Ndërlidhjet

Mlladiq nuk deklarohet për akuzat


Mlladiq para Tribunalit të Hagës
Mlladiq para Tribunalit të Hagës
Ratko Mlladiq, akuzat për gjenocid dhe krime lufte i quajti “fjalë monstruoze” dhe “të padurueshme”. Duke folur gjatë seancës së konfirmimit të akuzave në Tribunalin e Hagës, Mlladiq tha se ka nevojë për më shumë se 30 ditë që janë të lejueshme, që të deklarohet rreth akuzave, që t’i studiojë në tërësi dhe t’i kuptojë akuzat kundër tij.

Do të doja të marr ato që sapo i lexuat, këto akuza shumë fyese kundër meje. Dua që t’i lexoj ashtu si duhet, të krijoj një mendim së bashku me avokatët e mi, sepse më duhet më shumë se një muaj për këto fjalë monstruoze, fjalë që s'i kam dëgjuar kurrë më parë - ato pra që janë të përfshira në këtë akuzë”, tha Mlladiq.

Megjithatë, edhe pas kësaj kërkese, gjykatësi Alfons Orie nuk ia dha më shumë se 30 ditë kohë, duke e caktuar 4 korrikun si ditën kur do të deklarohet rreth akuzave.

Mlladiq, në fund të seancës së sotme, tha se shpreson që të jetojë aq gjatë sa ta shohë veten duke u liruar. Ai gjithashtu tha se “do e mbrojë vendin dhe popullin dhe jo Ratko Mlladiqin”.

Gjykatësi Orie e refuzoi këtë deklaratë duke thënë se ai akuzohet si individ. Mlladiq nuk shfaqte ndonjë emocion. Ai e shtrëngonte fytyrën dhe mjekrën e tij, derisa Orie lexonte një përmbledhje të 11 akuzave.

Sipas akuzave, ju, Ratko Mlladiq, akuzoheni për gjenocid, krime kundër njerëzimit, shkelje të ligjeve dhe rregullave të luftës, duke përfshirë edhe ndërmarrjen e përbashkët kriminale”, tha Orie.

Derisa e lexonte përmbledhjen e akuzave, Orie tregoi se rasti i Mlladiqit është i lidhur me rastin e Radovan Karaxhiqit, procesi ndaj të cilit tashmë ka nisur në Hagë.

Mlladiq ka qenë i njohur si “Kasapi i Ballkanit” gjatë luftërave të viteve '90, për fushatë të ashpër që të marrë nën kontroll territore dhe më pas i “t’i pastrojë etnikisht”, pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë.

Avokati Aksel Hageldorn, që përfaqëson familjet e viktimave të Srebrenicës, ku ka ndodhur masakrimi i 8 mijë burrave dhe djemve boshnjakë, për orkestrimin e të cilit akuzohet Mlladiqi, ka thënë se është një lehtësim i madh përballja me drejtësinë e të akuzuarit.

Ministrja serbe e drejtësisë, Snezhana Maloviq, e cila e ka nënshkruar vendimin për ekstradimin e Mlladiqit, tha se mendon që Mlladiq do ta ketë kujdesin e duhur në burgun e Sheveningenit në Hagë.

Unë besoj se ai do ta ketë kujdesin adekuat shëndetësor në burgun e Sheveningenit dhe sipas asaj që ne kemi parë, kur ai ka arritur në njësinë e paraburgimit në gjykatën speciale, ai edhe aty ka pasur kujdesin e duhur. Mirëpo, ky qëndrim është i imi personal, pasi kjo është një çështje lidhur me shëndetësinë”, vlerësoi ministrja serbe e drejtësisë.

Të mbijetuarit e luftës së Bosnjës ishin mbledhur sot para sallës së proceseve gjyqësore në Hagë, për të parë nga afër nisjen e procesit ndaj Mlladiqit. Ata u ndjenë shumë të zemëruar kur Mlladiq i quajti akuzat “shumë fyese” dhe “fjalë monstruoze”.

Të afërmit e viktimave të masakrës së Srebrenicës gjithashtu janë mbledhur në kryeqytetin e Bosnjës, që ta shohin përmes televizionit transmetimin e paraqitjes së parë të Mlladiqit para Tribunalit për Krime Lufte në Hagë. (a.h.)

Mlladiqi para Tribunalit
Ju lutem prisni
Embed

No media source currently available

0:00 0:01:36 0:00
XS
SM
MD
LG