Ndërlidhjet

logo-print

KE: Buxheti i vitit 2011 i rrezikuar

  • RFE /RL

Foto ilustruese

Foto ilustruese

Komisioni Evropian ka theksuar rëndësinë e disiplinës fiskale si parakusht për mjedis stabil makroekonomik dhe investime në Kosovë.

Komisioni ka shprehur brengën për “rrezikun që rrethon buxhetin e vitit 2011 dhe financimin e deficitit”.

Në një komunikatë për media të Komisionit Evropian, në të cilën sillen thekse nga takimi mbi raportin e progresit të autoriteteve të Kosovës dhe Komisionit Evropian, thuhet se përfaqësuesit e Komisionit kërkuan nga “autoritetet të ndëmarrin masa paraprake të konsolidimit”.

Në komunikatë thuhet se autoritetet kosovare kanë shpjeguar hollësisht programin ekonomik, të miratuar së fundi nga Qeveria, dhe planin shoqërues të veprimit.

“Komisioni theksoi nevojën për prioritizimin dhe radhitjen e masave të ndryshme, si dhe përvijimin e tyre me veprimet në kuadër të Planit të Veprimit të Qeverisë për Partneritet Evropian, si dhe me strategjitë tjera, që gjithashtu ndikojnë në aktivitetet ekonomike dhe të punësimit”, thuhet në njoftimin e Komisionit Evropian.

“Këto masa duhet të vlerësohen kundrejt efekteve të mundshme negative anësore dhe të analizohet si duhet ndikimi i tyre fiskal”, ka qenë kërkesa e Komisionit Evropian.

Takimi ishte pjesë e dialogut të rregullt në kuadër të Dialogut të Procesit të Stabilizim-Asociimit.

Në takim është diskutuar një spektër i gjerë i temave si: zhvillimi makroekonomik i Kosovës, politikat fiskale dhe financiare, privatizimi i ndërmarrjeve publike, sistemi statistikor dhe menaxhimi financiar, si dhe kontrolli i fondeve publike.

“Shërbimi i Komisionit mirëpriti regjistrimin e rregullt që është bërë në muajin prill dhe kërkoi nga Kosova të përmirësojë mbledhjen e të dhënave statistikore për qëllime socio-ekonomike, pasi që ato janë të domosdoshme për politikëbërje”, thuhet në komunikatën për media të Komisionit Evropian.

Takimi është bashkëkryesuar nga Ministria e Integrimeve Evropiane dhe Drejtorati i Përgjithshëm i Komisionit Evropian për Çështje Ekonomike dhe Financiare.
XS
SM
MD
LG