Ndërlidhjet

Pasojat në buxhet


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Kosova në buxhetin e vitit 2011 ka planifikuar të hyra edhe nga fondet e mekanizmave financiarë ndërkombëtarë. Ekspertët e çështjeve ekonomike thonë se tash pas ndërprerjes së marrëveshjes 18 mujore me FMN-në, Stand By Arrangement (SBA), Kosova po futet krizë të thellë financiare, pasi që, siç thonë ata, me të hyrat që mund t’i realizojë vendi, nuk mund të mbulohet deficiti buxhetor.


Në buxhetin e Kosovës është planifikuar një shumë e konsiderueshme e mjeteve nga mekanizmat financiarë ndërkombëtarë, që, sipas ekspertëve të ekonomisë, vështirë se do të mund të realizohet gjatë këtij viti.

Kryetari i Odës Ekonomike Amerikane, Lekë Musa, thotë për Radion Evropa e Lirë se në mungesë të këtyre mjeteve, Kosova do të futet në krizë financiare.

Lekë Musa
“Buxheti i Kosovës ka planifikuar t’i ketë rreth 150 milionë euro si ndihmë direkte nga institucionet financiare ndërkombëtare, të cilat tani në këtë vit vështirë se do të mund të realizohen, në veçanti ato nga Fondi Monetar Ndërkombëtar”, thotë Musa.

Ekspertë të çështjeve ekonomike vlerësojnë se vlera e mjeteve buxhetore duhet të ketë burime të sakta dhe nuk duhet futur në asnjë mënyrë burime jo të sigurta, ashtu siç ka bërë Qeveria në buxhetin e këtij viti.

Profesori i Ekonomisë në Universitetin e Prishtinës, Musa Limani, thotë se buxheti i Kosovës parasheh vlerë më të madhe të mjeteve buxhetore sesa që mund të sigurohen përmes të hyrave.
...mungesa e mbështetjes së Fondit Monetar Ndërkombëtar do të shprehet në paraqitjen e deficitit të mjeteve buxhetore.


“Me siguri se mungesa e mbështetjes së Fondit Monetar Ndërkombëtar do të shprehet në paraqitjen e deficitit të mjeteve buxhetore. Po ashtu, edhe mjetet tjera, të cilat janë paraparë, nuk besoj se mund të realizohen, siç janë qasja e grumbullimit të tatimeve përmes Administratës Tatimore të Kosovës, pastaj zvogëlimi i ekonomisë joformale, shitja e PTK-së etj. Jam shumë skeptik në këtë drejtim”, shprehet Limani.

Në anën tjetër, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, thekson se largimi i 150 milionë eurove nga buxheti i Kosovës është një humbje e madhe ekonomike për vendin.

“Viti 2012 do të jetë shumë i vështirë. Çka nëse nuk bëhet privatizimi i Postë- Telekomit të Kosovës, ose nëse privatizohet dhe mjetet shpenzohen në këtë vit?! Çfarë do të jetë qasja në buxhet për këtë vit?! Është një aventurë që nuk do të kisha lejuar të ndodhte”, thekson shprehet Gërxhaliu për Radion Evropa e Lirë.

Fondi Monetar Ndërkombëtar pas ndërprerjes së marrëveshjes Stand By Arrangement ka paraparë që të bëhet një program i monitorimit të personelit deri në vitin 2011.

Lidhur me këtë monitorim, ekspertët e ekonomisë theksojnë se Qeveria e Kosovës nuk duhet ta zgjerojë bazën e shpenzime operative.


Por, për të dalë nga kjo krizë e thellë financiare, në të cilën po futet Kosova profesori i ekonomisë, Musa Limani, thotë se Qeveria duhet të bëjë reduktimin e shpenzimeve aty ku mundet, mirëpo ai thekson se nuk duhet të heqë dorë nga investimet kapitale siç është autostrada.

“Ka edhe mundësi tjera, p.sh, të hyhet në borxhe, qoftë në borxhe vendore ose nga institucionet ndërkombëtare. Këto janë rrugë që mund të bëjnë zgjidhje, por janë shumë të hidhura, sepse shprehen negativisht në proceset tjera ekonomike, politike dhe shoqërore”, vlerëson Limani.

Ndryshe, mosmarrëveshjet e Kosovës me FMN-në kanë pasur të bëjnë me shpenzimet për vitin 2011, në veçanti rritjen e pagave për shërbyesit civilë.

Vitin e kaluar, Qeveria e Kosovës ishte dakorduar me këtë institucion ndërkombëtar që pagat në sektorin publik të rriten për 7-8 për qind, por këto pagesa janë ngritur për mbi 30 për qind.


KE: Buxheti i vitit 2011 i rrezikuar

Komisioni Evropian ka theksuar rëndësinë e disiplinës fiskale si parakusht për mjedis stabil makroekonomik dhe investime në Kosovë.

Komisioni ka shprehur brengën për “rrezikun që rrethon buxhetin e vitit 2011 dhe financimin e deficitit”.

Në një komunikatë për media të Komisionit Evropian, në të cilën sillen thekse nga takimi mbi raportin e progresit të autoriteteve të Kosovës dhe Komisionit Evropian, thuhet se përfaqësuesit e Komisionit kërkuan nga “autoritetet të ndëmarrin masa paraprake të konsolidimit”.

Në komunikatë thuhet se autoritetet kosovare kanë shpjeguar hollësisht programin ekonomik, të miratuar së fundi nga Qeveria, dhe planin shoqërues të veprimit.

“Komisioni theksoi nevojën për prioritizimin dhe radhitjen e masave të ndryshme, si dhe përvijimin e tyre me veprimet në kuadër të Planit të Veprimit të Qeverisë për Partneritet Evropian, si dhe me strategjitë tjera, që gjithashtu ndikojnë në aktivitetet ekonomike dhe të punësimit”, thuhet në njoftimin e Komisionit Evropian.

Këto masa duhet të vlerësohen kundrejt efekteve të mundshme negative anësore dhe të analizohet si duhet ndikimi i tyre fiskal”, ka qenë kërkesa e Komisionit Evropian.

Takimi ishte pjesë e dialogut të rregullt në kuadër të Dialogut të Procesit të Stabilizim-Asociimit.

Në takim është diskutuar një spektër i gjerë i temave si: zhvillimi makroekonomik i Kosovës, politikat fiskale dhe financiare, privatizimi i ndërmarrjeve publike, sistemi statistikor dhe menaxhimi financiar, si dhe kontrolli i fondeve publike.

“Shërbimi i Komisionit mirëpriti regjistrimin e rregullt që është bërë në muajin prill dhe kërkoi nga Kosova të përmirësojë mbledhjen e të dhënave statistikore për qëllime socio-ekonomike, pasi që ato janë të domosdoshme për politikëbërje”, thuhet në komunikatën për media të Komisionit Evropian.

Takimi është bashkëkryesuar nga Ministria e Integrimeve Evropiane dhe Drejtorati i Përgjithshëm i Komisionit Evropian për Çështje Ekonomike dhe Financiare.
XS
SM
MD
LG