Ndërlidhjet

Mlladiq të premten para gjyqit

  • RFE /RL

Aeroplani që ka transferuar Mlladiqin në Hagë, 31 maj 2011.

Aeroplani që ka transferuar Mlladiqin në Hagë, 31 maj 2011.

Tribunali i Hagës ka njoftuar se i dyshuari për krimet e luftës në Bosnje, Ratko Mlladiq, do të paraqitet për herë të parë në gjykatë të premten.

Seanca e parë është caktuar pasi Mlladiqi është transferuar për në Tribunalin e Hagës, të martën.

Gjatë seancës dëgjimore, mëngjesin e së premtes, Mlladiqit do t’i kërkohet që të deklarohet për akuzat që rëndojnë mbi të, e që përfshijnë gjenocidin, krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit që dyshohet se janë kryer gjatë luftës në Bosnje, nga viti 1992 – 1995.


* * * * *

Autoritetet serbe kanë ekstraduar ish-gjeneralin e serbëve të Bosnjës, Ratko Mlladiq, në Tribunalin e Hagës, ku do të përballet me akuzat për gjenocid, krime të luftës dhe akuza të tjera që rrjedhin nga roli i tij në luftërat e Ballkanit, në vitet '90.

Ratko Mlladiq është ekstraduar gjatë pasdites në Tribunalin e Hagës. Mbi bazë të Kushtetutës dhe ligjeve të Republikës së Serbisë, si ministre e Drejtësisë e Qeverisë së Serbisë, unë e kam nënshkruar ekstradimin e Ratko Mlladiqit”, tha ministrja serbe e Drejtësisë, Snezhana Maloviq, në një konferencë për gazetarë.

Ekstradimi pason një vendim të gjykatës të 27 majit, i cili deklaroi se 69-vjeçari mund të ekstradohej në Gjykatën Ndërkombëtare me seli në Holandë, me gjithë kundërshtimet e avokatit dhe të të afërmve të tij, se "ai ishte në gjendje shumë të dobët shëndetësore për t’u përballur me procesin gjyqësor".

Mlladiq ka kaluar afër 16 vjet në arrati, para se të kapej më 26 maj në një fshat verior serb.

I arratisuri më i kërkuar i Tribunalit të Hagës akuzohet për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, për shkak të rolit që luajti në vrasjen e rreth 8 mijë burrave dhe djemve myslimanë në Srebrenicë, si dhe për rrethimin e përgjakshëm katëvjeçar të Sarajevës.

Masakra e Srebrenicës e vitit 1995 konsiderohet të ketë qenë masakra më e rëndë e kryer në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Duke njoftuar për ekstradimin, Maloviq tha se Serbia i ka përmbushur obligimet e saj morale dhe ndërkombëtare.

Me ekstradimin e Ratko Mlladiqit në Hagë, Serbia ka përmbushur obligimin ndërkombëtar dhe moral. Ne kemi dëshmuar se i përmbushëm përkushtimet tona. Veprimi ynë paraqet konfirmimin e qartë se Serbia është e përkushtuar sinqerisht për të përmbyllur bashkëpunimin e saj me Tribunalin e Hagës”, tha Maloviq.

Për vite të tëra, ekspertët kanë thënë se fraksionet ultranacionaliste brenda Serbisë po e strehonin Mlladiqin.

Ai ende konsiderohet hero nga disa, përfshirë edhe serbin e Bosnjës, Nenad Batkoviq, një ish-ushtar gjatë luftërave të Ballkanit, i cili iu bashkua mijëra mbështetësve të Mlladiqit në një tubim në Banja Llukë, kryeqyteti i entitetit serb të Bosnjës.

Mlladiq është simboli i lirisë për mua. Ai është i pavdekshëm për Republikën Serbe. Ne nuk heqim dorë nga ai. Rroftë Ratko Mlladiq”, u shpreh Batkoviq.



Arrestimi i Mlladiqit për një kohë të gjatë është deklaruar nga zyrtarët evropianë si parakusht për Serbinë që të arrijë integrimet evropiane.

Pasi që forcat speciale serbe e zunë Mlladiqin javën e kaluar, komisionari i Bashkimit Evropian për Zgjerim, Shtefan Fyle, tha se arrestimi e hoqi një pengesë të madhe nga rruga e Serbisë për në BE.

Ministrja Maloviq tha se nga arrestimi i tij, do të ketë edhe përfitime rajonale.

Sjellja e Mlladiqit para drejtësisë është një satisfaksion për viktimat e familjeve dhe për të gjithë ata që kanë qenë viktima të krimeve, për të cilat ai është akuzuar nga Tribunali. Në të njëjtën kohë, ky paraqet një mesazh relevant për procesin e ripajtimit në rajon”, tha Maloviq.

Ndërsa prokurorët ndërkombëtarë thonë se ka prova të mjaftueshme për të dënuar Mlladiqin, zëdhënësja e Tribunalit të Hagës, Nerma Jelaçiq, i tha Reuters-it se procedurat e gjykatës janë të komplikuara.

Është aktakuzë shumë serioze, shumë komplekse, me akuza shumë komplekse. Tash kemi dy akuza për gjenocid, një që mbulon vitin e parë të luftës, nga maji i vitit 1992 deri në majin e vitit 1993 dhe, e dyta, që mbulon gjenocidin e korrikut të vitit 1995, të kryer në Srebrenicë”, tha Jelaçiq.

Ndërsa Tribunali po përgatitet të dëgjojë rastin, shumë çështje mbesin të paqarta në Serbi, se si Mlladiqi ia doli që t’i ikë kapjes për kaq kohë të gjatë.

Duke folur për byronë e Radios Evropa e Lirë në Beograd, sociologu Ivan Kuzminoviq tha se arrestimi i Mlladiqit dhe rritja që iu bë Serbisë në sytë e komunitetit ndërkombëtar, nuk duhet të tërheqin vëmendjen nga këto pyetje që kërkojnë përgjigje.

Ky është një 'reality show', që është prodhuar pa fonde dhe po vazhdon. Qëllimi i këtij 'show' është që t'i evitojë pyetjet si: Ku ishte Ratko Mlladiqi në 5-6 vjetët e fundit? Kush e mbronte atë? Kush i vrau rekrutët në kazermën e Topçiderit në Serbi, ku besohej se ishte fshehur për një kohë Mlladiqi? Dhe, cili ishte roli i shtetit serb në ofrimin e mbrojtjes për Mlladiqin?”, tha Kuzminoviq.

Duke njoftuar për arrestimin e Mlladiqit në javën e kaluar, presidenti serb, Boris Tadiq, tha se janë duke u kryer hetime për të gjithë ata që "i kanë ndihmuar Mlladiqit dhe të të dyshuarve tjerë për krime lufte për t’i ikur kapjes", përfshirë potencialisht edhe zyrtarët qeveritarë. (a.i.)
XS
SM
MD
LG