Ndërlidhjet

Google akuzon, Kina mohon

  • RFE /RL

Ndërtesa e Google në Pekin

Ndërtesa e Google në Pekin

Kina i ka hedhur poshtë akuzat për përfshirjen në fushatën e spiunimit virtual, duke i vlerësuar ato si të “papranueshme”.

Këto reagime të Kinës u bënë një ditë pasi kompania Google tha se hakerët kishin provuar t’i vidhnin passwordat e e-mailave të qindra personave në Gmail.

Kompania Google nuk e ka fajësuar Qeverinë e Kinës drejtpërdrejt, por tha se fushata e spiunimit përmes internetit duket se e ka origjinën në Jinan, në pjesën lindore të provincës kineze, Shandong.

Sekretarja amerikane e Shtetit, Hilari Klinton, tha se FBI do ta fillojë hetimin për këtë incident.

“Këto akuza janë shumë serioze. Ne i marrim ato seriozisht. Ne po i shqyrtojmë ato dhe meqë ky do të jetë një hetim në zhvillim, së pari do ju referohem ju, Google, për çfarëdo detaj, që ata janë të gatshëm ta ndajnë në këtë kohë, dhe te FBI-ja, e cila do të zhvillojë hetim”, tha Hillari Klinton.

Kjo aferë, me gjasë në vazhdimësi, do t’i ndërlikojë raportet ndërmjet kompanisë së Shteteve të Bashkuara dhe autoriteteve të Kinës, që ishin të tensionuara lidhur me cenzurë dhe me skema të mëhershme kibernetike.

Piter Barron, drejtor në kompaninë Google, për fushatën e sulmit tha:

“Kjo fushatë, që duket se e ka origjinën në Jinan, i ka prekur ato që duket se janë e-maila personalë në Gmail të qindra shfrytëzuesve, përfshirë edhe zyrtarë të lartë qeveritarë të Shteteve të Bashkuara, aktivistë politikë kinezë, zyrtarë në disa vende aziatike, personel ushtarak e gazetarë".

"Qëllimi duket se ishte monitorimi i përmbajtjes së shfrytëzuesve të e-mailave”
, tha Barron për Radion Evropa e Lirë.

Por, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës, Hong Lei, tha se Kina qëndron kundër krimit në internet, përfshirë edhe hakerët, të cilët i lufton vendosmërisht.

Hakerizmi është një problem ndërkombëtar. Kina, po ashtu, është viktimë e hakerëve. Pretendimet se Qeveria e Kinës i mbështet aktivitetet e hakerëve janë krejtësisht të pabaza”, tha zëdhënësi Lei. (f.b.)
XS
SM
MD
LG