Ndërlidhjet

Vazhdon sherri për librat


Foto ilustruese
Foto ilustruese
Edicioni i 13-të i Panairit të Librit në Prishtinë, i cili pritet të nisë më 3 qershor, do të sjellë mbi 1,500 botime të reja të botuesve shqiptarë, thonë përfaqësuesit e Shoqatës së Botuesve të Kosovës, e cila e organizon këtë panair.

Besian Zeneli, nënkryetar i kësaj shoqate dhe koordinator i Panairit të Librit, thotë se ekzistojnë mjaft indikacione që kjo ngjarje të jetë e suksesshme.

“Jemi jashtëzakonisht të kënaqur. I kemi rreth 65 botues që, deri më tash, e kanë konfirmuar pjesëmarrjen. Ka pasur kërkesa edhe nga librarët dhe librashitësit, por nuk ka qenë e mundur të sigurohet hapësira”.

“Shoqata ka marrë qëndrim që sivjet të organizohet një panair i mirëfilltë, që
1,500-2,000 do të jetë numri i botimeve të reja.

nuk është bërë deri më sot te ne. Do të thotë, do t’iu kushtohet vetëm botuesve që të kenë një panair të rregullt. Është kusht që secila shtëpi botuese t’i shesë vetëm botimet e saj dhe të respektohet të paktën 20 për qind e më lart zbritja. Llogarisim që 1,500 deri në 2,000 të jetë numri minimal i botimeve të reja”, thotë Zeneli.

Sipas tij, gjatë panairit, do të organizohen edhe promovime të botimeve të reja, si dhe tryeza debati për librin.


Botuesit me akuza të ndërsjella

Organizimi i panaireve të librit - një muaj më parë, nga Unioni i Botuesve të Kosovës dhe tash nga Shoqata e Botuesve të Kosovës - është shndërruar në mollë sherri ndërmjet dy organizatave rivale të botuesve në Kosovë.

Shoqata e Botuesve ka akuzuar dhe kritikuar Unionin e Botuesve për tentim të përvetësimit të traditës së organizimit të panairit të librit. Unioni ka akuzuar Shoqatën e Botuesve për tentim të krijimit të monopolit mbi organizimin e panairit.

Megjithatë, Unioni i Botuesve ka ftuar botuesit nga Shoqata e Botuesve të marrin pjesë në panairin që u mbajt një muaj më parë. Çështja e pjesëmarrjes ose jo e botuesve nga Unioni, tash është bërë temë polemikash në mes të këtyre dy mekanizmave.

Behxhet Bici, pronar i shtëpisë botuese “Elta BC” dhe përfaqësues i Unionit të Botuesve të Kosovës, e quan jokorrekte qasjen e Shoqatës së Botuesve të Kosovës ndaj botuesve anëtarë të Unionit të Botuesve.

“Përkundër dëshirës dhe insistimit që të gjejmë një lloj komunikimi me ta, deri më tash, absolutisht nuk kanë pranuar asnjë takim. Ky panair, si çdo panair tjetër, është publik dhe nuk më duket e arsyeshme që dikujt t’i bëhet ftesë e dikujt jo”.

“Në panairin e muajit të kaluar kanë qenë të ftuar të gjithë ata që kanë pasur dëshirë të marrin pjesë. Madje, kryetari i Shoqatës së Botuesve të Kosovës i ka pasur librat në stendë në panairin e muajit të kaluar”,
thotë Bici.

Por, Zeneli vlerëson se botuesit nga Unioni janë vonuar për ta dërguar kërkesën për pjesëmarrje në panair.

“Kërkesat janë dërguar para dy-tre ditësh, ndërsa rezervimet e vendeve kanë filluar që nga viti i kaluar. Normalisht, ata janë vonuar. Në tre-katër ditët e fundit është tepër vonë. Ai e di që nuk ka hapësirë në momentin e fundit, por aplikon që ta ketë një mbulesë, gjoja se ‘unë aplikova, por ata nuk më krijuan mundësi’”, shprehet Zeneli.

Një gjë e tillë hidhet poshtë nga Bici.

“Në ftesën, të cilën ma ka dërguar njëri nga botuesit, i cili nuk është pjesë e Shoqatës (së Botuesve), shkruante se deri me datën 31(maj) është afati i fundit i paraqitjes. Me datën 27 (maj) e kemi mbushur aplikacionin për pjesëmarrje në Panairin e Librit”.

“Tash, nëse do të marr pjesë ose jo, duhet ta pyesni Shoqatën, sepse ata kërkojnë të gjejnë mekanizma që t’ua pamundësojnë pjesëmarrjen në panair disa botuesve”,
deklaron Bici.

Në anën tjetër, Zeneli thotë se botuesit nga Unioni kanë shfaqur dëshirën për pjesëmarrje, por...

“...kanë aplikuar në mënyrë ironike. Njëherë kanë çuar fjalë përmes njerëzve e lloj-lloj gjërash. Do të shqyrtohet mundësia. Unë e ceka edhe më herët që kemi mungesë të hapësirës”.

“Ne, për hir të qëndrimeve tona, nuk kemi marrë pjesë në panairin e tyre dhe as nuk jemi marrë me ta. I kemi lënë të lirë që të bëjnë çfarë të duan. Kështu që edhe ne kërkojmë prej tyre që të na lënë ta bëjmë punën tonë”,
shprehet Zeneli.

Edicioni i 13-të i Panairit të Librit do të zhvillohet nga data 3 deri më 9 qershor dhe do të mbahet në Pallatin e Rinisë.
XS
SM
MD
LG