Ndërlidhjet

Përplasje rreth 100-ditëshit


Isa Mustafa
Isa Mustafa
Partitë opozitare vazhdojnë ta kritikojnë punën e Qeverisë së Kosovës për 100 ditët e para të saj. Lideri i LDK-së, Isa Mustafa, gjatë një konference për media tha se kjo Qeveri nuk po punon për interesat e Kosovës dhe qytetarëve të saj dhe si e tillë, ai tha se ajo nuk i duhet Kosovës. Në anën tjetër, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, tha se Qeveria ka përmbushur tashmë shumicën e premtimeve elektorale.


Qeveria Thaçi funksionon për interesa të ngushta të koalicionit dhe individëve, por jo edhe për interesat e Kosovës dhe qytetarëve të saj, tha të enjten në Prishtinë, lideri opozitar, Isa Mustafa, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Gjatë një konference për media, Mustafa tha se i vetmi përparim që Qeveria Thaçi ka arritur, është zhytja e vendit në inflacion dhe keqësimi i standardit të jetesës për qytetarët e Kosovës.

Derisa i cilësoi dështim të 100 ditët e para të qeverisjes, prishjen e marrëveshjes me FMN-në Mustafa e vlerësoi me pasoja për Kosovën.


Me këtë veprim, Kosova tani hyn në kuadër të atyre vendeve që vlerësohen se nuk u përmbahen marrëveshjeve ndërkombëtare, tha ai. Kurse, shtimi i numrit të ministrive, sipas Mustafës, kryeministrit i është dashur për ta shpëtuar koalicionin.

“Kjo Qeveri do të mbahet në mend si qeveri që u dha shansin të jenë qeveritarë disa prej tyre që jo vetë, por as të afërmit e tyre kurrë nuk kanë besuar se ata do të bëhen zëvendëskryeministra, ministra e zëvendësministra”.

“Unë dyshoj se Thaçi e ka ditur se kush çfarë punon dhe çka duhet të punojë, por qartas duket se ai është i vetëdijshëm se po të mos sajonte poste qeveritare, koalicioni i tij nuk do ta agonte ditën. Dhe, rezulton se kjo Qeveri nuk është për qytetarin, nuk është për shtetin, por është për vetveten, andaj konsiderojmë se një qeveri e tillë nuk i nevojitet Kosovës”, theksoi Mustafa.

Ndërkohë, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi vlerësoi se për 100 ditët e para në Kosovë është krijuar një qeverisje stabile. Sipas Kuçit, aktualisht ka stabilitet politik dhe ekonomik, si dhe u shpreh i bindur se shumica e premtimeve që Partia Demokratike e Kosovës dhe koalicioni i kanë dhënë gjatë fushatës së zgjedhjeve, janë përmbushur apo janë në fazën e realizimit.

Hajredin Kuçi

“Kemi filluar me realizimin e premtimeve për qytetarët dhe nëse merren premtimet elektorale, mund të themi se tashmë i kemi realizuar shumicën e atyre premtimeve. Kemi filluar me bazë të legjislacionit të gjerë, që është në përputhje të plotë me integrimet evropiane dhe jemi në fazën e konsolidimit demokratik. Tri vitet e kaluara kanë qenë faza shtet-ndërtimi dhe plotësimi të institucioneve, e tani jemi në fazën e funksionalizimit të plotë”, tha Kuçi.

Megjithatë, vështruar nga prizmi opozitar, Isa Mustafa, në anën tjetër, nuk la anash as hetimet që po zhvillohen ndaj disa zyrtarëve të komunës së Prishtinës, të cilat ai vazhdon t’i cilësoj me prapavijë politike.


Kjo Qeveri dëshmoi se e ka gojën plot demokraci, por që në fakt është Qeveri e prangave, tha Mustafa. Lideri opozitar kritikoi Qeverinë e vendit edhe për mungesë transparence dhe mungesë të rezultateve qeverisëse në përgjithësi.

“Kjo Qeveri nuk tregoi as gjatë këtyre 100 ditëve se sa do të kushtojë autostrada e këtij vendi. Nuk i zbuloi vjedhjet e Dhomës së Dëshmive, nuk tregoi se sa kushton mbikëqyrja e autostradës dhe kush e mbikëqyr atë”.

“Bisedimet, të cilat kjo Qeveri po i zhvillon me Serbinë, po rrëshqasin nga ato teknike, siç është deklaruar, dhe po marrin kahen e një procesi të pastër politik në dobi të Serbisë dhe në dëm të Kosovës”,
shtoi Mustafa.

Opozita kritikoi Qeverinë për 100 ditët e para të punës edhe në lidhje me politikën e jashtme për faktin se gjatë kësaj periudhe nuk janë shënuar njohje të reja.
XS
SM
MD
LG