Ndërlidhjet

FMN: S'ka qasje në fonde


Fondi Monetar Ndërkombëtar
Fondi Monetar Ndërkombëtar
Fondi Monetar Ndërkombëtar ka njoftuar se marrëveshja 18 mujore e quajtur Stand By Arrangement (SBA), e cila ishte miratuar nga Bordi Ekzekutiv i FMN-së në korrik të vitit 2010, ishte ndërprerë më 2011.

Në një deklaratë të publikuar në ueb-faqen e FMN-së, thuhet se "programi kishte për qëllim të rivë qëndrueshmërinë fiskale dhe të ruajë stabilitetin financiar, duke ushtruar kufizime në shpenzime dhe duke rritur depozitat e Qeverisë në Bankën Qendrore të Kosovës".

"Elemente të buxhetit të vitit 2011, në veçanti rritja e madhe e pagave, kanë devijuar nga programi. Si rezultat, nuk do të përfundojë rishikimi i programit".

"Gjatë këtij misioni, personeli dhe autoritetet kanë arritur një marrëveshje në nivel të personelit mbi Programin e Monitorimit të Personelit, sipas të cilit do të krijohet një mekanizëm përcjellës, që mund të çojë në një marrëveshje të mbështetur nga FMN-ja më 2012".

Ndërkohë, në një komunikatë për media të lëshuar nga misioni në Prishtinë i Fondit Monetar Ndërkombëtar, thuhet se misioni i FMN-së ka arritur një marrëveshje në nivel të personelit me autoritetet mbi një pako të politikave që do të monitorohen në kontekst të Programit Monitorues të Personelit deri në fund të vitit 2011.

Johanes Uiegand, i cili ka qenë në krye të FMN-së në Kosovë, ka thënë se këto politika kanë cak hapat vendimtarë drejt qëndrueshmërisë financiare dhe menaxhimit e ekzekutimit më të fuqishëm të buxhetit.

“Zbatimi i suksesshëm do të ndihmojë krijimin e një mekanizmi përcjellës të menaxhimit fiskal, i cili mund të shtrojë rrugën për një rishikim të ndihmës financiare nga ana e FMN-së në vitin 2012 dhe të lehtësojë vazhdimin e mbështetjes së donatorëve”, citohet të ketë thënë Uieganad.

Këtë marrëveshje të 2012-ës e ka përmendur të mërkurën edhe kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, në mbledhjen e Qeverisë.

Kryeministri Hashim Thaçi ka pranuar se bisedimet që janë zhvilluar me delegacionin e Fondit Monetar Ndërkombëtar në Kosovë, nuk kanë qenë të lehta.

Thaçi ka thënë se është arritur pajtueshmëri për monitorimin e politikave ekonomike për vitin 2011 nga ana e FMN-së, kurse zbatimi i këtij monitorimi, siç ka thënë ai, do të mundësojë vazhdimësinë e mbështetjes së Fondit.

Qeveria e Kosovës
“Marrëdhëniet e Kosovës me FMN-në jo vetëm që nuk janë shkëputur, por përkundrazi janë vendosur në bazë të një partneriteti të fuqishëm. E shpreh edhe një herë përkushtimin e Qeverisë së për të marrë më shumë përgjegjësi në ruajtjen e qëndrueshmërisë makrofiskale të stabilitetit financiar duke mos harruar asnjëherë mirëqenien e qytetarëve”, ka thënë Thaçi.

Kryeministri i Kosovës, në mbledhjen e Qeverisë, ka ripërsëritur qëndrimin e tij se pagat e rritura në sektorin publik nuk do të preken dhe do të shpaguhen me rritje.

Ndërkohë, edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, në një ligjëratë para studentëve të Kolegjit Universitar “Pjetër Budi”, ka shprehur skepticizmin e tij për, siç ka thënë, ndryshimin e marrëdhënieve me FMN-në.

Në anën tjetër, ekspertë të çështjeve ekonomike kanë potencuar se përkeqësimi i raporteve me Fondin Monetar Ndërkombëtar ka ndikuar njëkohësisht në përkeqësimin e raporteve edhe me Bankën Botërore e Komisionin Evropian, institucione këto, që, sipas tyre, financojnë deficitin buxhetor të Kosovës. Eksperti i ekonomisë, Lumir Abdixhiku është shprehur:
Humbja e parë është një humbje financiare prej 156 milionë eurosh në buxhetin e vitit 2011.


“Humbja e parë është një humbje financiare prej 156 milionë eurosh në buxhetin e vitit 2011. Kjo, si rezultat i mospërmbushjes së kritereve nga marrëveshja ‘stand by’, e nënshkruar vitin e kaluar. Humbja e dytë është në proceset integruese të Kosovës, me theks të veçantë në anëtarësimin e Kosovës në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Humbja e tretë është një imazh i dëmtuar karshi investitorëve të huaj”.

Sipas Abdixhikut, mosrespektimi i marrëveshjes me Fondin Monetar Ndërkombëtar bën që Kosova në vitin 2013 të hyjë në krizë të thellë financiare.

“Ne po futemi në një situatë, ku deficiti i Kosovës na mbetet i pambuluar. Për këtë drejtohemi kah bilanci bankar i Kosovës, që është 240 milionë euro para të grumbulluara nëpër vite. Këto para janë zgjidhje për këtë vit; ndoshta në vitin tjetër do të jetë zgjidhje shitja e PTK-së. Por, në periudhë afatgjatë, ne mbesim pa resurse dhe ky është dëmi që po i bëhet Kosovës”, ka vlerësuar Abdixhiku.

Mosmarrëveshjet e Kosovës me FMN-në kanë të bëjnë me shpenzimet për vitin 2011, në veçanti rritjen e pagave për shërbyesit civilë.

Vitin e kaluar, Qeveria e Kosovës u dakordua me këtë institucion ndërkombëtar që pagat në sektorin publik të rriten për 7-8 për qind, por këto pagesa janë ngritur për mbi 30 për qind.

Ish-ministri i Ekonomisë, Haki Shatri, ka theksuar se mosrespektimi i marrëveshjeve financiare rrezikon dështimin e politikave buxhetore në vend.

“Duke parë se nuk po përfillen rekomandimet e tyre, ata, në njëfarë forme, janë tërhequr edhe nga premtimet për ofrimin e donacioneve. Fjalën e kam për FMN-në, e cila është tërhequr nga disa programe që ka pasur për Kosovën”.

“Afro 200 milionë euro të projektuara në buxhetin e Kosovës për këtë vit, ka mundësi të rrezikohen - pra, nuk do të derdhen në buxhetin e këtij viti“
, ka thënë Shatri për Radion Evropa e Lirë.

Nga mosrespektimi i marrëveshjes me Fondin Monetar Ndërkombëtar, edhe sipas Shpend Ahmetit nga partia opozitare “Vetëvendosje”, Kosova do të ballafaqohet me probleme fiskale dhe financiare gjatë këtij viti.

Shpend Ahmeti

“Ne e kemi kaluar buxhetin në pritje të këtyre fondeve. Deficiti do të financohet nga 87 milionë prej Fondit Monetar Ndërkombëtar, nga 50 milionë nga donatorët tjerë nga Komisioni Evropian, të cilat pothuajse të tëra janë të lidhura me marrëveshjen që e kemi pasur me FMN-në".

"Kjo do të thotë se ne sivjet do të kemi një hendek më të madh - po pritet që mbi 150 milionë euro të deficitit ne sivjet nuk e dimë se ku do t’i marrim”
, është shprehur Ahmeti.

Kosova qe bërë anëtarja e 186-të e Fondit Monetar Ndërkombëtar në vitin 2009.
XS
SM
MD
LG