar, pasi ishte fshehur për 15 vite.

Më vonë gjatë ditës pritet që paneli prej tre gjyqtarëve të vendos lidhur me ankesën e tij kundër transferit në Tribunalin e Hagës, lidhur me akuza për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, gjatë luftës në Bosnjë, në periudhën 1992-95.

Zëdhënësja e Tribunalit të Hagës për Krime të Luftës, Nerma Jelaçiq, tha se Tribunali do të presë për procedurat juridike.

“Ata e kanë afatin brenda të cilit duhet të merren me këtë ankesë dhe Tribunali ka për të pritur që këto procedura juridike të kryhen, kështu që transferi në Hagë të bëhet sipas ligjit”, tha Nerma Jelaçiq.

Ai më herët kishte kërkuar që ta vizitoj varrin e vajzës së tij Ana, që kishte bërë vetëvrasje në vitin 1994, me revolen e babait të saj.
XS
SM
MD
LG