Ndërlidhjet

Efikasitet apo degradim?


Kryeminsitri Hashim Thaçi
Kryeminsitri Hashim Thaçi
Opozita kosovare dhe analistët politikë në Kosovë kritikojnë veprimet e Qeverisë së vendit brenda 100 ditëve të ekzistimit, duke thënë se politikat e pamenduara mirë i kanë thelluar problemet e shtetit në shumë fusha. Procesi i njohjeve, sundimi i ligjit dhe gjendja ekonomike përmenden si fusha, në të cilat ekzekutivi kosovar nuk ka arritur sukses.

Jam me besim të plotë se do të jetë qeverisja më efektive në historinë politike të Kosovës deri më tani”, pati thënë kryeministri i Kosovës më 19 shkurt të këtij viti, kur nisi zyrtarizimin e marrëveshjeve për koalicion me Aleancën Kosova e Re dhe disa subjekte të tjera politike, të cilat tani përbëjnë Qeverinë e vendit.


Mirëpo, njohësit e rrethanave politike dhe përfaqësues të opozitës drejtojnë një varg kritikash në adresë të Qeverisë Thaçi, e cila të mërkurën shënon 100-ditëshin e ekzistimit.

Analisti Halil Matoshi vlerëson se Qeveria Thaçi II, e ka degraduar Kosovën sikurse në aspektin e brendshëm, ashtu dhe në rrafshin ndërkombëtar.

“Në çdo sferë, e në çdo fushë të jetës vërehet një kthim prapa, vërehen minuse të mëdha edhe në jetën sociale, edhe sa i përket privatizimit të kompanive publike, edhe sa i përket sundimit të ligjit”, thotë Matoshi.

Me gjithë vështirësitë për të fituar numrin e mjaftueshëm të votave, Qeveria aktuale qe votuar me 65 vota pro dhe një kundër. I rizgjedhuri në postin e kryeministrit, Thaçi, pati thënë se do të krijojë një qeverisje të mirë që do t’i sjellë Kosovës zhvillim ekonomik, demokratizim të brendshëm dhe perspektivë euroatlantike.

Kabineti qeveritar

Këto prioritete, sipas Matoshit, nuk janë realizuar, edhe pse kabineti qeveritar, siç thotë ai, është rritur dukshëm krahasuar me Qeverinë e parë të udhëhequr nga kreu i Partisë Demokratike.

“E vetmja ‘e arritur’, po them, është se e ka fryrë aparatin qeverisës pothuajse në përmasa të vetë Kuvendit të Kosovës, ngase as në Kuvend nuk po ka mjaft ulëse për t’i zënë ministrat dhe zëvendëskryeministrat e kësaj qeverie”, vlerëson Matoshi.

Edhe pse ia kishte vënë vetes si synim prioritar, qeveria kosovare gjatë 100 ditëve nuk ka arritur të rrisë numrin e njohjeve të shtetit - i cili njohjen e fundit e mori nga Omani në fillim të muajit shkurt, duke e çuar në 75 numrin total të njohjeve.

Opozita në Kosovë nuk shpreson në suksesin e platformës diplomatike, të cilën e krijoi, kohë më parë, Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës.

Ish-shefi i diplomacisë kosovare, Skënder Hyseni, vlerëson se pengesa kryesore që ka shkaktuar ngecjen e procesit të njohjeve është dialogu ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, i cili nisi në mars të këtij viti.

“Dialogu që po zhvillohet me Serbinë është një prej shkaktarëve të ngecjes dhe kjo duhet të thuhet qartë dhe me zë të lartë. Duhet të thuhet në Uashington, Paris, Londër, në qendrat e vendimmarrjes në botë”, thekson Hyseni.
XS
SM
MD
LG