Ndërlidhjet

Dita kundër duhanit: Thirrje për zbatim të ligjit


Foto ilustruese

Foto ilustruese

Miliona viktima në vit dhe miliona të sëmurë nga kanceri janë pasojat që shkakton pirja e duhanit në mbarë botën.

Kosova vazhdon të mos ketë të dhëna të sakta rreth konsumit të kësaj substance në vend. Megjithatë, përpjekjet që synojnë të vënë në pah rreziqet që sjell ajo, nuk mungojnë.

Në Ditën Ndërkombëtare Kundër Duhanit, autoritetet përgjegjëse u kanë bërë thirrje qytetarëve dhe të gjitha instancave të zbatojnë Ligjin kundër pirjes së duhanit.

Naser Ramadani, nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, potencoi dëmet vdekjeprurëse që shkakton duhani.

“Duhani është faktor i dëmshëm - tashmë të gjithë e dimë - me 43 substanca kancerogjene, të cilat çdo ditë marrin jetë njerëzish kudo në botë. Ta flakim nga shprehitë tona dhe të mësohemi, njëherë e përgjithmonë, se mundemi të jetojmë një jetë të shëndoshë pa duhan”, apeloi Ramadani.

Dukuri brengosëse thuhet të jetë rritja e shkallës së duhanpirjes te femrat në botën e zhvilluar, përfshirë këtu edhe Kosovën. Shifrat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë flasin për një numër të madh të femrave shtatzëna që konsumojnë duhan.

Sipas të njëjtit institucion, 54 për qind e foshnjave të porsalindura janë të detyruara të rriten në ambiente të tymosura. Skënder Syla, drejtues i Zyrës së OBSH-së në Prishtinë, dha më shumë detaje për shifrat në Kosovë:

“Sipas një studimi të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, në vitin 2009, në Kosovë pothuajse 21 për qind e grave kanë filluar të përdorin duhanin edhe gjatë shtatzënisë së tyre; rreth 23 për qind të tjera e kanë përdorur duhanin më parë, ndërsa gjatë shtatzënisë e kanë ndërprerë”.

“Gati gjysma e grave, ose 48 për qind e tyre kanë raportuar se janë të eksponuara vazhdimisht në tym duhani”,
bëri të ditur Syla.

Ai kërkoi nga autoritetet kompetente që t’i shtojnë përpjekjet për zbatimin e Ligjit kundër duhanit në praktikë. Sipas zëvendësministrit të Shëndetësisë, Kadër Hyseni, gatishmëria e institucioneve për një gjë të tillë ekziston, porse problem paraqet numri i vogël i inspektorëve në terren.

“Ministria e Shëndetësisë është e përkushtuar që të shtyjë përpara zbatimin e ligjit, por, në të njëjtën kohë, është e vetëdijshme edhe për vështirësitë që ekzistojnë në monitorimin e zbatimit të tij. Kapacitetet mbikëqyrëse, përkatësisht numri i inspektorëve në Kosovë mbetet ende i vogël, ndërsa nevojat për zbatim dhe monitorim më të rreptë të ligjit, janë më evidente”, theksoi Hyseni.

Ligji kundër pirjes së duhanit në Kosovë është miratuar në shkurt të vitit të kaluar. Ndonëse parasheh një varg masash, bëhet e ditur se zyrtarët përgjegjës nuk kanë shqiptuar asnjë ndëshkim për moszbatimin e tij.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG