Ndërlidhjet

Hauard Din: Fundi i problemeve do të vijë


Prishtinë - foto arkiv

Prishtinë - foto arkiv

Ish-guvernatori amerikan, Hauard Din, në një ligjëratë para studentëve të Universitetit të Prishtinës, tha se gjeneratat e reja në Kosovë nuk duhet të përqendrohen në politikëbërje nga zyrat, por të dalin në terren dhe të njihen nga afër me sfidat e qytetarëve.

Ish-guvernatori Din, i cili po qëndron në Kosovë, tha se ka vërejtur shumë sfida para shtetit kosovar.

“Unë shoh një optimizëm këtu, por natyrisht edhe shumë probleme - probleme sepse ju keni një shtet të ri. Këto probleme po ashtu janë meqë historia e demokracisë në këtë rajon nuk është e gjatë. Problemet janë edhe për shkak të lutës dhe për atë që ka ndodhur pas saj. Por, fundi i këtyre problemeve do të vijë”, tha ai.

Sa i takon rolit të të rinjve në bërjen e ndryshimeve dhe pjesëmarrjen në politikë, Din tha se “politikat dhe ndryshimet nuk bëhen vetëm në Parlament, por ato fillojnë në komunitet”.

“Ju do të jeni të lidhur me politiken nëse ju punoni në fshatin tuaj, ndihmoni njerëzit e varfër. Ju jeni në politikë nëse organizoni gjëra, siç i kemi pasur dje në Mitrovicë, ku grupe të të rinjve serbë dhe shqiptarë punonin së bashku në problemet e Mitrovicës, në të dyja anët e lumit”.

Prishtinë
“Pra, politika nuk fillon në parlament. Parlamenti është puna e fundit që duhet ditur. Gjenerata juaj në gjithë botën, jo vetëm në Kosovë, ka më shumë mundësi, ndryshe nga gjenerata ime. Gjenerata ime ka bërë reforma në sistem. Gjenerata juaj nuk ka dëgjuar shumë për sistemin që ne e kemi ndryshuar”, deklaroi Din.

Për mundësitë që kanë të rinjtë për të bërë ndryshime, duke përmendur edhe rrjetet sociale dhe energjinë që ata duhet pasur, Din theksoi nevojën e besimit në ndryshime.

“Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të rinjtë shkojnë në internet, ata hyjnë në Facebook dhe gjejnë njëmijë njerëz që besojnë në gjërat që ata bëjnë. Nëse nuk e ndryshoni të nesërmen, asgjë nuk do të ndodhë. Mendoni për vitet e juaja të ardhshme! A keni problem? Po. Ju duhet të bëni reforma, duhet të punoni”.

“Kur njerëzit manipulojnë me votën, duhet të dënohen. Nëse nuk dënohen, ata do të vazhdojnë të manipulojnë me të. Por, nuk është ky vendi i vetëm ku vota manipulohet”,
u shpreh ish-guvernatori Din.

Hauard Din ka qenë kandidat për president i Shteteve të Bashkuara në vitin 2004, kryetar i Komitetit Nacional Demokratik dhe është zgjedhur gjashtë herë Guvernator i Vermontit. Din njihet si nismëtar i ngritjes së fondeve për një profil të caktuar, bazuar në përdorimin e Internetit.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG