Ndërlidhjet

Ofertat ekonomike zgjedhore në Maqedoni


Nga tubimet parazgjedhore në Maqedoni
Nga tubimet parazgjedhore në Maqedoni
Partitë politike në Maqedoni gjatë prezantimit të programeve para elektoratit, premtojnë zgjidhjen e të gjitha problemeve në sferën e ekonomisë, si hapjen e vendeve të reja të punës, uljen e tatimeve dhe zbutjen e varfërisë. Por, ekspertët e ekonomisë thonë se ofertat e tilla bëhen vetëm për marketing politik, pasi realizimi i tyre është i pamundur në kushtet e krizës së thellë, në të cilën ndodhet Maqedonia.


Në programet ekonomike të partive politike pa marrë parasysh nëse bëhet fjalë për parti të pushtetit aktual apo të opozitës, premtohet gjithçka.

Partia e kryeministrit Nikolla Gruevski, VMRO DPMNE premton realizimin e 1200 projekteve në ekonomi, uljen e tatimeve, uljen e numrit të të papunëve, si dhe caktimin e pagës minimale, e cila nga Sindikata kërkohet që të mos jetë më e ulët se 160 euro.

LSDM-ja opozitare ofron pensione për çdo person të moshës mbi 65 vjeç, pa marrë parasysh nëse plotëson ose jo kushtet për pension, uljen e tatimeve, të kamatave dhe hapje të vendeve të reja të punës.

Premtime jep edhe partia shqiptare, Bashkimi Demokratik për Integrim, e cila zotohet për ndërtimin e autostradave me Kosovën dhe Shqipërinë, si dhe hapjen e zonave të lira ekonomike edhe në vendet e banuara me shqiptarë.

Edhe Demokracia e Re premton 1 miliardë euro investime dhe 50 mijë vende të reja të punës.

Barabarësi ekonomike apo siç thonë marrjen e hises shqiptare në buxhetin e shtetit premtojnë edhe dy partitë tjera opozitare, Rilindja Demokratike Kombëtare dhe Partia Demokratike Shqiptare.

Por, të gjitha këto premtime vlerësohen si joreale nga ekspertët e ekonomisë, në veçanti ato që kanë të bëjnë me uljen e tatimeve dhe rritjen e shpenzimeve për kategoritë sociale.

“Imagjinoni deklarimet e njërës apo palës tjetër se si në të njëjtën kohë do t’i rrisin rrogat, do t’i rrisin pensionet, do t’i rrisin shtesat sociale, që është paradoks për VMRO-DPMNE-në, por ajo po e premton se do t'i rrisë shtesat sociale dhe në të njëjtën kohë do t’i ulë edhe tatimet”.

“Si ka mundësi t’i rrisin shpenzimet, t’i ulin tatimet dhe deficitin ta mbajnë në ekuilibrin prej 3 për qind?! Pra, një formulë e tillë në ekonomi nuk është e njohur. Këta me të vërtetë janë parametra, indikatorë se premtimet e tilla janë tipike elektorale, për efekte ditore elektorale”, vlerëson Abylmenaf Bexheti, profesor i Ekonomisë.

Ndërsa, duke komentuar premtimet e partive për ngritjen e ekonomisë dhe uljen e varfërisë në vend, Nikolla Popovski, profesor dhe ish-ministër i Financave, thekson se partitë politike duhet të jenë serioze në prezantimin e ofertave ekonomike, ndërsa veçon ato që kanë të bëjnë me zotimet për uljen e tatimeve.

“Ndodhemi në situatë kur partitë politike ndoshta për t’i fituar zgjedhjet kalkulojnë me propozime të rrezikshme. Është e pakuptimtë të premtohet ulja e tatimeve kur dihet fakti se Maqedonia nuk ka tatime të larta. Në Evropë tatimet personale janë progresive, pra tatimet më të ulëta janë 10 për qind, kurse te ne tatimet më të larta se 10 për qind. Kjo vlen edhe për tatimet tjera. Pra, ulja e tatimeve është punë shumë e lehtë dhe do të mirëpritej nga të gjithë, por në politikat ekonomike të shtetit kjo do të kishte pasoja të mëdha”, thotë Popovski.

Partitë politike shqiptare ofertat e tyre ekonomike gjatë kësaj periudhe i kanë prezantuar edhe para Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-perëndimore që mbulon vendbanimet shqiptare.

Drejtuesit e saj thonë se ofertat janë të mira, por duhet të bëhen pjesë e programit qeveritar dhe jo të ndodhë sikurse deri më tani që premtimet të mbesin vetëm në letër.

“Koalicioni i ardhshëm qeveritar që do të formohet mes partnerit shqiptar dhe atij maqedonas, duhet të bëhet në baza të barabarta dhe sa më parë të dilet me platformë të qartë që të mos ndodhë si në të kaluarën kur nuk përfilleshin kërkesat e biznesit shqiptar që janë anashkaluar thuajse në 20 vitet e shkuara”, thekson Menderes Kuçi, kryetar i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-perëndimore.
XS
SM
MD
LG