Ndërlidhjet

Fëmijët me ëndrra, mund të jenë vdekjeprurës

  • RFE /RL

Islamabad

Islamabad

Për një numër të madh të fëmijëve në Pakistan dhe Afganistan, këta janë tingujt që i shoqërojnë në amshim:



Një fëmijë 15-vjeçar që donte të bëhej sulmues vetëvrasës, u arrestua në veri të Afganistanit më 5 prill. Ai thotë se është edukuar në një medrese, në qytetin pakistanez të Peshauarit. Ndonëse nuk pranon të flasë me emra, ai pohon se ishte inkurajuar për një mision vetëvrasës në provincën afgane Kunduz, ku do të hidhte në erë aeroportin lokal.

“Ata na thanë se do të shkojmë në qiell. Na thanë se do të jetë bukur. Kjo ishte arsyeja përse pranova. Isha mashtruar këtë herë dhe nuk do ta bëj përsëri”, thotë ai.

Sulmet vetëvrasëse në rajon janë rritur në mënyrë dramatike. Zyrtarët e Inteligjencës afgane akuzojnë talibanët për “rekrutimin e fëmijëve në radhët e veta dhe përdorimin e tyre për të kryer sulme vetëvrasëse”.

Një raport në Skoci citon 9-vjeçarin Ghulam Faruk - i cili aktualisht ndodhet në qendrën e paraburgimit për të mitur në Kabul - të ketë thënë se “ai dhe të tjerët mësoheshin se si t’i përdornin jelekët shpërthyes”.

Një video që qarkullon kohëve të fundit në Internet tregon një grup fëmijësh gjoja në mision vetëvrasës. Origjina e filmimit është e panjohur, por pamja e fëmijëve sugjeron Afganistanin ose Pakistanin. Njëri nga ta, i veshur në të zeza, përqafon të tjerët dhe largohet nga grupi, ndërsa fëmijët hedhin rërë përreth tij, duke imituar shpërthimin.

Shifra të sakta është vështirë të nxirren, por mbi 25 për qind e planifikuesve të kamikazit - që mbahen në qendrat e paraburgimit në Afganistan - janë nën moshën 18 vjeç. Forca afgane për monitorim dhe raportim pohon se gjatë vitit 2010 janë regjistruar 23 raste të rekrutimit dhe përdorimit të fëmijëve nga grupet e armatosura – shifër kjo që thuhet të jetë rritur në mënyrë të konsiderueshme gjatë 2011-ës.

Se çfarë i shtyn këta të rinj t’i marrin vetes jetën, mbetet e paqartë. Raporti i Kombeve të Bashkuara, i publikuar më 11 maj, vërteton në njëfarë mënyre pretendimet e zyrtarëve afganë se talibanët janë përgjegjës.

Ai vë në pah përvojën e një djali 15-vjeçar, i cili ishte kapur nga talibanët pakistanezë kur ishte 13 vjeç. Ai u arratis gjatë një beteje dhe gjeti rrugën drejt Kabulit, por u arrestua nën akuzat për shkelje të sigurisë kombëtare. Aktualisht ndodhet në burg.


Roli i medreseve

Furia e fundit e shpërthimeve vetëvrasëse ka shtyrë zyrtarët afganë të ngrenë shqetësime në lidhje me rolin e medreseve në Afganistan dhe Pakistan. Nën shqyrtim të veçantë janë medresetë në kampet e refugjatëve, përgjatë kufirit të trazuar midis dy vendeve, ku ekstremistët janë më aktivë.

Disa nga to sigurojnë mësimin e shkencave humane brenda fesë, ndërsa të tjerat shërbejnë për propagandë të dhunshme islamike.

Zyrtarët afganë thonë se shumë nxënës të medreseve në Pakistan ndjekin ideologji ekstremiste nën maskën e fesë, duke përfshirë edhe interpretimin e dhunshëm të xhihadit.

Një raport i 24 prillit në “Newsweek” hedh dritë mbi një kamp të madh refugjatësh afganë në Pakistan, të njohur si Shamshatoo. Në mesin e tyre ndodhet një 20-vjeçar, i cili veten e quan “Valiullah”. Ai thotë se “arsyeja përse Zoti e ka sjellë familjen e tij në Shamshatoo, është sepse Zoti do që ai të bëhet xhihadist”.

Abdul Ghani Hidajeti, përfaqësues i Qeverisë afgane për arsimin në Pakistan, mohon se afganët që jetojnë në këtë vend, ndjekin islamin radikal.

“Gënjeshtër. Ata nuk e mësojnë xhihadin në shkollat pakistaneze. Ata janë nën mbikëqyrje të vazhdueshme. Kjo nuk ka ndodhur dhe nuk do të ndodhë”, thekson Hidajeti.

Ai nuk ka pranuar të përdorë fjalën “medrese” kur është pyetur për këtë çështje nga korrespondenti i Radios Afganistani i Lirë, duke iu referuar më shumë termit laik “shkollë”.

Edhe të tjerët, si Mulla Ram Dad, hedhin poshtë idetë se medresetë janë përgjegjëse për fëmijët kamikazë. Ram Dad jep mësim në qarkun Dir të Pakistanit.

“Ne klerikët kemi dëgjuar për sulme të tilla vetëvrasëse, por ky informacion vjen nga qeveria. Është diçka që kundërshtohet nga klerikët. Ata (kamikazët) janë njerëz të pashkolluar që përdoren për akte të tilla dhe do të duhej të ndaloheshin. Ne jemi kundër kësaj. Ata njollosin emrin e Islamit dhe nuk janë myslimanë të vërtetë”, thotë Dad.


Çfarë e nxit kamikazin?

Idetë, sipas të cilave sulmuesit vetëvrasës nxiten nga Islami radikal, janë sfiduar edhe nga studimet e fundit. Libri i psikologut Ariel Merari, “Udhëtimi në vdekje: Aspektet psikologjike dhe sociale të terrorizmit vetëvrasës”, vë në pah se shumë nga sulmuesit janë depresantë klinikë dhe i marrin vetes jetën për motive të ngjashme sikur edhe njerëzit e tjerë që bëjnë vetëvrasje.

Shkencëtari politik i Shteteve të Bashkuara, Robert Pejp, thotë se vendet që i nënshtrohen intervenimit të huaj, kanë tendencë të zhvillojnë stimuj shoqërorë – specifikë për sulme të tilla.

Por, shumë fëmijë thuhet se nuk kanë zgjidhje. Raporti i majit i Kombeve të Bashkuara tërheq vërejtjen se shumë nga ta janë të detyruar të mbajnë armë apo eksplozivë. Përveç kësaj, shumë nga fëmijët e arrestuar mbahen në kushte të këqija në burgjet e të rriturve, çfarë e shton edhe më shumë mundësinë e recidivizmit.

Një studim i mbi 10 mijë njerëzve në pjesët rurale të Pakistanit, i publikuar më 30 maj nga Universiteti i Bujqësisë në Faisalabad, tregon se 79 për qind e tyre besojnë se vështirësitë ekonomike janë faktori kryesor për sulmet vetëvrasëse. Të anketuarit e tjerë thonë se kamikazët janë viktima të prindërve të rreptë.

Katërmbëdhjetëvjeçari Muhamed Fared është arrestuar po ashtu më 5 prill, nën akuzat për tentim hedhje në erë të aeroportit Kunduz.

Pavarësisht se ka vijuar mësimet në medresenë Ehya-ul-Ulum të Pakistanit, Fared thotë se religjioni nuk ka të bëjë asgjë me arsyet e tij për të ndjekur një rrugë të dhunshme.

“Unë nuk kam problem me Qeverinë afgane, por unë nuk i pëlqej të huajt. Kam zotëruar krijimin e minave tokësore për të hedhur në erë tanket e tyre”, thotë Fared.

Për të, arsye e sulmeve vetëvrasëse janë të huajt. Për të tjerët është joshja me parajsën. Motivet mund të jenë të ndryshme, por jetët e fëmijëve që zgjedhin terrorizmin ose janë të detyruar ta bëjnë atë, ndajnë një gjë të dhimbshme, e cila ka kohë që injorohet. (v.t.)
XS
SM
MD
LG