Ndërlidhjet

FIFA - Anije e çekuilibruar


Sep Blater
Sep Blater
Federata Botërore e Futbollit ka rizgjedhur president zotin Sep Blater, i cili ishte i vetmi kandidat për këtë post.

Presidenti i FIFA-s është zotuar se do ta udhëheqë këtë organizatë të trazuar nga dyshimet për korrupsion.

Duke folur para delegatëve të 208 asociacioneve të futbollit nga mbarë bota, të cilët morën pjesë në Kongresin e 61-të të FIFA-s, Blater e ka quajtur veten “kapiten të anijes”, i cili ka përgjegjësinë dhe detyrën për ta kthyer “në rrugën e duhur”.

"Jemi mbledhur këtu sot, në unitet dhe solidaritet. Të gjithë e dimë se anija FIFA është në ujëra të turbullta. Por, kjo anije duhet të kthehet në rrugën e duhur”, ka thënë Blater, i cili do ta udhëheqë këtë organizatë botërore për të katërtën herë.

Ai konkurroi pa sfidues për postin e presidentit të FIFA-s, duke qenë se rivali i tij i vetëm, Mohamed bin Hamam, u tërhoq, pasi u pezullua nga Komiteti i Etikës në kuadër të FIFA-s, përballë pretendimeve se ka dhënë ryshfet në mbështetje të kandidaturës së tij.

Zoti Hamam ka thënë sot se po trajtohet padrejtësisht, sepse është pezulluar para zhvillimit të hetimeve dhe para se të shpallej fajtor. Ai ka thënë se i është ndaluar hyrja në Kongresin e FIFA-s dhe nuk i është dhënë mundësia të ankohet ndaj pezullimit.

Zyrtarë anglezë dhe skocezë kanë bërë thirrje që zgjedhja e sotme presidenciale në FIFA të shtyhet, duke propozuar formimin e një mekanizmi të jashtëm për të hetuar dyshimet për korrupsion në radhët e udhëheqësisë së organizatës botërore të futbollit.

Princi Uilliam i Britanisë së Madhe, i cili kryeson Asociacionin Anglez të Futbollit, gjithashtu ka thënë se nuk mund të ketë zgjedhje të ndershme pas kaq shumë akuzash për korrupsion. Disa sponsorë të mëdhenj të FIFA-s, përfshirë këtu kompaninë Coca-Cola dhe Adidas, kanë shprehur shqetësim për imazhin e dëmtuar të organizatës.

Por, gjatë votimeve mbi propozimin për shtyrje, vetëm 17 nga 208 delegatë të FIFA-s mendonin se votimi për presidentin duhet të shtyhet.

Vetë Blater ka përsëritur kundërshtimin e tij ndaj thirrjeve për hetime të pavarura mbi dyshimet për korrupsion, duke thënë se çdo reformë në FIFA duhet të vijë nga vetë organizata.

"Jam i sigurt - dhe pajtohem - se do të më ndiqni, se do të mund t’i zgjidhim problemet brenda FIFA-s”, ka thënë Blater.

Që prej turneut inagurues më 1930, Kupa Botërore tani është shndërruar në një industri multimiliardë-dollarëshe. Me 32 ekipe botërore që garojnë në finalen e Kupës së Botës, ajo është shndërruar në ngjarjen më të shikuar dhe më të ndjekur sportive në botë, duke tejkaluar kështu edhe Lojërat Olimpike.

Turneu i vitit 2010 në Afrikën e Jugut arriti të grumbullojë 3 miliardë dollarë të ardhura.

Por, kritikët nuk e kanë të qartë pse janë vetëm 22 njerëz në pozicion për të vendosur se cili vend do të jetë nikoqir dhe do të përfitojë nga kampionati botëror dhe pse pikërisht këta 22 njerëz duhet t’i japin llogari vetëm vetvetes për vendimet që marrin. (a.v.)
XS
SM
MD
LG