Ndërlidhjet

logo-print
Deputetët e Kuvendit të Kosovës i bënë thirrje Tribunalit të Hagës ta përshpejtojë rigjykimin e pjesshëm ndaj ish-komandantit të UÇK-së, Ramush Haradinaj, ndërsa institucioneve shtetërore iu kërkua mbështetja për kreun e AAK-së dhe dy të akuzuarit e të tjerë, Lah Brahimaj dhe Idriz Balaj. Gjatë seancës së jashtëzakonshme parlamentare të mbajtur për këtë çështje, deputetët thanë se “drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar”.


Kuvendi i Kosovës miratoi unanimisht rekomandimet e iniciuara nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës lidhur me rigjykimin e pjesshëm të kryetarit të saj, Ramush Haradinaj, i cili aktualisht gjendet në Tribunalin e Hagës.

Pas një diskutimi rreth tre orësh, të 70 deputetët e pranishëm mbështetën iniciativën, me të cilën, “duke besuar në pafajësinë e zotit Haradinaj e bashkëluftëtarëve të tij, si dhe në luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, Tribunalit të Hagës i kërkohet zhvillimi i një procesi gjyqësor të qartë, të drejtë e të shpejtë ndaj Hardinajt, Balajt e Brahimajt. Ndërsa, Qeverisë së Kosovës dhe institucioneve të tjera vendore e ndërkombëtare në vend, u kërkohet përkrahja institucionale, juridike e materiale për të akuzuarit.

Deputeti nga radhët e AAK-së, Ahmet Isufi, foli për qëllimin e debatit.

“Debati i sotëm dëshmoi edhe një herë besimin e fuqishëm që ne si Kosovë kemi në drejtësinë ndërkombëtare, por njëkohësisht edhe në pafajësinë e zotërinjve Ramush Haradinaj, Lah Brahimaj dhe Idriz Balaj”, tha Isufi.

Të gjitha grupet parlamentare, pa përjashtim, u shprehën të bindura në pafajësinë e të akuzuarve kosovarë nga drejtësia ndërkombëtare, ndërsa e cilësuan si të drejtë luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Kryeministri Hashim Thaçi theksoi mbështetjen e ekzekutivit kosovar për këtë çështje.

“Qeveria e Kosovës dhe unë, edhe më parë, kemi qenë të gatshëm dhe kemi kërkuar të na krijohet ajo rrethanë, që të japim të gjithë mbështetjen dhe sigurinë juridike që lejon ligji dhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës”, u shpreh Thaçi.

Mirëpo, opozita vuri dyshimin e saj në mbështetjen institucionale - ofruar deri më tani ish-luftëtarëve të UÇK-së. Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, tha se për dallim nga Serbia, Kosova nuk ka deponuar dëshmi të mjaftueshme në Tribunalin e Hagës, për të argumentuar se lufta e UÇK-së ishte e drejtë. Kjo mungesë e veprimit, sipas tij, po vërehet edhe tani.

Po të kishin ndodhur angazhime serioze në mbrojtje të vlerave tona të luftës, sot nuk do të ishim përballur me këso lloj sfidash, nuk do të kishim çlirimtarë që arrestohen padrejtësisht, qoftë nga UNMIK-u apo EULEX-i. Sot nuk do të kishim tenda të ngritura para qeverisë, duke kërkuar ligj për vlerat e luftës”, tha Selimi.

Angazhim më të madh institucional për këtë çështje kërkoi dhe deputeti Fatmir Limaj, i cili u ballafaqua me akuzat për krime lufte në Tribunalin e Hagës. Ai u shpall i pafajshëm nga kjo gjykatë në fund të vitit 2005.

Limaj tha se ka vërejtur tendencën e Tribunalit të Hagës për arritjen e kompromisit ndërmjet drejtësisë e politikës, gjëra të cilat, sipas tij, nuk bën të përzihen kur flitet për veprat e Serbisë në Kosovë.

“Ne kemi vendimin gjyqësor për dëshminë dhe të vërtetën. Pajtohem plotësisht me atë që u tha: ‘Drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar’ dhe mos harroni - kjo është loja që është duke u bërë me zotin Haradinaj”, tha Limaj.

Akuzat për krime lufte ndaj Balajt, Brahimajt e Haradinajt - atëkohë kryeministër i Kosovës - u ngritën në mars të vitit 2005. Pas gjykimit, Haradinajt, në korrik të 2010-ës, iu kërkua të paraqitet para Tribunalit për rigjykim të pjesshëm. Rigjykimi nuk ka nisur ende.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG